Të moshuarit u vënë flakën plehrave, rrezikohet shkolla
GJIROKASTËR - Dy të moshuar janë vënë në pranga nga policia pasi akuzohet për zjarrvënie të qëllimshme, ku është rrezikuar të digjet dhe shkolla e Jorgucatit në Gjirokastër. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se dy ditë më parë, rreth orës 15:00, në sallën operative të Policisë Gjirokastër, ka ardhur një telefonatë se në fshatin Jorguacat të komunës Dropulli i Sipërm, në oborrin e shkollës 9-vjeçare ka rënë zjarr dhe rrezikohet shkolla të përfshihet nga flakët. Menjëherë në vendngjarje janë nisur forca të policisë, një grup hetimor dhe është njoftuar edhe reparti zjarrfikës. Me mbërritjen e tyre ka rezultuar se në oborrin e shkollës 9-vjeçare të fshatit Jorgucat, dy persona u kishin vënë zjarrin disa plehrave, por si pasojë e erës së fortë, zjarri është përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të madhe duke rrezikuar seriozisht shkollën. Është dashur ndërhyrja e forcave të policisë, të repartit zjarrfikës dhe e banorëve që zjarri të vihej nën kontroll dhe shkolla të mos përfshihej nga flakët. Nga ana e efektivëve të parandalimit dhe hetimit të krimit në Komisariatin e Gjirokastrës është bërë i mundur zbulimi i autorëve të vënies së zjarrit, të cilët janë arrestuar në flagrancë dhe konkretisht, Musa Ago, 61 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan (çoban në fshatin Jorgucat) dhe Halim Mahmutaj, 74 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Jorgucat. Arrestimi i tyre u bë për veprën penale “shkatërrim nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
2 Shtator 2010