E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, plani i stimulimit rrit ekonominë, por jo optimizmin

Autori i Lajmit: redaksia

Uashington – Një analizë e re qeveritare thotë se plani amerikan i stimulimit të ekonomisë vendase i ka dhënë një impuls të ri ekonomisë, pasi ka arritur të financojë deri në 2.1 milionë vende pune brenda dhjetorit duke bërë që ekonomia të ecë me hapa më të shpejtë. Megjithatë, besimi i konsumatorit është tronditur, duke penguar dhe rimëkëmbjen e plotë të vendit. Me një ekonomi dhe shifra papunësie që po shtohen jashtë çdo parashikim të axhendës së presidentit Obama, si numri i vendeve të punës, ashtu dhe besimi i konsumatorit do të shndërrohen në çelësa prove, ndërsa republikanët dhe demokratët debatojnë për planin e stimulimit të vitit të shkuar dhe ku duhet të injektohen paratë. Zyra e Buxhetit të Kongresit bëri të ditur se plani i stimulimit prej 862 miliardë dollarësh, i miratuar një vit më parë, ishte shkaku pse shifrat e papunësisë kanë pësuar rënie me 0.5 deri 1.1 për qind, në tremujorin e fundit të vitit 2009 dhe shtoi se Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur nga 1.5 për qind deri në 3.8 për qind. "Politikat që vepruan në bazë të planit të stimulimit po rrisin PBB-në dhe papunësinë, ndryshe nga sa do të ndodhte nëse nuk do të ishte marrë një hap i tillë”, - thotë
Douglas Elmendorf, drejtori i Zyrës së Buxhetit të Kongresit. Edhe republikanët nga ana e tyre pranuan se plani i ndihmës ka ndikuar pozitivisht për qeverinë, por jo për krijimin e vendeve të reja të punës në sektorin privat. “E vërteta është se nëse ti punon në qeveri, do të kesh një rritje rroge të përfituar nga plani, por nëse je një punëtor prodhimi ose ndërtimi, ti nuk do të marrësh asgjë”, - tha republikani i Teksasit, Kevin Brady. Kontraktuesit e planit të stimulonit thonë se ata kanë krijuar deri në 600 mijë vende të reja pune direkt duke shpenzuar, por Zyra e Buxhetit të Kongresit përdor modelin ekonomik për të arritur në përfundimet e saj. Duke parë hapat, parashikohet që efektet e planit të stimulimit të arrijnë maksimumin e tyre (hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritje në Prodhimin e Brendshëm Bruto)) në tremujorin e ardhshëm, - thotë ZBK-ja. Por në të njëjtën kohë, besimi i konsumatorit tashmë ka nisur të bjerë, sipas Qendrës së Kërkimit “Conference Board Consumer”, një grup privat që merret me sondazhet e besimit të konsumatorit. Bordi në një sondazh të bërë publik ditën e martë, shënoi një rënie drastike të besimit nga janari në shkurt dhe tha se indeksi i “situatës aktuale”, i cili mat besimin në ekonomi, është në pikën më të ulët këto 27 vitet e fundit. Pritshmëria e indeksit, e cila mat optimizmin për të ardhmen e ekonomisë, ka pësuar gjithashtu rënie pas përmirësimit të tremujorit të fundit. “Konsumatorët mbeten gjithashtu shumë pesimistë për të ardhmen e të ardhurave të tyre. Ky kombinim i fitimeve dhe shqetësimeve për vendet e punës, ka shumë të ngjarë që të vazhdojë dhe të ulë shpenzimet”, - thotë Lynn Franko, drejtori i qendrës së kërkimit. Ai thotë se ulja e shpenzimeve mund të sjellë një spirale të rrezikshme. Një tjetër sondazh, i bërë së fundmi nga M Booth & Associates për bizneset e vogla, konstatoi se ato kompani që rezultojnë se përthithin më shumë punëtorë të rinj, nuk rezultojnë të përmbushin kërkesat e blerësve. Ndërkohë që më shumë se gjysma e bizneseve kanë deklaruar se ata kanë përfituar nga ulja e taksave, vetëm 11 për qind pranuan se ky lëshim ka sjellë punësim më të madh në kompanitë e tyre dhe 42 për qind thanë se mungesa e kërkesës së tregut po i dëmton shumë ata.

Ky lajm është publikuar: 26/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›