E Diel, 1 Nëntor 2026

Plumba mbi të riun lazaratas, mister autorët dhe shkaqet



GJIROKASTËR - Qëllohet me plumba ndaj një të riu nga Lazarati, por fatmirësisht pa dëmtime. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë, rreth orës 21:35, në Kordhocë, Gjirokastër. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se në Komisariatin e Policisë Gjirokastër është paraqitur një person nga fshati Lazarat me inicialet I. B., i cili ka denoncuar se në rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë, në vendin e quajtur Kordhocë, në një lavazh, është qëlluar me armë zjarri nga persona të paidentifikuar, të cilët lëviznin me një automjet me targa të huaja, nipi i tij me inicialet A. B., 18 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lazarat. Ai ishte me automjetin e tij tip “Volkswagen” me targa S 406 FKJ, i cili ndodhej pranë këtij lavazhi. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri i riu nuk ka pësuar lëndime. Pas marrjes së denoncimit, në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të policisë së Gjirokastrës si dhe grupi hetimor. Nga hetimet është arritur në përfundimin se në vendin e quajtur Kordhocë, në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë, në një lavazh, nga persona të paidentifikuar, të cilët po lëviznin me një mjet me targa të huaja, është qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit që drejtohej nga 18-vjeçari me inicialet A. B. Nga këqyrja e automjetit të bërë nga grupi hetimor rezultoi se në makinën tip “Volkswagen”, si pasojë e të shtënave ka marrë katër plumba pistolete. Burimet zyrtare thanë se fiksuan provat në vendngjarje dhe po mbledhin prova të tjera ligjore me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe vënien para drejtësisë të autorëve. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje janë angazhuar ekspertët më të mirë të policisë së Gjirokastrës së bashku me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Dosja me materiale i ka kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

2 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›