E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i drogës, 38 vjet burg për 4 të pandehurit

Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaroi dje fajtorë dhe kërkoi 38 vjet burg për katër të pandehurit Krenar Sako, Ilir Elezi, Valter Janaqi dhe Ilir Ajazi, pasi në ngarkim të tyre rëndon akuza e “trafikut të lëndëve narkotike” në bashkëpunim. Gjatë parashtrimit të konkluzioneve përfundimtare, prokurori i çështjes, Anton Martini, pasi paraqiti rrethanat në të cilat ka ndodhur ky trafik, provat që dispononte për fajësimin e tyre, si dhe deklaratat ndihmëse të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Ilir Ajazi, kërkoi dënimin e tyre, respektivisht 12 vjet burg për Krenar Sakon, 12 vjet burg, për Ilir Elezin, 9 vjet burg për Valter Janaqin dhe 6 vjet burg për shoferin e gruas së ambasadorit grek, Ilir Ajazin. Sipas akuzës, Elezi në bashkëpunim me Valter Janaqin dhe Ilir Ajazin, kryente trafikun e lëndëve narkotike me destinacion Greqinë. Pas hetimeve të policisë, rezultoi se ishte Ilia (Ilir) Elezi ai që siguronte lëndët narkotike në Shqipëri, ndërsa Ilir Ajazi bënte transportin dhe shoku i tyre, Valter Janaqi, e priste në Greqi. Taksisti i penduar për trafikun e drogës drejt Greqisë dhe ish-shofer në Ambasadën Greke disa vite më parë, njëkohësisht edhe përfitues si bashkëpunëtor i drejtësisë, ka rrëfyer para togave të zeza se si kryente transportin dhe se sa paguhej nga të pandehurit e tjerë të kësaj çështjeje. Madje, në një rast, Ilir Ajazi, 55 vjeç, ka pranuar se ka kryer dërgimin e “pakos” me makinën e ambasadës dhe më pas me mjet privat. “Futja në këtë rrjet erdhi pas ofertave që m’u bënë nga i pandehuri Krenar Sako, ndërsa i kisha refuzuar disa herë”, - është shprehur i pandehuri 55-vjeçar gjatë dëshmisë së tij.

Gjykatë

Shtyhet gjyqi për kërkesën e lirimit të Petrit Liçit

Gjykata e Tiranës shty dje seancën për shqyrtimin e kërkesës së të penduarit të “Bandës së Lushnjes”, Petrit Liçi, i cili kërkon lirim me kusht. Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, pas shpalljes së moskompetencës së Gjykatës së Krimeve të Rënda për shqyrtimin e kësaj kërkese. I penduari Liçi i kërkon gjykatës lirim me kusht, kur i kanë mbetur për të shlyer edhe disa muaj burg. Liçi njihet për ndihmën e madhe që u ka dhënë prokurorëve të Krimeve të Rënda për zbardhjen e krimeve të bandës, mënyrat e kryerjes së atentateve të ndryshme, si dhe rolin dhe funksionin e çdo anëtari në këtë bandë. Pikërisht për këtë ndihmë fitoi statusin e të penduarit, ndërkohë që i kanë mbetur disa muaj burg, kërkon të përfitojë lirim me kusht nga gjykata.

Vranë vajzën, 40 vjet burg për çiftin Facaj

Vranë vajzën, sepse u largua pa dëshirën e tyre jashtë shtetit, kërkohen 40 vjet burg për prindërit vrasës. Prokuroria e Rrethit Shkodër kërkoi në seancën e djeshme 40 vite burg për çiftin e moshuar Brahim e Nurije Facaj, të cilët akuzohen për vrasjen e vajzës që i pandehuri kishte nga martesa e parë, Afërdita Facaj. Prokurorja Edlira Cufi u ka kërkuar togave të zeza dënimin me 25 vite burg për të atin e viktimës, Brahim Facaj, për akuzat “vrasje në rrethana cilësuese” dhe “fshehje të krimit”, si dhe 15 vite burg për Nurije Facajn, për akuzën “bashkëpunim në krim dhe fshehje të tij”. Vrasja e 22-vjeçares Afërdita Facaj mendohet se ka ndodhur në vitin 1996, por ajo është zbuluar më 9 mars të vitit 2007. Gjatë kësaj kohe familja e vajzës thoshte se viktima ishte në emigracion, ndërsa rriste djalin e saj që viktima e kishte nga martesa që kishte pasur në një fshat të Shkodrës. Skeleti i 22-vjeçares u gjend pas shtëpisë së vjetër të Brahim Facajt, brenda rrënojave të kalasë së Drishtit. Prej vitesh në atë shtëpi nuk ka jetuar njeri, pasi Brahimi me familjen e tij kishin ndërtuar një shtëpi tjetër rreth 200 metra larg së parës, në afërsi të një çezme. Pas shtëpisë së vjetër, rreth 10 metra më tej, policia ka gërmuar tek disa shkurre dhe vetëm në 20 cm thellësi është zbuluar skeleti i vajzës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›