E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedi në familjen shqiptare në SHBA, burri vret gruan dhe veten



DETROIT - Vret gruan dhe më pas edhe veten. Ngjarja e rëndë, me protagonistë një familje shqiptare, ka ndodhur mbrëmjen e tri ditëve më parë në Uestland, Detroit. Policia lokale e London Taun ka bërë të ditur se është duke hetuar në lidhje me këtë ngjarje, vrasje, vetëvrasje. Siç është mësuar nga media amerikane, viktima janë Ermira dhe Lutfi Dashi, respektivisht 50 dhe 59 vjeç. Çifti shqiptar kishte dy fëmijë në moshë të rritur. Nga të dhënat e deritanishme të policisë lokale është bërë e ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e datës 30 gusht. Lufti Dashi, 59 vjeç, kishte shkuar në shtëpinë e tij dhe me një armë ka qëlluar mbi bashkëshorten dhe më pas e ka kthyer nga vetja duke u vetëvrarë me një plumb në kokë. Ngjarja ka lënë të çuditur fqinjët e viktimave, të cilët i njihnin si njerëz të qetë dhe të qeshur.
Ngjarja
Një krim i rëndë ka ndodhur brenda një familjeje shqiptare në SHBA. Burri ka vrarë me pistoletë bashkëshorten dhe pas pak kohe i ka dhënë fund dhe jetës së tij duke kryer vetëvrasje me të njëjtën armë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mesnatën e së hënës, rreth orës 01:30, në qytetin Uestland, 26 kilometra në perëndim të Detroitit, në SHBA. Sipas të dhënave të para të publikuara nga policia lokale mësohet se viktimë është 50-vjeçarja Ermira Dashi, e cila u ekzekutua me armë nga bashkëshorti i saj, Lutfi Dashi, 59 vjeç. Policia tha se burri e ka qëlluar gruan e tij disa herë para se të ketë kthyer armën kundër vetes. Lutfi Dashi u shpall i vdekur në vendngjarje, thotë policia. Ndërsa Ermira Dashi u dërgua në Spitalin Botsford, ku më vonë u deklarua e vdekur.
Dëshmitë
Një fqinjë e çiftit shqiptar, e cila kërkoi të identifikohet vetëm si "Marian", tha se çifti ishte shumë miqësor, kishin mbajtur marrëdhënie të mira me të gjithë dhe se deri tani nuk kishte parë ose dëgjuar mosmarrëveshje ndërmjet tyre. "Gjithmonë të qetë, të dashur dhe të respektuar. Unë kurrë nuk kam dëgjuar debat lidhur me marrëdhëniet familjare të këtij çifti", - tha ajo. "Marian" tha se ishte shumë e pazakonshme kur ajo filloi të dëgjojë britmat e një zënke që vinin nga shtëpia e çiftit ku ndodhi tragjedia. Nuk janë ende të qarta motivet e krimit, por të dhënat e para flasin për një gjendje depresive të bashkëshortit. Zëvendësshefi i policisë së qytetit, Greg Angelosanto, tha se "policia nuk ka asnjë dëshmi mbi motivin që e ka çuar burrin të vrasë më parë gruan dhe të bëjë vetëvrasje. Çifti nuk ka të regjistruar në polici asnjë raport në të shkuarën për incidente në familjen e tyre”, - tha ai. "Ata kishin shkuar në bodrum dhe burri kishte qëlluar disa herë mbi gruan e tij. Ngjarja kishte ndodhur në fund të shkallëve. Babai kishte qëlluar një herë veten në kokë", - tha zëvendësshefi i policisë së Uestland, Greg Angelosanto.

2 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›