E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zef Preçi: “Fitorja e vetme e PS-së, forcimi i pozitave të Ramës”

Autori i Lajmit: S. Topi
Zef Preçi, analist

Çfarë fitoi dhe çfarë humbi opozita me kthimin në Kuvend?
Nëse flasim në planin politik, mendoj se “përfitimet” e vetme të bojkotit gjashtëmujor të Kuvendit nga ana e Grupi Parlamentar të PS-së, lidhen me forcimin dhe konsolidimin e pozitave personale të zotit Rama në drejtimin e kësaj force politike. Domethënë, tashmë pak kush ose askush në selinë rozë vazhdon të arsyetojë mbi ligjshmërinë apo paligjshmërinë e qenies së tij në krye të PS-së. Nga ana tjetër, rikthimi në Kuvend mbas dështimit për të bindur ndërkombëtarët, tingëllon, as më pak dhe as më shumë, si “vajtja në Canosa” e Henrikut IV të Gjermanisë njëmijë vjet më parë, me ndryshimin se “lutjet” dhe “pendesa” e grupit të PS zgjati 6 muaj (ndërsa sipas historisë, Henriku iu lut Papës Gregori VII, duke qëndruar i zbathur tre ditë e net në dëborë
në pritje të faljes nga ky i fundit..
). Në fakt, në shi e në dëborë dhe nën efektin shkatërrues të përmbytjeve, një pjesë e territorit të vendit po qëndron nën kushtet e vështira të motit dhe të krizës ekonomike që ka pllakosur vendin… Edhe “ndërkombëtarizimi” i pretenduar i problemit të hapjes së kutive, më shumë se një “ndërkombëtarizim” real është përdorur dhe po përdoret vend e pa vend për konsum mediatik të brendshëm. Natyrisht që kjo situatë nuk erdhi rastësisht dhe as për shkak të ndonjë komploti ndërkombëtar. Zoti Rama dhe mbështetësit e tij në kupolën rozë nuk ndoqën zërat e arsyeshëm të një numri politikanësh me përvojë në PS, të njohur si pjesëtarë të “Lëvizjes për Mendimin Ndryshe”, për të zhvilluar luftën e tyre politike në përbërje të Kuvendit, duke përmbushur kështu edhe detyrimet e tyre ligjore dhe kushtetuese. E vërteta është se si qëndrimi gjashtëmujor jashtë Kuvendit i Grupit Parlamentar të PS-së, ashtu edhe vendimi për hyrje-daljen e tyre, përsëri mbi bazën e të njëjtave argumente –kushtit të panegociueshëm të hapjes së kutive të votimit, tingëllon mjaft sforcuar. Ky lloj ping-pongu politik rrezikon të thellojë izolimin politik ndërkombëtar të kësaj force politike. Nga ana tjetër, kërcënimi me protesta popullore (një e drejtë e çdo opozite demokratike në çdo cep të globit), tingëllon më shumë si përpjekje për të mbajtur të gjallë “kauzën” e kutive, por që për shkak të distancës njëvjeçare deri në zgjedhjet e ardhshme administrative, vështirë se do të mund të gjejë mbështetjen e pritshme të elektoratit për diçka që ligjërisht është mbyllur, siç janë zgjedhjet e 28 Qershorit 2009. Në të njëjtën kohë, mendoj se nga hyrja në Kuvend e përfaqësuesve të PS-së, qoftë edhe përkohësisht, të fituar janë qytetarët shqiptarë që presin nga deputetët e opozitës të ndëshkojnë keqqeverisjen, korrupsionin si dhe të ngrenë zërin për problemet e mprehta të krizës ekonomike që po kalon vendi. Natyrisht, nëse dikush mendon se kriza do të penalizojë qeverinë e radhës, mendoj se kjo është e gabuar. Si rregull, kriza ekonomike më shumë se i pengon, i justifikon dështimet e politikave qeveritare, sidomos ato në drejtim të punësimit si dhe mban gjallë represionin fiskal, ndërsa të penalizuarit e vërtetë të saj janë familjet e varfra apo në prag të varfërisë. E këto të fundit janë “përtej së majtës dhe së djathtës”, domethënë rritja e varfërisë nën ndikimin e krizës nuk shton votat në “koshin elektoral të askujt”…
Sidoqoftë, përpjekjet radikalizuese të Ramës për mbajtjen e politikës (përfaqësimin e PS-së në Kuvend) jashtë institucioneve, përveç tensionimit mediatik të pritshëm, nuk mund të mos ndikojnë negativisht edhe në klimën e biznesit, në mosplotësimin e kuadrit ligjor të pritshëm për gjykatën administrative, amnistinë fiskale, etj., në frenimin e investimeve të huaja direkte, etj. Nga ana tjetër, çfarëdo përpjekje për të shkaktuar një krizë politike në mënyrë artificiale dhe pa përdorur ato instrumente që parashikon(te) Kushtetuta e vendit (mocionet, etj), më shumë se kudo ndikon negativisht te elektorati i majtë, i cili tashmë nuk e ka të vështirë të dallojë se ku mbaron interesi publik dhe ku fillon ai personal për një individ apo për një ekip të tërë përfaqësuesish politik që, fatkeqësisht, nuk po arrijnë të përfaqësojnë zgjedhësit e tyre në institucionin e Kuvendit të Shqipërisë.
Cili është opinioni juaj për një largim të dytë të PS-së nga salla e Parlamentit?
