E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakomeja, edhe kisha në sherr me shtetin

Autori i Lajmit: Laureta Roshi
Banorët e Nivicës festuan Pashkët në manastirin e Shën Mërisë (Kakome), aty ku telat e vendosur nga firma “Riviera” nuk konfigurojnë dot hapësirën e besimit.

Mesdita e së dielës i gjeti banorët e Nivicës në mjediset e manastirit të Shën Mërisë në Kakome. Prifti i fshatit, Aleksandri, drejtoi meshën në hyrje të kishës së manastirit duke uruar Pashkët dhe Paqen. Besimtarët ndoqën urimin e Hirësisë Anastas, urim i botuar edhe në faqen e gazetës fetare “Ringjallja”, në faqet e së cilës janë botuar foto nga manastiri nën komentin se kjo pronë e kishës është një betejë mes individëve dhe shtetit.
Prifti tregon se dikur vinte që fëmijë këtu dhe se gjithçka ka qenë pronë e Kishës, dhe në dokumentet e lëna nga sistemi komunist një pjesë e territorit rezulton pronë e Kishës.
Për zonjën Vasiliqi nuk është e lehtë të shohë vendet ku u rrit, punoi dhe lindi fëmijët, të rrethuar me tela dhe të vinte këtu në manastir përmes një postblloku.
Pasi për të kaluar tani përmes grykës së Brodanit në gji, duhet të kalosh një postbllok me mure të sapongritur betoni. Eshtë postblloku i firmës “Riviera”, i vendosur tre muaj më parë kur firma arriti të futet në gji me mjetet e saj..
Edhe zonja Fotina Mekshi tregon se besimi trashëgohet..
Manastiri i fortifikuar përbëhet nga konakët e banimit vendosur në dy qoshet e oborrit. Për kryetarin e Komunës, Vladimir Kumi, shkatërrimi i pjesshëm i Pyllit të Heremecit, hapja e rrugës tjetër pa leje në faqen piktoreske të gjirit, dëmtimi që po i bëhet natyrës dhe pasurisë që me ligj duhej të administrohej nga komuna, janë objekt i padive të hapura, ndërsa besojnë se një zgjidhje ligjore do t i thotë stop pushtimit të gjirit.
Në bankinën e betontë që futet në kaltërsinë e Jonit njerëzit ndjekin prift Aleksandrin, i cili këndon lutjet e shenjta dhe bekon jetën e banorëve.
Kryetari i komunës Lukovë, Vladimir Kumi, pohon se “Jemi këtu në manastirin e Shën Mërisë dhe lidhet me të gjithë historinë e kristianizmit. Ne jemi një popullsi kristiane që për mbi 2 mijë vjet nuk ka ndërruar as fe as besim, as ndjenja, dhe jemi ata që kemi qenë në vazhdimësi. Këtu ndihemi në vështirësi, vështirësi për gjithë popullin e Nivicës. Këto janë probleme midis nesh dhe qeverisjes së shtetit tonë dhe, për fat të keq, është një qeverisje që i kishte premtuar komunitetit tonë. Megjithatë, sot është një ditë e bekuar dhe ju uroj të gjithë besimtarëve Pashkët gëzuar..Edhe këtu në Kakome rizgjohet shpresa edhe për komunitetin niviciot.”
Rreth e qark sheshit qendror të gjirit, aty ku janë mbeturinat inerte të lokaleve të shembura nga “pushtuesit” thonë banorët, aty mbretëron heshtja. Dy-tri mjete pune, një skrap dhe tri figura njerëzish janë shenja se ajo firma është aty, bashkë me telat dhe kabinat blu, një model i dikurshëm i rojeve në kampet dhe burgjet.
Kabinat e vogla të rojeve janë vendosur përqark gjirit nga bregu deri në majën e malit dhe nga deti deri te postblloku i vendosur nga firma në hyrjen e Gjirit.
Odisea Dukshi, një banor i zonës, me pikëllim sheh pyllin e Heremecit ku fadromat e firmës “Riviera” kanë prerë e shkulur pemët e kanë hapur rreth e qark gjirit një fashë të errët dheu. Më sipër në thellësi të pyllit vijëzohet një rrugë e re e gërmuar nga firma.
Janë dhjetëra hektarë pyll i shkatërruar në emër të zhvillimit të turizmit, por ky nuk është problemi kryesor për banorët. Kryetari i komunës, Vladimir Kumi, pohon se janë bërë kallëzimet ndaj shkatërruesve, por problemi qendror është pushtimi nga firma me ndihmën e policisë.
“Këta hajdutë, do të perifrazoj Kryeministrin, edhe pse nuk mbajti premtimin e dhënë komunitetit tonë, këta s njohin principe dhe kufij, rrëmbejnë gjithçka dhe korruptojnë këdo“, - thotë dhimbshëm Vladimir Kumi.
