E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Rakipi: “PS e humbur vetëm nëse nuk hapen kutitë”

Autori i Lajmit: S. Topi
Ylli Rakipi, drejtor i gazetës “Albania”

Çfarë fitoi dhe çfarë humbi opozita me kthimin në Kuvend?
Opozita nuk ka hyrë pa kushte në Kuvend. Ajo i është përgjigjur rezolutës së Këshillit të Evropës duke shpresuar se do të fitojë pikë në sytë e ndërkombëtarëve, por është një proces që do të vazhdojë. Do të ketë një këmbëngulje më të madhe që të kërkojë dhe të realizojë objektivin më të madh të vetin, atë që e konsideron hapje e kutive. Unë nuk besoj se vendimi i Partisë Socialiste duhen matur në këtë mënyrë, humbje apo fitore. Çështja është te ajo çka ka kërkuar opozita dhe sa do të këmbëngulë ajo. Opozita do të humbasë, nëse nuk do të realizojë hapjen e kutive. Ky është një proces që do të vazhdojë. Nëse nuk realizohet misioni i saj për hapjen e kutive kjo do të jetë humbje.

Cili është opinioni juaj për një largim të dytë të PS-së nga salla e Parlamentit?
Unë besoj se nuk do të ishte veprim shumë i mirë i opozitës, të shkonte në Parlament, të linte targën e vet dhe të largohej. Ajo duhet të luftojë atje që të realizohet hapja e kutive dhe jo të largohet.
Beteja për hapjen e kutive a i ka eklipsuar problemet e përditshme të njerëzve në veçanti ato që lidhen me krizën ekonomike dhe problemet e qeverisjes?
Sigurisht, shumë, por kjo është demokracia shqiptare dhe nuk besoj se duhet të kërkojmë ndonjë gjë më të madhe nga klasa jonë politike. Nëse do të ishte ndryshe, Shqipëria do të ishte shumë hapa para dhe do të kishte realizuar shumë hapa më të rëndësishme jo vetëm për sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian, por edhe jetës ekonomike të vendit, e cila nuk do të kishte këto probleme që janë vënë re për 20 vite me radhë. Ka qenë, duket absurde, por do të thosha se ne kemi një klasë politike që ende nuk e pranon sistemin demokratik të vlerave. Të gjithë bërtasin për demokracinë, klasa jonë politike bërtet e para për demokracinë, por e para që nuk e pranon atë. Ne nuk jemi shumë larg vendeve të Amerikës Latine apo vendeve arabe për sa i përket këtij sistemi vlerash.
Megjithatë, edhe para hapjes së kutive, edhe para problemit që nxori opozita për zgjedhjet nuk është se kjo klasë politike është marrë seriozisht me problemet në vend. Ju jeni dëshmitar për kontributin që jep populli për mitingje politike, bërtitja nëpër tribuna, por asnjëherë nuk i kemi demonstruar për problemet ekonomike, si varfërinë, rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore apo energjisë. Ky është një popull që nuk ka asnjë ndjeshmëri për jetën e vet. Do të jetë proces i gjatë edukimi i popullit tonë drejt vlerave demokratike. Nëse klasa politike nuk e pranon këtë sistem, populli e ka edhe më të vështirë.

Ky lajm është publikuar: 26/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›