E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit letër qeverisë dhe opozitës: “Ja problemet që na shqetësojnë ne”



I nderuar zoti Sali Berisha
I nderuar zoti Edi Rama

Zhvillimet në vendin tonë detyrimisht janë të lidhura dhe me ato të krizës së ekonomisë botërore, veç kësaj jemi në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare dhe natyrisht po hyjmë dhe në një fazë të re të zhvillimeve në vend. Në këto kushte ne vlerësojmë se zgjidhjet politike marrin një rëndësi të veçantë dhe ato do duhet ti shohim në programet tuaja qeverisëse që do i ofroni popullit dhe biznesit për katër vitet e ardhshme. Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, si përfaqësuese e një grupimi ekonomik të rëndësishëm në vend, kërkon që në programet e zhvillimit ekonomik të vendit të trajtohen dhe propozimet e saj për sektorin e ndërtimit. E gjithë kjo në interes të rritjes së ekonomisë, të punësimit, forcimit të biznesit dhe përfitimit me të madh publik. Kërkesat tona kanë të bëjnë me: Partneritetin e Administratës Publike me Grupet e Interesit si mjet efektiv i zhvillimit racional të ekonomisë në vend. SHNSH-ja ka objektiv dhe kërkon të jetë një partnere serioze e përfaqësimit të biznesit të ndërtimit në raport me administratën publike dhe në mënyrë të veçantë me Qeverinë. Bashkëpunimi në partneritet është marrje informacioni nga njësitë ekonomike, testim i zbatimit të programeve politike, njohje reale e tregut të punës, ndërgjegjësim i biznesit për detyrimet e tij, transparencë dhe bazë programimi në planet qeverisëse.

Marrëdhënia me administratën

Në këto vite bashkëpunimi midis administratës publike dhe biznesit si grup interesi nuk ka funksionuar sa dhe si duhet. Ky bashkëpunim duhet të jetë parësor. Ai duhet të zhvillohet që në njësinë fillestare administrative, e cila fillon punën për hartimin e aktit ligjor, e deri në komisionet parlamentare. Pas 18 vitesh eksperiencë, shoqëritë e ndërtimit janë të qarta, se i ka ikur koha informalitetit dhe se bashkëpunimi me administratën publike është i domosdoshëm. Në këtë bashkëpunim shikohen dhe lindin prioritetet, programimet dhe detyrimet përkatëse të biznesit. Por po në ketë bashkëpunim, administrata publike do ketë detyrimin për punë të përgjegjshme, do ketë detyrimin që të japë zgjidhjet në kohë dhe mbi të gjitha, nuk do mund të zbatojë arbitraritetin, një nga profilet më të dukshme të saj në këto vite. A ka kuptim që Ministritë dhe Bashkitë të jenë bunkerë ku aksesi është i pamundur. Në e konsiderojmë të prapambetur sjelljen e titullarëve të cilët as me biznesin e organizuar nuk gjejnë kohë për takim, për diskutimin e problemeve për të cilat duhet të funksionojë ajo administratë. Pa kuptim është dhe argumenti i mbledhjeve “jo të hapura” të KRRT-ve, ku përfaqësuesit e biznesit nuk mund të marrin pjesë. Ndërtuesit kanë rezerva edhe për bashkëpunimin me hipotekat, të cilat duhet të jenë banka të ruajtjes së vlerave të pasurive të paluajtshme. Nëpunësit e hipotekës janë të papërgjegjshëm për bllokimin arbitrar që mund ti bëjë një investimi, duke mos e lejuar të hyjë në treg. Ndërtuesit shumë herë i kërkohen dokumente dhe vihet në pozicionin e fajtorit për veprime proceduriale të cilat janë ose kanë qenë përgjegjësi e vetë administratës së hipotekave.

Rishikimi i legjislacionit ekzistues

Një pjesë e akteve ligjore duhet të rishikohen për të mos pasur mospërputhje midis ligjit, vendimeve, rregulloreve apo udhëzimeve. Kështu përmendim miratimin e manualit të analizave dhe çmimeve në ndërtim. Sipas tij parashikohet që të gjitha detyrimet tatimore për objekte publike ose private, të realizuara nga shoqëritë ndërtimore, do të llogariten mbi bazën e çmimeve dhe analizave të miratuara nga ministria. Po kështu me Vendimin 285 të Këshillit Ministrave është përcaktuar niveli i pagave referuese për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe tatimit mbi pagat. Ka ligje dhe procedura, si ato të prokurimit publik të cilat duhen rishikuar. Vlerësimi i ofertave duhet të bëhet mbi bazën e çmimeve të bazuara në analizën mbi kushtet teknike dhe jo vetëm mbi çmimin më të ulët. Nuk duhet më, që në praktikat e investimeve publike të kryhen punime të përsëritura në të njëjtin objekt, si rrjedhojë e punimeve me cilësi të dobët nga fitimi i tenderit me vlerën më të ulët. Po kështu nuk ka pse të ketë praktika që shoqëritë e ndërtimit detyrohen nga shteti të paguajnë tatim fitimin dhe për sipërfaqet e përfituara nga pronaret e truallit. Kemi kërkuar vazhdimisht të ndryshohet Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr.42 datë 16.01.2008 për licencimin e shoqërive të ndërtimit. Zbatimi i këtij vendimi nga MPPTT-ja ka krijuar një konfuzion të madh. Aktualisht janë rreth 1000 shoqëri të pa licencuara dhe që sipas vendimit duhet të licencohen me kategoritë minimale. Nuk e kuptojmë se si për vlerësimin e kategorizimit të një shoqërie duhet të merret vetëm puna e bëre në katër vitet e fundit. Ka shoqëri që operojnë prej 15 vitesh dhe sot duhet të vlerësohen me “A” vetëm se nuk kanë pasur volumin e duhur në këto katër vite, ashtu siç ka shoqëri të krijuara në këto vitet e fundit dhe që janë furnizuar me punë dhe sot kategorizohen me kategoritë më të larta. Kohët e fundit është futur për miratim projektligji i ri për planifikimin hapsinor. Ky ligj sado që është propaganduar se do vendosë rregull në territor, do ketë efektivitet të dyshimtë mbasi ai kërkon ndryshim strukturash, fut formulime të reja dhe jo shumë organike për shoqërinë tonë dhe nuk ngjason me ligje të tilla të aplikuara në rajon.

Me konsideratë
Bordi Drejtues i SHNSH

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›