E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Yzeiri: “Rama fitoi betejën ndaj Berishës, Metës dhe Nanos”

Autori i Lajmit: S.T
Ilir Yzeiri, analist

Çfarë fitoi dhe çfarë humbi opozita me kthimin në Kuvend?
Në fakt, opozita as ka fituar dhe as ka humbur gjë, ajo thjesht është bërë më e fortë dhe më me peshë në jetën e vendit. Në sajë të kësaj opozite, më në fund, ne arritëm që të mos e legjitimojmë të paktën moralisht, një pushtet që doli nga kutitë e mbushura me vota të vjedhura dhe të trishtuara dhe ne të gjithë kuptuam se aleanca si ajo e Metës me Berishën nuk janë në të mirë të demokracisë dhe as të zhvillimit të vendit, ato janë thjesht pazare të ulëta që nuk mund dhe nuk do të prodhojnë sukses. Të gjitha këto ne i morëm vesh dhe i sendërgjuam nga qëndrimi dinjitoz i opozitës, e cila nuk u pajtua në asnjë çast me deformimin që ka pësuar demokracia shqiptare. Të mos harrojmë edhe një gjë: opozita përballoi uzurpimin që i ka bërë jetës politike, pushtetit dhe gjithçkaje të mbrapshtë, njeriu ose arkitekti i vjedhjes së votave në Shqipëri, Sali Berisha. Të mos harrojmë edhe një gjë tjetër: Në këtë betejë, opozita shqiptare dhe Edi Rama veçanërisht mposhtën treshen më të mbrapshtë të politikës shqiptare: Sali Berishën, Fatos Nanon dhe Ilir Metën. Sot këta të tre janë në anën e të humburve. Ky qëndrim i opozitës e qartësoi edhe më shoqërinë civile. Kini parë sesa e mjerë është ana e shtetit dhe e pushtetit. Figura të konsumuara dhe shumë pak, për të mos thënë asnjë njeri i lirë, nuk është në krahun e saj. Ndërsa në anën e opozitës janë anëtarët më dinjitozë të shoqërisë civile, është si të thuash ai pak shpirt i lirë që ka mbetur në këtë vend. Pikërisht këtë fitoi opozita. Ndërsa për të humbur, jo, nuk ka humbur asgjë.

Cili është opinioni juaj për një largim të dytë të PS-së nga salla e Parlamentit?
Më duket se vendimi për të hyrë në Parlament nuk është vendim për të legjitimuar Parlamentin me vota të vjedhura dhe me aleanca atipike, përkundrazi, hyrja në Parlament është vijimi i betejës për të zbardhur krimin elektoral në Shqipëri, sepse opozita do ti kërkojë shumicës që të miratojë një projektligj për hetimin e zgjedhjeve që përfshin hapjen e kutive. Të shohim se si do të reagojë pushteti i ndërtuar me vota të vjedhura. Opozita e ka shpallur programin e saj: Hetim të zgjedhjeve dhe mospërsëritje më kurrë të krimit elektoral. Si hap i parë ishte hyrja në Parlament dhe pas kësaj është e natyrshme që beteja të vazhdojë, nga salla që drejtohet me cinizëm dhe mediokritet prej Jozefina Topallit deri te sheshet e rrugët e Shqipërisë. Është e pafalshme për ne shqiptarët që kemi njëzet vjet që ngrysemi e gdhihemi me Sali Berishën. Ne nuk e meritojmë këtë fat.

Beteja për hapjen e kutive a i ka eklipsuar problemet e përditshme të njerëzve, në veçanti ato që lidhen me krizën ekonomike dhe problemet e qeverisjes?
Po, kjo është drama më e madhe. Vendi ka kohë që nuk qeveriset, po rrokulliset si një top balte drejt një grope, e cila, uroj, të mos jetë aq e madhe sa të na përpijë me gjithsej. I kini parë pamjet e fundit që transmetohen në media? Policë të ngujuar prej dhjetëra vjetësh, kryetar komune që i bën mbledhjet në ilegalitet, varfëri ekstreme dhe një rritje e frikshme e çmimeve. Përmbytje dhe një qeveri që flet përçart, që nuk ka lidhje me asnjë prej halleve që ka ky vend. Kryeministri ynë shkon në Itali, dëgjon marrëzitë e një kryeministri të papërgjegjshëm dhe në vend që të reagojë me elegancë, kthehet këtu dhe fyen një shkrimtare dhe gazetare të talentuar; i përmend asaj fëmijën. I njëjti njeri i shfytyruar moralisht, i njëjti personazh që vetëm shqiptar smund të jetë. Dhe krimi më i rëndë realizohet kur ai, kryeministri pra, u premton italianëve që Shqipëria mund të bëhet kosh plehrash i mbetjeve toksike e atomike. Kryetari i rajonit të Puljes, në lidhje me këtë nënshtrim të Kryeministrit tonë tha ato ditë se në Itali, që të nisësh të ndërtosh një central atomik, duhet të sjellësh me vete ushtrinë, sepse protestat mund të jenë të paimagjinueshme, ndërsa në Shqipëri... Energjia elektrike po rritet dhe do të vazhdojë të rritet akoma, sepse ne e shitëm OSSH-në për dy pare spec dhe kontrata është mbajtur e fshehtë. Aty thuhet se kompania mund ta rrisë çmimin për katër vjet rresht. Pra ky është vetëm fillimi. Shqiptarët do të përballen me rritje katastrofike çmimesh dhe varfëri totale. Atëherë kanë për ta kuptuar se Gërdeci nuk ishte asgjë. Vetëm përballë kësaj pasqyre gjithkush mund të kuptojë se aksioni i opozitës për të kundërshtuar këtë koalicion atipik është me rëndësi të jashtëzakonshme.

Ky lajm është publikuar: 26/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›