E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksa, Bumçi: Rama, grabitësi i 10 milionë dollarëve



Demokratët përmes zëdhënësit të grupit parlamentar, Aldo Bumçi, kritikuan dje kryebashkiakun Edi Rama se ka mashtruar investitorët me taksën e vendosur për planin rregullues të kryeqytetit. Sipas z. Bumçi, taksa në periudhën 2002-2008 ka arritur vlerën e 10 milionë dollarëve, e mjaftueshme për të hartuar tetë plane rregullues. "Z. Rama u ka vjelë ndërtuesve të Tiranës taksën 1 për qind të investimit në funksion të studimeve urbanistike. Kjo taksë për një periudhë 2002-2008 arrin vlerën 10 milionë dollarë. Shumë kjo e mjaftueshme për të hartuar tetë plane rregullues”, - tha Bumçi. Deputeti i PD-së shtoi se ashtu si me taksën e rrugës Durrës-Kukës, që qeveria socialiste i mblodhi shqiptarëve mbi 250 milionë dollarë, po nuk shtroi asnjë metër rruge, socialisti i ri, Rama, i ka vjelë qytetarëve të Tiranës 10 milionë dollarë pa hartuar planin rregullues të qytetit. Bumçi vuri në dukje se kioskat provizore që u hoqën për një muaj, nuk janë më aty, po pallatet e Tiranës nuk hiqen më dhe hapësirat e zëna prej tyre nuk lirohen dot më.

PD, Xhaferri: Rama gllabëroi paratë e qytetarëve

PD-ja i kundërpërgjigjes Edi Ramës, se asgjë nuk do e ndalë hetimin parlamentar ndaj tij për gllabërimin që u ka bërë parave të qytetarëve të Tiranës. Sipas deputetit demokrat, Ferdinand Xhaferri, askush dhe asgjë nuk do të frenojë hetimin e Edi Ramës për 19 lejet e mbledhjes së fundit të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Tiranës. Ai shprehu dje vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund komisionit hetimor për kryesocialistin, hetim ky në përputhje të plotë me Kushtetutën. “Askush nuk mund të dalë mbi Kuvendi e Shqipërisë dhe askush nuk mund të ndalojë Kuvendin e Shqipërisë, për të ushtruar pushtetin e tij që buron nga vullneti i qytetarëve. Pra Kuvendi i Shqipërisë, në zbatim të pushtetit të vet sovran, do të hetojë si është zbatuar ligji për urbanistikën nga Edi Rama. Edi Rama, në konflikt interesi, në mënyrë monopoliste dhe klienteliste ka gllabëruar paratë e qytetarëve të Tiranës dhe nuk ka shpëtim. Kuvendi i Shqipërisë do të hetojë Edi Ramën”, - tha deputeti Xhaferri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›