Gjiri i Kakomesë ndodhet në verilindje të gadishullit të Qefalit, ka formën e shkronjës “U” me gjerësi rreth 300 metër dhe futet 800 metër në brendësi të tokës, ku bregu lindor i gjirit është i ulët dhe pasohet nga një plazh i bukur ranor, i formuar nga prurjet e ngurta. Vazhdimi i gjirit në tokë është një fushë 15 ha që vjen duke u ngushtuar e duke u lartësuar ngadalë. Brigjet dhe pyjet në faqet e gjirit janë një shumëllojshmëri bimësie dhe veçanërisht pyjet e Brodanit dhe Heremecit.
Në këtë gji ndodhet dhe manastiri i njohur, Manastiri i Kakomesë, i cili daton shek XIV, dhe përbëhet nga kisha, konakët dhe muri rrethues.
Afresket brenda kishës janë dëmtuar shumë gjatë kohës së diktatorit Hoxha, kur pas viteve 60 kisha u kthye në repart ushtarak dhe gjithë zona, në zonë kufitare për shkak të afërsisë së bregut me Korfuzin.
Prifti Aleksandër i Nivicës tregon se kisha e parë më e shën Dhimitrit ishte në fushën e plazhit aty ku sot besimtarët kanë ngritur një kryq të bardhë e ndezin qirinj. Për at Aleksandrin, manastiri e ka pësuar dëmin më shumë në këto kohëra. Ushtarët e Enverit shkatërruan afresket biblike, ndërsa sot moskthimi i pronës kishës dhe mbajtja e manastirit monument kulture, pa u kujdesur për të, e mban peng të rrezikut.
Një meshë pashkësh në manastirin e Kakomesë, i njohur si Manastiri i Shën Mërisë, në këtë ditë Pashke, për Spiro Halon, është një festë familjare. Ai ka ardhur me nënën, bashkëshorten dhe djalin të festojë dhe të ndezë qirinj duke u lutur për paqe dhe gëzim.
Në hyrje të manastirit grupi i niviciotëve ndjek lutjen e priftit dhe qetëson shikimin mbi muret e lashtë. Portrete të rriturish dhe fëmijësh të ngjashëm me njëri-tjetrin në mënyrën sesi vështrojnë manastirin e rrethuar me tela brenda rrethimit me postbllok nga firma “Riviera”. Për ta kjo lutje Pashkësh është dhe një lutje që të kenë mundësi sërish të kthehen aty ku nënat e tyre mbillnin patate e lindnin fëmijë duke punuar, aty ku defterët e turkut shënojnë pronësinë e banorëve mbi tokën, aty ku ligji 7501 ende nuk është zbatuar dhe aty ku edhe komunarët nuk mund të administrojnë territorin e komunës së tyre.
Konflikti me firmën “Riviera” prej vitesh ka qenë për banorët një përpjekje në gjykatat e vendit, ndërsa mjetet e firmës arritën të futen vetëm me ndihmën e forcave speciale të policisë të ardhura nga Tirana në një mëngjes dimri në janar.
Drejtuesi i firmës, Dritan Çela, është përballur me komunitetin vetëm përmes një TV lokal duke u folur atyre për zhvillim të turizmit të zonës dhe jo për vërtetësinë e kontratës që e ka marrë në vitet e qeverisë së kryeministrit Fatos Nano. Por banorët thonë me dhimbje se u mbeti të ankohen te “b.. e rrapit”, pasi edhe kryeministri aktual, Sali Berisha, u premtoi më 2005, se me të ardhur në pushtet do t ua kthente atyre, niviciotëve, pronën e grabitur. Por premtimet u harruan. Në tre muaj të protestës së banorëve në Grykën e Brodanit, ditë-net rreth zjarrit për të penguar mjetet e firmës të hynin në gji, ata e panë Kryeministrin të hynte dhe dilte në takime kombëtare e ndërkombëtare, por në asnjë takim ai nuk foli për ta. Për niviciotët e harruar në protestën paqësore në Grykën e Brodanit u sollën forca policore, mediat qendrore heshtën dhe ato që folën nuk informuan, por gënjyen duke shpifur se ishin deputetët ekstremistë grekë ata që shembën postbllokun e firmës “Riviera”.
Realistë në ngjarjen “Kakomeja” kanë qenë disa artikuj në median ndërkombëtare, raportet në Saranda Tv dhe një emision në Vizion Plus.
Ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango, nuk foli kurrë për mungesën e investimeve në manastirin e Kakomesë, por foli krejt ndryshe nga 2 vjet me parë, duke deklaruar se në këtë fshat turistik që do të ndërtohet nga Çelaj, pritet që të huajt të kalojnë fundjava fantastike në shtëpizat-hotel që pritet të ndërtohen në gji, pasi Kakomeja është një shembull i zhvillimit të turizmit”.
Zoti Çelaj ka deklaruar se prêt që me linjë ajrore të mbërrijnë këtu turistë nga Korfuzi, duke krijuar dhe mundësi punësimi për qindra njerëz. Por për banorët e Nivicës, rreth 400 shtëpi që mbipopullohen në verë kur emigrantët kthehen nga vendi fqinj, zhvillimin e turizmit familjar kanë mundësi ta kryejnë vetë, madje duke ruajtur bukurinë e natyrës dhe jo duke shpyllëzuar zonën.
Ky lajm është publikuar: 21/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›