E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat, Nishani: Opozita, përpjekje për dekurajimin e qytetarëve



Përpjekja e opozitës për të dekurajuar qytetarët, që të refuzojnë kartat e identitetit, është një nga vështirësitë që qeveria po has aktualisht në këtë proces. Ministri i Punëve të Brendshme, Bujar Nishani, bën publike për “standard” tri argumente bindëse se pse e majta e kryesuar nga Edi Rama po synon të baltosë këtë proces të rëndësishëm që ka ndërmarrë qeveria “Berisha”. Një nga arsyet kryesore, sipas tij, është se ajo kërkon të gjejë alibinë me sa duket për kontestimin e rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme.

Z. Nishani vë në dukje se çmimi i përcaktuar nga qeveria për kartat nuk po e pengon ecurinë normale të tij. Ministri i Brendshëm pohon një tjetër vështirësi teknike në terren, siç është luhatja e tensionit elektrik. Bëhet fjalë për mbingarkesa në momente piku të linjës së internetit, por që z. Nishani thotë se janë tërësisht të izoluara dhe lehtësisht të riparueshme dhe që nuk ndikojnë aspak procesin. Bujar Nishani shpjegon dhe skemën e rimbursimit të qytetarëve dhe sanksionet për ata që nuk aplikojnë. Sanksionet do të hyjnë në fuqi fill pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Nishani tregon arsyet e ndalimit të procesit të pajisjes me letërnjoftimet elektronike të shtetasve që kanë pasaporta. Ministri flet dhe për një moment tjetër të rëndësishëm, siç është ai i pasaportave biometrike, i cili lidhet drejtpërdrejt me lëvizjen pa viza në hapësirën “Shengen” edhe të shqiptarëve. Ai ka besimin se shumë shpejt shqiptarët do të lëvizin pa viza drejt vendeve “Shengen”.

Intervistoi: Valentina Madani

Z. ministër, duket se procesi i pajisjes së qytetarëve me kartat e identitetit nuk po ecën me ritmet e duhura. Realisht, cila është ecuria e tij?

Procesi po ecën krejt normalisht dhe po arrin shfrytëzimin maksimal të kapacitetit. Tashmë zyrat e aplikimit janë hapur në të gjitha zyrat e parashikuara në kontratë dhe po punojmë për të shtuar edhe stacione të tjera shtesë aplikimi. Deri më datën 17 prill kanë aplikuar në shkallë vendi më shumë se 555 000 qytetarë dhe është arritur kapaciteti maksimal i aplikimit në ditë prej 15 522 aplikimesh. Janë më shumë se 400 000 letërnjoftime të prodhuara dhe të shpërndara në zyrat e gjendjes civile në të gjithë vendin.

Ju vetë, si titullar i Ministrisë së Brendshme, jeni pajisur me kartën e identitetit apo pasaportën biometrike? Kam përshtypjen se trembeni nga radhët e gjata në sportel. Kështu është faktikisht?

Unë, personalisht, nuk kam aplikuar, pasi kam respektuar vendimin e qeverisë për t’u lënë vendin qytetarëve që nuk kanë një pasaportë që të aplikojnë më së pari. Sa për radhët e gjata, ju siguroj se askund nuk ka pasur radhë të tilla, megjithëse është një proces i cili filloi nga zeroja, por që është një proces, i cili merr vetëm 5 minuta për çdo aplikim.

Mund të na i përmendni vështirësitë aktuale që po has ky proces?

Problemi i parë është tentativa e opozitës për të dekurajuar qytetarët që të aplikojnë si dhe mosprononcimi publik i lidershipit të Partisë Socialiste për qytetarët që të shkojnë të aplikojnë. Natyrisht që ky proces ka edhe vështirësi teknike në terren, siç mund të jetë luhatja e tensionit elektrik. Mbingarkesa në momente piku e linjës së internetit, por që janë tërësisht të izoluara dhe lehtësisht të riparueshme dhe që nuk ndikojnë aspak procesin.

Që nga nisja e pajisjes me këto karta, qeveria ka ndryshuar disa herë çmimin e tyre. Pse? A mendoni se ndryshimi i çmimit e ndërlikoi edhe më tepër procesin?

Së pari, ju konfirmoj se të gjitha vendimet e qeverisë janë marrë me qëllimin e vetëm të krijimit të lehtësirave maksimale për qytetarët. Nuk mendoj se ka shkak për komplikim për arsye se qeveria i ka të gjitha instrumentet administrative për të realizuar skemën e mbështetjes financiare për qytetarët.

