E rrallë, Berisha ngjit 1500 shkallët e Murit Kinez
Është parë nga afër prej miliona vizitorëve të mbarë botës, por rekordin e ngjitjes së pikës më të lartë të Murit Kinez dje e theu Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Ai sfidoi 400 kryeministra dhe presidentë të botës, të cilët nuk mundën të lartësohen as në gjysmën e shkallëve të Murit Kinez. I veshur gjysmë sportiv, i ndjekur deri në majë nga një truprojë, me një fizik të admirueshëm për moshën 64-vjeçare, momentin final e shoqëroi e buzëqeshura që nga lartësia prej 1500 shkallëve. Z. Berisha ngjiti më shumë shkallë se çdo kryeministër tjetër i botës dhe për këtë “rekord”, autoritetet lokale i dorëzuan shefit të qeverisë shqiptare një certifikatë për ngjitjen në pikën më të lartë të murit. Madje menjëherë në zbritje, nuk ngurroi të pohonte për gazetarët se kjo ngjitje është sa kulturore, aq dhe elektorale, gjithnjë e këndshme, që të lodh, por të lartëson. Në ditën e tretë të qëndrimit në Kinë, Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, vizitoi Murin e madh Kinez në Badaling, pjesa më strategjike e murit mijëravjeçar, të ndërtuar për të mbrojtur Kinën nga sulmet e jashtme. Berisha ngjiti mbi 1500 shkallët që të çojnë në njërën nga majat e këtij segmenti, ku iu akordua nga autoritetet lokale një certifikatë si Kryeministri që është ngjitur në pikën më të lartë të murit. Duke iu përgjigjur interesimit të medias, Kryeministri Berisha u shpreh: "Lodhja nuk ndihet kur ngjitesh në një nga monumentet më madhështore të historisë së njerëzimit". "Ngjitja është gjithnjë e këndshme, të lodh, por të lartëson. Kjo është merita e ngjitjes. Miku im kinez më thotë se është ngjitja më e lartë në mur se çdo kryeministër tjetër që ka vizituar murin. Iu përgjigja se kjo ngjitje është sa kulturore, aq edhe elektorale, ndaj dhe e bëj me shumë kënaqësi. Le ta quajmë këtë pra edhe një komponent kulturor-elektoral të udhëtimit tim. Pjesa tjetër, është pjesa zyrtare", - u shpreh Kryeministri Berisha. Pjesa e murit në Badaling, e mbiquajtur edhe "çelësi i portës veriore të Pekinit", është pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s që nga viti 1987. Më shumë së 400 kryeministra dhe presidentë të vendeve të ndryshme të botës e kanë vizituar këtë mur në Badaling, i cili konsiderohet si një simbol paqeje dhe miqësie midis popullit kinez dhe popujve të tjerë të botës.
