Aplikimi në BE, Berisha në Francë me ftesë të Sarkozy
Pak orë para se të udhëtojë drejt Pragës për të dorëzuar kërkesën e Shqipërisë për aplikimin si vend kandidat për në BE, Kryeministri Sali Berisha është ftuar në Francë nga Presidenti Nicola Sarkozy. Kjo vizitë do të realizohet me datën 24 prill, ndërkohë që takimi me Presidentin e Republikës Franceze është planifikuar pasditen e kësaj date, pikërisht në orën 17:30 në pallatin “Elysee”. Berisha pritet të marrë mbështetjen e Francës për aplikimin e vendit kandidat për në BE, pasi vizita e Kryeministrit shqiptar atje i paraprin asaj në Pragë. Burime pranë Kryeministrit Berisha bëjnë të ditur se përgjatë vizitës njëditore në Francë, Kryeministri i Shqipërisë do të ketë dhe një takim me ministrin e Punëve të Jashtme Berndand Kushner. Axhenda e Kryeministrit Berisha do të vijojë më pas me një takim të zgjeruar me biznesin më të madh të Francës. Aty Kryeministri shqiptar do të jetë i ftuar nderi nga ku do të mbajë dhe një fjalim, përmes të cilit pritet të bëjë të ditura reformat ekonomike në vend si dhe të ftojë biznesin francez për të investuar në Shqipëri. Aktualisht, Kryeministri Berisha ndodhet për një vizitë 5-ditore në shtetin kinez, e cila do të mbyllet mëngjesin e datës 22 prill. Por axhenda e Berishës do të jetë dhe më e ngjeshur në ditët e fundit të këtij muaji, pasi vetëm dy ditë më pas ai do të niset drejt Francës dhe me datën 28 prill do të jetë në Pragë, ku dhe do t’i dorëzojë kryesueses së radhës së BE-së kërkesën zyrtare të Shqipërisë për vendin kandidat në Bashkimin Evropian.