Po ashtu është hequr dorë dhe nga vendimi për të mos aplikuar personat që kanë pasaporta. Mirëpo, unë kam rastin tim konkret që pas një radhe të gjatë, arrita të marr kuponin, por pak orë më pas qeveria nxori vendimin se kategori si e imja, përjashtohen nga pajisja me kartë identiteti. Më thoni, ç’duhet të bëj me kuponin…?

Kuponi juaj është i vlefshëm për të aplikuar sapo ta përfundojnë aplikimin personat që nuk kanë pasaportë. Vetëm ruajeni të mos ju humbasë se do t’ju duhet të blini pastaj një tjetër.

Pse opozita këmbëngul për dhënien falas të kartave të identitetit? Qeveria ka arsye të forta që e refuzon një kërkesë të tillë?

Qëndrimi i opozitës është një qëndrim tërësisht politik, i cili, së pari, kërkon të baltosë një nga projektet e tjera të rëndësishme të qeverisë “Berisha”. Së dyti, opozita kërkon të gjejë alibinë me sa duket për kontestimin e rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme. Dhe së treti, besoj se po tenton të shkëpusë debatin real politik, pasi i mungojnë tërësisht alternativat e tij përballë një praktike qeverisjeje të suksesshme të mazhorancës aktuale.

Përsa i takon qëndrimit të qeverisë ai konsiston në respektimin e standardeve të një shteti normal dhe ligjor.

Konkretisht, cila është skema e qeverisë? Kush i merr falas dhe si do të bëhet kompensimi?

Kategoritë më vulnerabël ndaj varfërisë, siç janë persona paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të verbrit, të dënuarit që vuajnë këtë dënim në burgje dhe ata që janë në paraburgim, komuniteti rom dhe ai egjiptian, si dhe ata që votojnë për herë të parë do t’i marrin falas. Pensionistët me pensione minimale në qytet dhe pensionistët e fshatit, studentët, pjesëtarët e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, do t’i marrin me vetëm 200 (dyqind) lekë.

Edhe procedura e realizimit të tyre tashmë është përcaktuar ku do të angazhohen kryetarët e bashkive dhe komunave, administrata e universiteteve dhe të gjitha entet shtetërore që përfshihen në marrëdhënien e pagesave për qytetarët.

Mosmarrja e kartës së identitetit shoqërohet me sanksione. Pse ky detyrim për ata që nuk duan një kartë identiteti? Kur hyn në fuqi sanksionimi i refuzuesve?

Nuk do të ketë sanksione deri në ditën e zgjedhjeve, pasi ne e kemi ndaluar procesin e aplikimit për ata që kanë pasaporta. Kështu që sanksionet do të aplikohen pas zgjedhjeve. Për të sqaruar, këto nuk janë thjesht sanksione për të detyruar marrjen e kartës. Sanksionet lidhen me faktin se për të marrë një shërbim publik apo dhe privat, qoftë çdokush, duhet të identifikohet së pari. Kështu që i vetmi dokument zyrtar që vërteton identitetin e çdo qytetari është letërnjoftimi elektronik. Mospasja e tij të privon nga marrja e këtyre shërbimeve.

Është kohë e pakët, koha e mbetur për të mbyllur pa probleme procesin e pajisjes së shqiptarëve me kartën e identitetit?

Absolutisht tërësisht e mjaftueshme. Deri më tash ne kemi më shumë se 250 000 qytetarë pa pasaporta që kanë aplikuar, nga një grup prej 700 000 qytetarësh që janë gjithsej pa pasaportë. Ne sot kemi mbi 15 000 aplikime në ditë. Nëse llogarisim kohën e mbetur deri në mesin e muajit qershor, kur mund të jetë dhe koha e fundit për të aplikuar që janë 60 ditë, mund të aplikojnë edhe 900 000 qytetarë të tjerë.

Cila është siguria juaj se me përmbylljen e këtij procesi shqiptarët do të mund të realizojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme?

