Apendiciti; Mungon Lulëzim Berisha, shtyhet sërish gjyqi
Operacioni i disa ditëve më parë nga apendiciti dhe përmirësimi ma hapa të ngadalta i gjendjes shëndetësore të Lulëzim Berishës bëri që sërish dje të dështojë procesi gjyqësor në ngarkim të tij dhe të pandehurve të tjerë të Bandës së Durrësit. Përmes një shkrese drejtuar togave të zeza, Lulëzim Berisha njoftoi mospjesëmarrjen në seancën e djeshme për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Ai iu nënshtrua disa ditë me parë një operacioni në apendicitit në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë dhe më pas u transferua në burgun e sigurisë së lartë 313 në Tiranë. Por, edhe pse gjendja shëndetësore e tij ka ardhur duke u përmirësuar, kjo nuk e ka lejuar të pandehurin Berisha të marrë pjesë në seancën gjyqësore të parashikuar për t'u zhvilluar ditën e sotme në ngarkim të ish-Bandës se Durrësit. Të pandehur në këtë proces janë 17 persona, të cilët akuzohen për një sërë episodesh kriminale, mes tyre edhe vrasje të bëra vite më parë në qytetin e Durrësit. Shumë prej të akuzuarve si anëtarë të kësaj bande janë arrestuar këto dy vitet e fundit në sajë të operacioneve të organizuara nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka realizuar hetimet për veprimtarinë kriminale të ish-Bandës së Durrësit.