Bushi, sa fat që mungon Shukur
24/03/2005 Pas deklaratave të njëpasnjëshme të trajnerit dhe futbollistëve të Kombëtares turke, edhe futbollistët tanë kanë shprehur mendimet e tyre, në lidhje me sfidën e 26 marsit në Stamboll. Nga Antalia, vendi, ku po zhvillon përgatitjet e saj Kombëtarja e Shqipërisë, ka qenë Alban Bushi, i cili ka lëshuar një deklaratë për shtypin vendas. Ish futbollisti i Istanbulsporit, duke njohur mjaft mirë ambientin turk dhe futbollistët e Turqisë, në intervistën e tij dhënë për “Ajansspor”, është shprehur se ndeshja kundër Turqisë do të jetë e veçantë për të dhe për Shqipërinë. Po ashtu, Bushi ka theksuar se për Shqipërinë është më mirë që Turqia do të zbresë në fushën e lojës, pa sulmuesin e saj, Hakan Shukur. Sipas tij, prania e tij në fushë do të ishte një avantazh më shumë për Turqinë. “Turqia dhe Shqipëria janë dy vende mike dhe ndeshja midis tyre do të jetë disi ndryshe. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe e vështirë. Nëse do të më kërkonin se cilin futbollist të Turqisë nuk do të dëshiroja ta shihja në fushë, do të thoja Hakan Shukur. Ai është një futbollist klasi dhe po kalon një gjendje të shkëlqyer. Mosaktivizimi i tij është një avantazh për Kombëtaren tonë (Shqipërinë)”, ka deklaruar sulmuesi më i mirë i Kombëtares kuqezi, Alban Bushi. Ndërkohë, për shtypin turk janë shprehur edhe futbollistë të tjerë të përfaqësueses sonë, të cilët janë shprehur optimistë për sfidën e fundjavës, kundër Turqisë. Kanë qenë, Rraklli, Lala dhe Tare, ata që janë shprehur me nota pozitive për takimin e së shtunës. Sipas lajmeve të bëra publike në internet, bëhet e ditur se futbollistët në fjalë kanë theksuar se, Shqipëria do ta kalojë me sukses këtë ndeshje të vështirë, përballë Turqisë.