Shqipëria i ofron Kinës zonë të lirë ekonomike
Qeveria shqiptare është e gatshme t’i ofrojë biznesit kinez një zonë të lirë ekonomike për të investuar në Shqipëri, e cila ka një pozicion gjeografik kyç në Ballkan dhe Evropë. Këtë siguri i dha dje në Pekin Kryeministri Sali Berisha Presidentit të Republikës Popullore të Kinës, z. Hu Jintao. Gjatë takimit dypalësh, teksa u ndal në investimet në vend, Kryeministri Berisha vuri në dukje se Shqipëria është një vend i vogël, por që ofron potenciale shumë të mëdha për biznesin kinez. Kryeministri Berisha e njohu Presidentin e Kinës me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për zhvillimin e vendit, duke theksuar se janë bërë përparime të mëdha në fushën ekonomike, ku vetëm në periudhën dhjetor 2008 - janar 2009, janë nënshkruar 3.5 miliardë dollarë kontrata në fushën e energjisë dhe fusha të tjera. Duke iu referuar vizitës së tij në Shenzhen, në parkun industrial të teknologjisë së lartë, Kryeministri shprehu kënaqësinë që dy nga kompanitë më të mëdha të këtij parku, Huaway dhe ZTE, kanë zgjedhur të bëjnë Shqipërinë qendër të investimeve të tyre në rajon. Sipas tij, “çdo kompani kineze që ka dëshirë të investojë në Shqipëri, do të këtë mbështetjen dhe lehtësitë më të mëdha nga qeveria shqiptare”, - theksoi Kryeministri Berisha, duke shtuar se qeveria i ka ofruar dhe do t’i ofrojë biznesit kinez troje me një euro për të zhvilluar aktivitetin e tij ekonomik dhe do të vazhdojë të krijojë çdo lehtësi për ta kthyer investimin e tyre në histori suksesi. Kryeministri tha se Shqipëria e konsideron Kinën një faktor paqeje dhe stabiliteti në botë. “Si mik i Kinës, - nënvizoi Kryeministri, - unë kam konsideratën më të lartë për suksesin që Kina ka arritur këta tridhjetë vjet. Askush nuk ka qenë më i suksesshëm në nxjerrjen nga varfëria të qindra miliona njerëzve si qeveria kineze, në këto tri dekada”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Nga ana e tij, Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, z. Hu Jintao, vlerësoi se vizita e Kryeministrit Berisha do të shërbejë si një shtysë e mëtejshme për zhvillimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve midis Kinës dhe Shqipërisë, si dy vende me një miqësi tradicionale 60-vjeçare. Presidenti i Kinës theksoi se marrëdhëniet dypalëshe, gjatë qeverisjes së kryesuar nga zoti Berisha, në katër vitet e fundit kanë marrë një hov të ri. Ai vlerësoi se drejtimi i Kryeministrit Berisha ka ndikuar shumë pozitivisht që këto marrëdhënie të forcohen në interesin më të mirë të të dyja palëve. Në këtë takim, Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin e Republikës Popullore të Kinës, z. Hu Jintao, për një vizitë në Shqipëri, duke theksuar se ai do të gjejë mikpritjen dhe ngrohtësinë e një populli mik si populli shqiptar. Presidenti i Kinës, Jintao, pranoi me kënaqësi ftesën dhe premtoi se do ta vizitonte shumë shpejt Shqipërinë.
“Kinezët dhe shqiptarët ndihmuan njëri-tjetrin”
Kryeministri Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri i Republikës Popullore të Kinës, Hui Liangyu, vunë dje në dukje se dy popujt, kinez dhe ai shqiptar, në periudha të vështira historike ndihmuan njëri-tjetrin. Gjatë takimit dypalësh, Berisha vuri në dukje se Shqipëria dhe Kina kanë lidhje miqësore tradicionale prej 60 vitesh dhe qeveria shqiptare e çmon shumë miqësinë e popullit kinez. Ai nënvizoi faktin që në kohë të vështira, populli kinez e ka ndihmuar shumë kombin shqiptar dhe i shprehu popullit kinez mirënjohjen më të thellë për ndihmën e dhënë. Kurse z. Hui Liangyu u shpreh i impresionuar nga zhvillimi i Shqipërisë dhe nga ndjenjat miqësore që ushqen populli shqiptar ndaj Kinës. Ai vuri në dukje mirënjohjen e popullit kinez për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Kinës që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia Komuniste Kineze morën përsipër dhe realizuan ndryshime të mëdha epokale në vendet e tyre. Duke vlerësuar zhvillimin e madh të Kinës, Kryeministri tha se asnjë vend në historinë e njerëzimit nuk ka arritur të nxjerrë nga varfëria qindra miliona njerëz, si Kina, pas përqafimit të doktrinës së DHP. Kjo përbën një fitore të madhe për Kinën, por edhe për gjithë njerëzimin. Kryeministri tha se ndihej krenar që vizitonte Kinën në jubileun e 60-vjetorit të marrëdhënieve midis vendeve tona. Shqipëria e sheh Kinën si faktor stabiliteti dhe paqeje në botë.