E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli vendos sot për lirimin ose jo të ish-zyrtarit e Ministrisë së Jashtme



TIRANË - Almir Rrapo, ish-sekretar i ministrit të Jashtëm Ilir Meta, kërkon lirimin nga qelia pasi ka përfunduar afati 60-ditor i caktuar nga Gjykata e Apelit. Kërkesa për shuarjen e masës së sigurisë është bërë nga mbrojtësit e Rrapos dhe pritej të shqyrtohej dje. Por gjyqtari Artur Gaxhi i ka bërë me dije palët se i pandehuri Almir Rrapo nuk është njoftuar, pasi gjykata nuk kishte dijeni se në cilin paraburgim ndodhej. Për këtë shkak, vendimi për lirimin ose jo të Rrapos do të merret nesër nga gjykata. Në një kohë që ende nuk ka asnjë njoftim nëse ka mbërritur nga SHBA-të kërkesa për ekstradimin e Rrapos, këtij të fundit i ka përfunduar që dy ditë më parë afati i qëndrimit në burg i caktuar nga gjykata. Por, avokati mbrojtës i ish-zyrtarit të Ministrisë së Jashtme, Almir Rrapo, pretendon se klienti i tij po mbahet pa të drejtë në paraburgim, kur kjo masë sigurie ka përfunduar 24 orë më parë. "Seanca për rishikimin e masës ndaj Almir Rrapos po shtyhet pa asnjë motiv", - deklaroi avokati Ardian Visha.
Ish-sekretari i ministrit të Jashtëm Ilir Meta është arrestuar më 2 korrik të këtij viti brenda ambienteve të Ambasadës Amerikane në Tiranë teksa tentonte të merrte një vizë për të udhëtuar në drejtim të Shteteve të Bashkuara. Sipas aktpadisë prej 37 faqesh dorëzuar në Gjykatën Federale të Manhatanit nga prokurorët dhe oficerët e FBI-së, 27-vjeçari akuzohet se është anëtar i bandës së Krasniqit, një organizatë ndërkombëtare e krimit, e akuzuar për vrasje, rrëmbim, trafik të lëndëve narkotike dhe veprimtari të tjera të paligjshme në Shqipëri e SHBA. Rrapo, i njohur me nofkën "Miri", akuzohet dhe për rrëmbimin e një tjetër rivali në trafikun e drogës, ngjarje e ndodhur në vitin 2005.

2 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›