E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia kishte informacione për Shullazin para arrestimit

25/03/2005  Dyshohej se qëndronte me miq të tij dhe ndërronin shpeshherë vendndodhjet

Policia ka pasur dyshime dhe informacione të marra në rrugë operative ndaj Emilianio Shullazit, se mund të kishte dorë në atentatin e parë te TVA-ja ndaj Vajdin Lames, më 16 tetor të vitit të kaluar. Gjithashtu në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, ai dyshohej se lëvizte i armatosur. Policia ka patur dijeni dhe mbi vendndodhjet e tij të mundshme, por nuk kishte arritur të siguronte asnjë provë konkrete ndaj tij për të vërtetuar dyshimet.

Dyshimet

Pas atentatit te TVA-ja, ku biznesmeni i njohur Vajdin Lame dhe inxhineri Xhevahir Ngjeqari mbetën të plagosur, policia arriti të siguronte informacione operative, se në këtë ngjarje mund të kishte dorë edhe Emiliano Shullazi. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime të policisë së kryeqytetit. Sipas tyre ishin hedhur dyshime mbi këtë person, por nuk ishte arritur të gjendej vendndodhja. Gjithashtu ishte edhe mungesa e provave ndaj tij për implikimin në këtë atentat, thonë burimet. Ndërkaq, burime të organit të akuzës, thanë dje se ishin vënë në dijeni mbi këto informacione. Por gjurmët e mbetura në nastron që bashkonte dy karikatorët e automatikut, të gjetur në bagazhin e autoveturës që u dogj prej atentatorëve, nuk i përkisnin asnjërit prej personave të skeduar më parë nga policia. Ky fakt, thuajse i ka bërë të paprovueshme dyshimet ndaj Shullazit, shprehen burimet. Ndërkaq, pas atentatit të dytë ndaj Lames, ku ky i fundit mbeti i vdekur, policia kishte arritur të siguronte informacione rreth vendndodhjes së mundshme të Emilianos. Informacionet

Policia kishte arritur të siguronte të dhëna të marra në rrugë operative nga agjentët, se Emiliano Shullazi me miq e shokë të tij, disa prej të cilëve në kërkim qarkullonin në Tiranë. Por nuk ishte arritur të sigurohej asnjë informacion rreth adresës së saktë të tyre. Kjo, pasi rezultonte që ata të mos shfaqeshin në vende publike, si dhe të ndërronin shpeshherë vendndodhjet e tyre. Sipas burimeve të policisë, ndaj Shullazit nuk kishte asnjë fletëarrset të lëshuar më parë, pasi nuk kishte asnjë provë konkrete që ta implikonte atë në ngjarje të ndryshme kriminale. Edhe dyshimet për një implikim të mundshëm në atentatin te TVA, u ngritën të bazuara në informacione të marra në rrugë operative nga bashkëpunëtorët e policisë. Por, policia mësohet të ketë shpërndarë të dhënat fizike të tyre në disa rrethe të vendit. Pasi u ndaluan disa ditë më parë nga një postbllok në Durrës, në autoveturën me të cilën udhëtonin u gjetën katër pistoleta, njëra prej të cilave ishte me leje. Kur autovetura tip "Benz" iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar, prej andej kanë dalë tri persona. Njëri prej tyre rezultoi të ishte Emiliano Shullazi, i cili përdorte dokumente me gjeneralitetet Ervin Banaca.

Asnjë provë ndaj Shullazit për atentatin te TVA

Interesimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda pas arrestimit të Emiliano Shullazit konfirmon edhe një herë dyshimet e policisë, se ai mund të ketë qenë i implikuar në atentatin te TVA-ja ndaj Lames. Nga burime të Prokurorisë së Durrësit, mësohet se dy ditë më parë, hetues të Krimeve të Rënda kanë shkuar në Durrës, ku janë njohur me aktet e dosjes hetimore, ku Shullazi akuzohet për armëmbajtje pa leje. Burimet thonë se, ata kanë marrë në pyetje edhe Shullazin lidhur me dyshimet e ngritura ndaj tij. Por, burime të organit qendror të akuzës pohojnë se ndaj Shullazit nuk ekziston asnjë provë për ta implikuar atë në atentatin ndaj Vajdin Lames, tetorin e vitit të kaluar te TVA-ja. Sipas organit të akuzës po hetohet në të gjitha versionet e mundshme, deri sa të arrihet në një konkluzion përfudnimtar për përjashtimin ose jo të dyshimeve ndaj Shullazit, për implikimin e mundshëm të tij në këtë ngjarje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›