Diplomat, Gjonaj: Po ndryshimit të formatit, jo titullit
E gatshme për të bërë një hap pas është Ministria e Arsimit për sa i përket çështjes së diplomave. Në një intervistë dhënë për “standard”, zëvendësministrja e Arsimit, znj. Adriana Gjonaj, ka sqaruar se ministria mund të pranojë rikthimin e formatit të vjetër nëse kjo është ajo çka kërkojnë studentët. Ndërkohë është treguar kategorike mbi vendosjen në diplomë të togfjalëshit “i jepet titulli”, pasi është një mbetje e sistemit rus dhe nuk përdoret nga asnjë vend tjetër në botë.
Përse u modelua në këtë formë diploma?
Titujt e diplomave janë modeluar me rekomandimet e zonës evropiane të arsimit të lartë, me tituj studimi dhe jo me tituj profesionalë. Kjo është e sanksionuar tashmë edhe në ligjin për arsimin e lartë. Duke qenë se tashmë sistemi ynë arsimor është organizuar në cikle studimi, ku cikli i parë përfundohet me marrjen e 180 krediteve dhe cikli i dytë me 120 kredite, në përfundim të tyre, studenti merr diplomë të nivelit të parë, apo të dytë në fushën përkatëse. Ndërkohë, e sanksionuar po në lig, dhe e bazuar në rekomandimet e sistemit të Bolonjës, këto diploma do të jenë të shoqëruara me suplementin e diplomës dhe ky është dokumenti që tregon në mënyrë të qartë karrierën e studentit, jep informacion mbi kurrikulën, modelet e kryera, vlerësimet e marra nga studenti, jep informacion mbi njohuritë e marra dhe cilat janë synimet e punësimit, si edhe jep informacion mbi sistemin arsimor në përgjithësi. Një material i përgatitur në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, që i jepet studentit bashkë me diplomën. Kështu që nuk mbetet vetëm titulli dhe një listë e thatë notash që përcaktojnë se për se është diplomuar dhe për çfarë mund të punësohet, por është një informacion shumë më i thelluar, që tregon çfarë studenti ka mësuar, çfarë ka arritur dhe ato që mund të arrijë në punën e caktuar.
Pse është hequr titulli?
Të gjitha vërejtjet që na janë bërë nga këshilltarët e huaj për strategjinë e arsimit kishin të bënin me dhënien e titujve. Duke i dhënë titull dikujt, ne e kufizojmë atë që të përfundojë në një profesion. Por, studentët e gazetarisë për shembull, mund të bëhen nesër specialistë në marrëdhëniet me publikun dhe jo më gazetarë. Ndaj, nuk ka sens që diploma e tyre të përcaktojë profesionin, por duhet që suplementi i diplomës të përcaktojë fushat e studimit, në mënyrë që edhe pse ke mbaruar një fakultet, të mund të aplikosh për më shumë se një profesion. Asnjë universitet në botë nuk “jep tituj” përveç diplomave gjatë sistemit komunist, që së bashku me titullin jepnin edhe emërimin. Edhe vendet ish-komuniste, tashmë nuk japin “tituj”, por tregojnë se ku ka përfunduar studimet një individ.
Ankesa tjetër e studentëve është formati. Pse duhet të ishte në format A4, në atë format që tregu shqiptar është mësuar të shohë certifikatat? Pse nuk është mbajtur formati i vjetër, që punëdhënësi e dallon me sy të lirë, që nuk ka të bëjë me një certifikatë, por me një diplomë universitare?
Ministria e Arsimit, në bazë të detyrimit ligjor, ka përgatitur një udhëzim, në të cilin përcaktohen disa standarde të domosdoshme shtetërore, që duhet të përmbajë diploma. Meqë ju folët për formatin, në udhëzim thuhet “minimalisht në formatin A4”, por nuk pengohet askush që ta bëjë në format A3 nëse e quan më të vlefshme. Është e drejta e senateve universitare që të përcaktojë madhësinë, elementë të tjerë, që nuk përcaktohen në udhëzim, mënyrën e formulimit të shprehjeve dhe detaje të tjera. Ministria ka vendosur disa standarde. Udhëzimi përcakton që në diplomë duhet të jenë stemat e ministrisë dhe të universitetit, numri i matrikullës dhe amzës, që mundëson identifikimin e lehtë të studentit, emërtimin e institucioneve, emrin, atësinë, mbiemrin dhe datëlindjen e studentit dhe detaje të përgjithshme. Udhëzimi bën detyrues përmbajtjen e këtyre detajeve, por kjo nuk do të thotë që senatet akademike nuk mund të shtojnë detaje të tjera, nëse i konsiderojnë të rëndësishme. Shteti kërkon që diploma të ketë minimalisht këto elemente. Pjesa tjetër përcaktohet nga senatet akademike.
A mund të jenë si diplomat e mëparshme?
Nëse diplomat e mëparshme kanë pasur elementë, që quhen të vlefshëm, le të përfshihen nga senatet akademike, me përjashtim të titullit. Ne kërkojmë, që të përfshihen medoemos këto elemente, për të tjerat, vendos senati akademik.
Pse të mos i përmbaheshim atij formati të vjetër, të palosur, me karton, çka nuk do të krijonte konfuzion në tregun e punësimit? Me anë të këtij udhëzimi nuk mund të bëhet, sepse nuk është madhësi A4, është pak më i vogël...