Nuk mendoj se ka vend që të komentohet gjatë. Një largim i dytë i paralajmëruar nga deklarata e mbyllur dhe publikimet për zhvillimet në mbledhjen e para dy ditëve të Grupit Parlamentar të PS-së dëshmon mungesë vizioni të lidershipit të kësaj partie, si dhe e nxjerr jashtë debatit politik një Grup Parlamentar mjaft të madh (ndoshta është grupi më i madh opozitar në raport me shumicën në vendet demokratike të botës). Kjo nuk do të lejojë as të shfaqet vizioni i PS-së për reformat dhe problemet që po kalon vendi, por as të formohen individualitete politike të pritshme (për shkak të përbërjes së re ekstrapartiake të 2/3 të tyre). Domethënë nuk do të lejojë që të njohë populli përfaqësuesit e vet, e kështu edhe të ndërtohet besimi reciprok midis tyre dhe zgjedhësve që ju besuan mandatin. Nuk po flas për ndikimin që mungesa e prezencës së deputetëve të PS-së do të ketë mbi “dy iniciativat ligjore”, që ata kanë vendosur të propozojnë përpara mazhorancës me qëllim “mospërsëritjen e mungesës së transparencës në zgjedhjet e ardhshme”. Domethënë nuk do të ketë kush “tu bjerë mbrapa” dhe të finalizojë këto nisma nga ana procedurale korrekte, por që të marrin jetë duhet të “filtrohen” në rrugë kushtetuese (për të justifikuar shkakun e nisjes së tyre). Braktisja e tyre dhe përdorimi deklarativ nuk ndihmon as në ndërtimin e një axhende reformash që për sa u takon zgjedhjeve, duhet të ketë në themel tërësinë e rekomandimeve të përcaktuara në raportet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e vitit të kaluar. Çfarëdo vonese dhe mospjesëmarrjeje e PS-së në Kuvendin e Shqipërisë rrezikon edhe këtë element të rëndësishëm dhe vë në dyshim përgjegjshmërinë dhe seriozitetin e përfaqësuesve të saj në korrigjimin (me të drejtë) të shkeljeve ligjore dhe të problemeve që u konstatuan gjatë atyre zgjedhjeve. Kjo vlen edhe për fatin se brenda 12 muajve të ardhshëm vendi do të mbajë zgjedhjet administrative dhe një numër amendimesh ligjore do të kontribuonin realisht për një proces normal zgjedhor. Por duke dalë përsëri nga Kuvendi, Rama do të ketë mundësi të ruajë (jo pa vështirësi) edhe kontrollin formal mbi grupin parlamentar, indvidualiteti dhe fuqia e të bërit opozitë e këtij grupi do të kufizohet në kuadrin e konferencave të shtypit në kopshtin e pasmë të PS-së dhe të përpjekjeve për protesta.
Në fund të fundit, debatet (pa praninë e masmedias) në mbledhjen e parë të Grupit Parlamentar të PS-së që i paraprinë hyrje-daljes formale në Kuvendin e Shqipërisë paralajmërojnë debate, kriza të reja të brendshme, në themel të të cilave është vetë kriza e thellë e përfaqësimit që solli kompozimi klientelist i atij grupi përfaqësuesish politik dhe qenia e Ramës në krye të PS-së edhe mbas humbjes së zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009. Më e pakta që mund të thuhet është se mjaftoi ky hap tërësisht procedural që mundësoi regjistrimin në bordero për marrjen e rrogës të 64 vetëve (ndokush mund të thotë se ky ka qenë “objektivi madhor, kombëtar” i qëndrimit të PS gjashtë muaj jashtë Kuvendit), për të tronditur jo pak besueshmërinë e deputetëve ndaj “vijës politike” dhe qëndrimeve kundërthënëse të liderit të PS-së, e kështu ajo nuk mund të jetë më si më parë.
Beteja për hapjen e kutive a i ka eklipsuar problemet e përditshme të njerëzve, në veçanti ato që lidhen me krizën ekonomike dhe problemet e qeverisjes?

Nuk ka diskutim që debati inflacionist për hapjen e kutive ka mënjanuar problematikën që lidhet me modelin ekonomik të vendit në rrugën e integrimit evropian, çështjet e mprehta të qeverisjes, etj., por mendoj se pikërisht këtu është edhe “hileja” që “nxjerr të fituar” të dyja palët njëkohësisht. Kështu, duke qëndruar opozita jashtë Kuvendit, në krye të protestave të pritshme, mbi qeverinë ushtrohet një presion politik në rritje, por që nuk lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e qeverisjes, me ndërmarrjen e reformave që afrojnë vendin me Evropën, me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj. Në këtë rrugë, njëkohësisht bëhen përpjekje për të mbajtur të shtrënguara radhët e “popullit opozitar”, por që nuk e ka të lehtë të kuptojë kakofoninë dhe mungesën e lidhjes së tezave frymëzuese të lidershipit të PS-së që nga njëra anë duke kërkuar “rritjen e transparencës po lufton “për të bërë shtet” dhe instrumenti që ka zgjedhur për këtë është qëndrimi “jashtë institucioneve”, madje edhe pa pasur si qëllim të sajin “marrjen e pushtetit” (?!).

Ky lajm është publikuar: 26/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›