E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncesioni i autostradës Thumanë-Rrogozhinë, në maj tenderi

Autori i Lajmit: red.
Tenderi për dhënien më koncesion të autostradës Thumanë-Rrogozhinë pritet të hapet në mesin e muajit maj. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit është në fazën përfundimtare të përgatitjes së dokumentacionit për zhvillimin e tenderit për ndërtimin me koncesion të autostradës Thumanë-Rrogozhinë, me një gjatësi prej 66 kilometrash. Burime zyrtare të ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit (MPPTT), thanë se firma kroate "Konstruktor-Inzenjering" d.d- Split, ka shprehur interesin për të marrë me konçesion ndërtimin e autostradës Thumanë-Rrogozhinë. "Firma kroate Konstruktor-Inzenjering d.d- Split ka shprehur vetë interesin për të marrë këtë rrugë me koncesion dhe MPPTT dhe ajo e Ekonomisë, e kanë mirëpritur kërkesën e tyre", thanë burimet. Sipas tyre, firma kroate ka përgatitur studimin e fizibilitetit, projekt-idenë, analizën financiare, studimin mjedisor, preventivin përkatës për zbatimin dhe shfrytëzimin, ndërsa një grup pune, i ngritur në MPPTT, ka shqyrtuar vërtetësinë dhe ligjshmërinë e gjithë dokumentacionit. Referuar studimit fillestar që ka sjellë kjo kompani, thanë burimet zyrtare të MPPTT-së, mendohet që ndërtimi i rrugës të kushtojë rreth 620 milionë euro. "Qeveria i ka dhënë 4 pikë nga 10 pikët e mundshme dhe aktualisht jemi në fazën e përgatitjes së dokumentacionit për të dalë më pas në tender", shtuan burimet zyrtare.

Ky lajm është publikuar: 21/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›