Ky proces është një nga standardet shumë më të arrira nga kjo qeveri që lidhet me infrastrukturën zgjedhore. Me lejoni t’ju rikujtoj se tashmë ne kemi një Regjistër Elektronik të Shtetasve Shqiptarë, i cili zëvendësoi librat e grisur dhe plot gabime që ne gjetën në zyrat e gjendjes civile. Edhe për këtë projekt u akuzuam pafundësisht nga opozita se nuk do ta realizonim. Por ja që nga tetori i 2008-s ky regjistër funksionon elektronikisht dhe ofron shërbim online. Ne për të parën herë kemi shpallur listat paraprake të zgjedhësve 4 muaj përpara zgjedhjeve dhe çdo shtetas ka të përcaktuar adresën e qendrës së votimit në këto lista.

Çdo të ndodhë nëse një pjesë e votuesve nuk do të mund të marrë dokumentin e identitetit?

Do të mbetet pa marrë dokumentin e identitetit vetëm ai person që nuk do ta marrë këtë dokument dhe askush tjetër. Ne edhe në votime nuk i detyrojmë shtetasit tanë të marrin pjesë.

A rrezikon kjo shtyrjen e zgjedhjeve të reja parlamentare të qershorit?

Nuk ka asnjë arsye të ndodhë një gjë e tillë.

Po përsa u përket pasaportave biometrike, ç’po bëhet në këtë drejtim?

Procesi i aplikimit për pasaportat ka filluar në Tiranë dhe më datën 22 prill fillon shpërndarja e tyre. Ky është një moment tjetër i rëndësishëm pasi lidhet drejtpërdrejt me lëvizjen pa viza në hapësirën “Shengen” edhe të shqiptarëve.

Duket se ndryshe nga kartat e identitetit, njerëzit janë më pak të angazhuar për të marrë dhe pasaportën biometrike. Kanë të bëjnë procedurat e marrjes apo çmimi i lartë i këtyre pasaportave?

Nuk besoj se ka më pak angazhim. Por ne, duke qenë të përqendruar totalisht tek letërnjoftimet për shkak të zgjedhjeve, e kemi nisur procesin për pasaportat vetëm në Tiranë. Po ashtu fokusimi tek pajisja me letërnjoftim të atyre pa pasaportë ka penguar një aplikim masiv për pasaportat. Gjithsesi, ky është një proces që nuk mund të ndalet më.

Cilat janë afatet e përcaktuara nga qeveria përsa u përket pasaportave biometrike dhe cila është rëndësia e tyre?

Afati që ka përcaktuar qeveria, ka të bëjë me vlefshmërinë e pasaportave aktuale. Pas 1 janarit të vitit 2011 do të jenë në qarkullim vetëm pasaportat biometrike. Por duke qenë se ne shumë shpejt do të mund të përfitojmë lëvizjen pa viza për ata që kanë pasaportën biometrike, gjykoj se procesi i zëvendësimit do të jetë më i shpejtë.

Cila është lidhja mes aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për në BE, të cilën duket se Kryeministri Berisha do ta konkretizojë me datën 28 prill në Pragë dhe pajisjes së shtetasve shqiptarë me dokumentin e ri të identifikimit? A janë kushtëzuese për njëra-tjetrën këto dy momente të rëndësishme?

Aplikimi për statusin e vendit kandidat nuk ka asnjë lidhje me dokumentet e identitetit. Ajo ka të bëjë me plotësimin e standardeve dhe reformave të ndërmarra. Këto standarde dhe reforma janë tërësisht të arrira dhe të vlerësuara nga ratifikimi i MSA-së nga të 27 parlamentet e vendeve të BE-së. Është kjo drita jeshile për Shqipërinë e dhënë nga qeveritë e 27 vendeve të BE-së.

E rëndësishme është data e aplikimit apo arritja e standardeve?

Data e aplikimit është konkluzioni i një rruge të gjatë dhe pune të madhe në arritjen e standardeve.

Cili është angazhimi konkret i Ministrisë së Brendshme në përmbushjen e kushteve të vëna nga BE-ja përsa i përket çështjes së liberalizimit të vizave?

Lufta kundër krimit të organizuar, kontrolli dhe menaxhimi i integruar i kufijve, politikat dhe procedurat e standardeve evropiane për azilin, regjistri kombëtar i shtetasve si dhe pajisja me dokumente biometrike janë arritjet dhe kriteret kryesore që do të na çojnë tek liberalizimi i vizave.

Sa e afërt është dita kur shqiptarët do të mund të hyjnë pa viza në vendet “Shengen?

Jam i sigurt se brenda vitit të parë të mandatit të dytë të qeverisë “Berisha” shqiptarët do të udhëtojnë pa viza në hapësirën “Shengen”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›