E Diel, 1 Nëntor 2026

Ikën hetuesi i Gërdecit, ndryshime në policinë e Durrësit

Paraqitja në prokurori për të dytën herë e ish-ministrit Mediu është shoqëruar me lajmin se me daljen e tij nga institucioni i akuzës, ishin larguar nga detyra edhe shtatë hetues të çështjes. Por në të vërtetë nuk ka ndodhur kështu. Vendi bosh prej disa ditësh i zv.drejtorit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës mesa duket ka bërë që drejtuesit në Policinë e Shtetit të mendojnë për emrin e oficerit të Policisë Gjyqësore në Policinë e Shtetit që deri më dje, pjesëtar i grupit të hetuesve të ngjarjes së 15 marsit në Gërdec, Arben Frashëri. Dhe në të vërtetë, emërimi i tij në këtë post ka ardhur një ditë më parë, ndërsa emërime dhe ndryshime të tjera kanë pasuar në komisariate të ndryshme të vendit.

Një gjë e tillë është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko, ku përmes një deklarate për shtyp pas mesditës ka përgënjeshtruar informacionet, që sipas tij, “janë dashakeqe dhe të pavërteta të dhënat në media për largimin nga grupi hetimor i çështjes së “Gërdecit” të 7 oficerëve të policisë”. Branko ka sqaruar se nga ky grup hetimor është larguar vetëm Arben Frashëri, deri tani në pozicionin e oficerit të Policisë Gjyqësore në Policinë e Shtetit dhe është emëruar në detyrën e zëvendësdrejtorit të Policisë së Qarkut Durrës. Ndërsa të gjithë oficerët e tjerë të angazhuar në ndihmë të grupit të prokurorëve të çështjes “Gërdeci” janë në detyrë, përfshi këtu dhe drejtues të strukturave të hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Megjithatë, zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka deklaruar se në kuadër të përmirësimit të punës në strukturat e policisë vendore janë bërë dhe disa lëvizje. Kështu, Aleks Hajdari është komanduar drejtor i Policisë së Qarkut Elbasan, i cili deri më dje kryente detyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Durrës.

Ndryshimet kanë prekur edhe drejtorin e Policisë së Durrësit, Sokol Arapin, i cili është emëruar me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ndërsa në vend të tij është vënë Ilia Nasi, që deri më dje bënte pjesë në stafin drejtues të Akademisë së Policisë.

Ndryshimet vijojnë më tej me Fran Ricën, i cili është emëruar me detyrë zëvendësdrejtor i Policisë së Qarkut Dibër, ku deri më tani kryente detyrën e shefit të sektorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Po kështu, Hamza Bodlli emërohet në Akademinë e Policisë, ku deri tani mbante detyrën e zëvendësdrejtorit të policisë së qytetit bregdetar të Durrësit. Gjithashtu, emërohet në postin e shefit të komisariatit në Drejtorinë e Policisë së Durrësit Gjelosh Prendi, që deri më dje kryente funksionin e shefit të Komisariatit Policisë Elbasan. Ndërkohë që Vullnet Topalli është emëruar shef i komisariatit të Policisë në Sarandë, që deri më dje kryente detyrën në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Emri tjetër është ai i Viktor Agait, i cili është emëruar shef i komisariatit të policisë në Ballsh, dhe që deri më tani kryente detyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Sarandë.

Ndryshimet

Arben Frashëri, zv.drejtor i Policisë së Durrësit, më parë oficer i Policisë Gjyqësore në Policinë e Shtetit

Aleks Hajdari, drejtor i Policisë së Elbasanit, më parë shef i Komisariatit të Policisë Durrës

Ilia Nasi, drejtor i Policisë së Durrësit, më parë drejtues në Akademinë e Policisë

Sokol Arapi, shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, më parë drejtor i Policisë së Durrësit

Fran Rica, zv.drejtor i Policisë së Dibrës, më parë shef i sektorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë

Hamza Bodlli, drejtues në Akademinë e Policisë, më parë zv.drejtor i Policisë së Durrësit

Gjelosh Prendi, shef komisariati në Durrës, më parë shef komisariati në Elbasan

Vullnet Topalli, shef i Komisariatit të Policisë në Sarandë, më parë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë

Viktor Agai, shef i komisariatit të policisë në Ballsh, më parë shef komisariati në Sarandë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›