Patozi: Qeveria investoi edhe në skajet e Shqipërisë
Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, vuri dje në dukje se qeverisja e PD-së në katër vjet solli ndryshimin në çdo qytet e komunë të vendit, sado larg gjeografikisht. Para banorëve të komunës Market, në rrethin e Sarandës, Patozi pohoi se “brenda një kohe të shkurtër kemi realizuar të gjitha premtimet tona e madje në disa raste i kemi tejkaluar ato. Patozi theksoi se flasim për ndryshimin dhe ndryshimi që ne themi, nuk është slogan, është realitet të cilin e prekni çdo ditë, si në familjet tuaja, ashtu dhe në shtëpitë ku banoni”. Nënkryetari demokrat bëri një përmbledhje të asaj çka është arritur në përgjithësi që nga viti 2005: dyfishimi i pensioneve në fshat (që nga maji i këtij viti nuk do të ketë më pension nën 100 dollarë), rritja me rreth 70% e pensioneve në qytet, dyfishimi i pagave të infermiereve dhe arsimtarëve, ulja e taksave dhe lufta kundër krimit të organizuar. “Janë asgjësuar mbi 200 grupe të strukturuara kriminale dhe janë vënë para drejtësisë mbi 900 persona të inkriminuar. E në prag të kësaj fushate elektorale, ndërkohë që PD-ja pret e qetë zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, në kampin kundërshtar ka rënë zija”, - u shpreh Patozi. “Përballë, - shtoi ai, - kemi një opozitë të përfaqësuar vetëm nga një zë e një figurë, Edi Rama, personi që flet sikur nuk ka qenë në Shqipëri përgjatë 18 viteve të fundit, sikur nuk ka qenë ai, që siç e nisi karrierën politike, me skandale, gjatë kohës kur ishte ministër Kulture, e vazhdon sërish me skandale me lejet e ndërtimit dhe lidhje të ngushta me elementë të krimit të organizuar, të cilat kërkon t’i përdorë gjatë fushatës”.