E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Karta falas”, PS bën ultimatum, Meta kërkon tryezë



Kartat e identitetit shpërndahen çdo ditë në njësitë bashkiake, ku njerëzit shkojnë aplikojnë për të marrë këtë dokument të rëndësishëm, që do t’u duhet për punët e tyre, por më së pari do ta përdorin në zgjedhjet e qershorit. Ndërkohë, opozita vazhdon të këmbëngulë që ky dokument të jepet falas, duke bërë fushatë elektorale në kurriz të një procedure normale, ku shteti u siguron qytetarëve dokumente identifikimi të një standardi të lartë në këmbim të një çmimi minimal. Edhe pse qeveria ka subvencionuar tashmë me vendim të posaçëm shtresat në nevojë, Partia Socialiste vazhdon të këmbëngulë që të jepen falas për të gjithë. Kjo parti i ka vënë dje ultimatum qeverisë që t’i japë brenda kësaj jave, duke parashikuar në të kundërt vendim ekstrem të kësaj partie, për të mos hyrë në zgjedhje. Ndërsa LSI është treguar më e moderuar, duke kërkuar tryezë politike, kërkesë që Presidenti i Republikës i ka kthyer tashmë përgjigje negative. Duke kërkuar karta falas për gjithë ata që s’kanë pasaportë, Islami tha se “ky akt duhet të hyjë në fuqi jo më vonë se fundi i kësaj jave, sepse pranimi i heqjes së kësaj takse kur nuk do të kishte më kohë fizike për të kryer aplikimet do të ishte veprimi hileqar i radhës, për të mashtruar kryesisht partnerët ndërkombëtarë dhe për të arritur të njëjtin synim, por këtë radhë duke përdorur mungesën e kohës”. Ndërkohë Meta ka dalë dje në konferencë për shtyp për këtë çështje, duke kërkuar që “brenda kësaj jave të gjitha forcat politike parlamentare të ulen dhe me mirëkuptim dhe me përgjegjësi të plotë për zgjedhjet, që i takojnë të gjithë shqiptarëve dhe jo thjesht partive politike, të arrijnë me konsensus për disa standarde, duke zgjedhur në radhë të parë edhe çështjen e kartave të identitetit”. Sipas tij, “një takim i tillë mund të realizonte që, me konsensus, të gjitha ato shtresa për arsye të varfërisë, duhet ta marrin kartën falas”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›