Ai është një karton që gjysmën e zë fotografia e një njëzetvjeçari apo njëzetvjeçareje, që kur të bëhet 40 apo 50 vjeç mund të vihet në dyshim, pasi pamja fizike nuk do të jetë e njëjtë me atë të fotografisë. Në sugjerimet që ne bëmë, pamë shumë modele të shumë institucioneve evropiane dhe amerikane. Asnjë nuk është me kapak, të gjitha janë të hapura dhe ndaj ne sugjeruam të mos dalim nga kjo bashkësi e përpilimit të diplomave. Nëse një format A4, senatet akademike duan ta palosin, është e drejta e tyre. Por, universitetet janë të detyruara me ligj, që diplomën që ata do të përcaktojnë, përfshi standardet që kemi vendosur, ta shoqërojnë me suplementin e diplomës, që siç thashë janë informacioni i detajuar mbi studentin. Është një nga dokumentet më të rëndësishme për mobilitetin dhe punësimin e studentit, pasi tregohen të dhënat mbi fushat që ka studiuar dhe arritjet e tij.
Duket se studentët nuk po tërhiqen. Së bashku me studentët e gazetarisë, u bashkuan edhe drejtuesit e Këshillit Studentor të Universitetit të Tiranës, që deklaruan se prej ditës së mërkurë do të përhapen protestat. A është e gatshme Ministria e Arsimit të bëjë një hap pas dhe të kemi diploma të të njëjtit format dhe madhësi me diplomat e kaluara?
Ne themi të mos jetë më e vogël se A4. Nëse do duan ta kenë të veshur me këllëf, atëherë është e drejta e universiteteve, pasi nuk i shtyp Ministria e Arsimit diplomat. Ato shtypen nga vetë universitetet dhe janë po këto universitete që përcaktojnë modalitetet e përmbajtjes së diplomës. Unë nuk besoj se ministria është nisur me synim prepotent. Nëse kërkohet që diploma të jetë pak më e vogël se A4 dhe e palosur, atëherë ky problem mund të zgjidhet. Ne duam që disa elementë që vlejnë për studentët të jenë të përfshira. Unë mendoj se mund të pranojmë diçka të tillë, nëse ky është problemi real që shqetëson studentët.
Ndërsa për titullin nuk ka kompromis...
Nuk ka kompromis, sepse tashmë nuk është në dorë të ministrisë për ta vendosur. Është ligji i arsimit të lartë, që përcakton se diplomat jepen me tituj studimi dhe jo me tituj profesionalë. Por, edhe nëse do të propozohej mendimi i ligjit, nuk besoj se do ta mbështesnim, për arsyet që përmenda më parë.
Studentët mendojnë se diplomat nuk do të kenë peshë në treg. Sa të arsyeshëm e gjeni këtë argument?
Edhe punëmarrësit duhet të ndjekin aktet, sikurse edhe vetë institucionet e arsimit të lartë, në mënyrë që të bëhen të njohura diplomat dhe të dallohet barasvlershmëria e tyre. Universitetet duhet të bëjnë përpjekje për të informuar tregun e punës me këto diploma. Ne kemi bërë hapa që në muajin korrik, kur kemi informuar Departamentin e Administratës Publike, me diplomat e reja dhe vlerën që ato kanë. Ne si ministri po marrim masa që të sensibilizojmë edhe biznesin, duke e informuar atë mbi diplomat e reja.
Krah gazetarisë
Këshilli studentor: Bojkot mësimit të mërkurën në gjithë universitetin
Këshilli studentor ka paralajmëruar ditën e djeshme për bojkot të mësimit, nëse MASH nuk merr asnjë masë për korrigjimin e diplomës së tyre. Përfaqësues nga Fakulteti i Histori-Filologjisë, Ekonomikut dhe Drejtësisë, kanë zhvilluar një tjetër protestë përpara Ministrisë së Arsimit, duke i kërkuar zgjidhjen e çështjes së diplomës.
Ata sërish dje, studentë të gazetarisë dhe të departamenteve të tjera të UT-së, kanë protestuar para dyerve të MASH, duke i kërkuar asaj riformatimin e diplomës. Në mbështetje të protestës është shprehur edhe Ismail Hoxha, kryetar i Këshillit Studentor. Ai ka deklaruar se protesta e studentëve do të vazhdojë edhe përgjatë javës deri në arritjen e një konsensusi me MASH. “Protestat tona do të vazhdojnë derisa çështja e diplomës të gjejë zgjidhje”, – u shpreh Hoxha.
Madje, ai ftoi edhe studentë të fakulteteve të tjera që të bojkotojnë mësimin. Ndërkohë që studentët e gazetarisë prej ditës së premte kanë bojkotuar mësimin, duke e konsideruar si të papranueshëm modelin aktual të diplomës. “Jemi sërish këtu para Ministrisë së Arsimit, për t’i kujtuar asaj se nuk pranojmë këto diploma. Tashmë kemi dhënë versionin tonë. Në rast të mosplotësimit të kërkesës do të bojkotojmë mësimin dhe nuk pranojmë të bëjmë mësim deri në zgjidhjen e kësaj çështjeje”, - shprehen studentët e gazetarisë. Sipas tyre, modeli aktual i diplomës ka mangësi të mëdha, që nga mungesa e fakultetit dhe departamentit që e lëshon atë.