E Diel, 1 Nëntor 2026

Po shiste Cannabis sativa, arrestohet në flagrancë i riu



ELBASAN - Ka rënë në pranga një i ri, pasi po shiste një sasi prej 1.5 kilogramësh lëndë narkotike Cannabis sativa. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë se gjatë operacionit të koduar “Shtegtari i natës” është vënë në pranga Kreshnik Daci, 21 vjeç. “Në vijim të informacioneve të dhëna, që bëjnë fjalë për goditjen e trafikut të lëndëve narkotike si dhe të grupeve kriminale që ushtrojnë veprimtari kriminale, duke përdorur metodat speciale të hetimit nga ana e Seksionit të Luftës Kundër Narkotikeve, u finalizua me sukses operacioni i koduar "Shtegtari i natës”, thanë burimet zyrtare nga Policia e Elbasanit. Sipas tyre, në bazë të një informacioni të marrë në rrugë operative, rezultoi se në vendin e quajtur “Parku" te "Ura e Bakallit", Elbasan, Kreshnik Daci, lindur dhe banues në Elbasan, merrej me shpërndarje të lëndës narkotike. Në momentin kur policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, policia tha se ai po përgatitej të shiste një sasi lënde narkotike. 21-vjeçarit iu kap dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale sasia e lëndës narkotike, e cila, për nga karakteristikat e saj ngjason me atë të lëndës narkotike Cannabis sativa, me peshë 1.5 kilogramë.

2 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›