E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, akuza të reja për korrupsion ndaj Ramës



Në prag të hetimit parlamentar, demokratët denoncuan dje të tjera afera korruptive të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Tashmë mbi z. Rama rëndon dhe akuza e abuzimit me 19 leje ndërtimi dhe këto të marra në mënyrë të paligjshme vetëm brenda 3 ditëve. Njëherësh dhe abuzimi me taksën e gjelbërimit. Sipas zëdhënëses së PD-së, Erla Mëhilli, kryetari i bashkisë së kryeqytetit dhe kreu i PS-së, Edi Rama, po përpiqet të mbulojë me deklarata trilluese rekordin e vjedhjeve dhe korrupsionit që ka vendosur në historinë e Shqipërisë. Në gjykimin e demokratëve, Rama po tenton të mbulojë këtë akt të paprecedentë, si dhe vjedhjen e papërmbajtur të taksave të 4-fishuara të gjelbërimit dhe pastrimit në Tiranë. Në këtë mënyrë, zëdhënësja e PD-së reagoi dje ndaj deklaratës së nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, i cili kërkoi dokumente shtesë lidhur me procedurat e tenderit për dhënien e licencës për operatorin e katërt të telefonisë celulare në vend. Mëhilli deklaroi: “Edi Rama, vetëm 3 ditë më parë zhvati për vete 19 leje ndërtimi, nga 28 të miratuara në KRRT-në e Tiranës dhe nxori sot para mediave Erion Braçen, me qëllimin për të mbuluar këtë akt të paprecedentë, si dhe vjedhjen e papërmbajtur të taksave të 4-fishuara të gjelbërimit dhe pastrimit në Tiranë”. Për sa i përket deklarimeve të Braçes se PD-ja nuk ka mbajtur premtimet, zëdhënësja e PD-së kujtoi se "anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, përfundimi i ratifikimit të MSA-së, dyfishimi i rrogave dhe pensioneve, si dhe dyfishimi i buxhetit për arsimin, por edhe përfundimi i mijërave kilometrave rrugë janë disa nga dëshmitë e premtimeve të mbajtura të kësaj mazhorance, që tmerrojnë e lënë pa gjumë prej muajsh opozitën". Kuvendi i Shqipërisë pritet të hetojë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Ramën, për afera korruptive. 40 deputetë të mazhorancës depozituan në Kuvend pak ditë më parë firmat për komisionin e dytë hetimor për kryebashkiakun e Tiranës. Do të jetë konferenca e kryetarëve për të përcaktuar datën kur do të nisë nga puna komisioni “Rama 2”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›