Rehagel: Harrojeni Shqipërinë!
24/03/2005 Trajneri i Kombëtares greke, Oto Rehagel, po përpiqet që të përqendrojë lojtarët e tij, në ndeshjen e së shtunës, kundër Gjeorgjisë. Duke pasur parasysh dëshirën e zjarrtë të publikut grek, për t’u hakmarrë ndaj shqiptarëve për humbjen e 4 shtatorit, Rehagel ka frikë se mos kjo është transmetuar edhe te lojtarët dhe ata nuk përqendrohen kundër Gjeorgjisë. Prandaj, në intervistën e dhënë për mediat ditën e djeshme, trajneri i përfaqësueses helene kërkoi nga lojtarët e tij që të heqin nga mendja Shqipërinë. “Ne po përgatitemi vetëm për ndeshjen kundër Gjeorgjisë, është shprehur Rehagel. Lojtarët duhet që të përqendrohen në vështirësitë e kësaj ndeshjeje dhe vetëm të kësaj. Duhet ta harrojmë Shqipërinë, ajo vjen më vonë”! Gjithashtu, Rehagel vuri në pah vështirësinë e ndeshjes në Tiflida, por theksoi se rezultati pozitiv ndaj Gjeorgjisë është mëse i domosdoshëm dhe do t’i japë një avantazh të madh skuadrës së tij. “Është një ndeshje shumë e vështirë, ka përfunduar gjermani. Gjeorgjia ka një skuadër të fortë, por ne kemi treguar se nuk trembemi nga asnjë kundërshtar. Besoj se do të marrim patjetër një rezultat pozitiv. Duhet të marrim një rezultat pozitiv. Ne duam të fitojmë, por kjo do të varet edhe nga loja e kundërshtarit. Nëse ata luajnë fort, do të kënaqesha edhe me një barazim”.