E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrau për hakmarrje, dënohet 25 vite burg

25/03/2005  TIRANË - Vrau për hakmarrje, është dënuar dje nga gjykata me 25 vite heqje lirie. Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi dje me 25 vite burg të pandehurin Sokol Jaku, akuzuar për krimin e vrasjes. Disa vite më parë, Jaku vrau në vendin e tij të lindjes Dibër, autorin e vrasjes së vëllait. Sipas vendimit të gjykatës, viktima i kishte vrarë në grindje e sipër vëllain Jakut. Kështu, pasi e ka ruajtur për një kohë të gjatë, i pandehuri ka vendosur të marrë hakun e vëllait. Ai me paramendim është nisur në drejtim të shtëpisë së hasmit, duke e pritur të dilte prej andej. Pasi e ka qëlluar është larguar nga vendi i ngjarjes. Vetëm pas disa kohësh policia ka arritur të identifikojë autorin e krimit, duke e lidhur me ngjarjen e mëparshme. Para gjykatës, familjarët e viktimës janë shprehur se kanë qenë në hasmëri me fisin e të pandehurit. Edhe pse familjarët e viktimës i ishin drejtuar familjes së Jakut për t'i falur gjakun, ky i fundit nuk ka pranuar. Pranoi në gjykatë se vrasjen e bëri për të marrë hakun e vëllait, por nuk ka përfituar gjykim të shkurtuar. Edhe prokurori Altin Dumani kërkoi dënimin e të pandehurit me 25 vite burg, duke deklaruar fajtor për krimin e vrasjes për hakmarrje. Ndërsa, avokati Ilir Murati kërkoi dënim më të ulët, duke patur parasysh rrethanat në të cilat është kryer vrasja dhe personalitetin e të pandehurit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›