E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy fytyrat e shtetit, Laguna e Karavastasë, Xhuveli pajton koncesionar, Bode e quan të konfiskuar

Zyra e Ministrisë së Financave bën tender për ruajtjen e pronës së konfiskuar. Drejtori i Peshkimit deklaron se Laguna është dhënë me koncesion në 2007-n

Habjon Hasani

Tiranë - Agjencia e Administrimit të Pasurive të Paluajtshme (departament i Ministrisë së Financave) shpalli dje në regjistrin e prokurimeve tenderin për ruajtjen me policë privatë të Lagunës së Karavastasë. Ajo që bën çudi është fakti se kjo lagunë është dhënë me koncesion për 10 vite nga Ministria e Mjedisit, ndërsa nga ana tjetër, Ministria e Financave e konsideron ende një pronë të konfiskuar(!). “Autoriteti kontraktor: Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara kërkon të zhvillojë llojin e procedurës se prokurimit: kërkesë për propozim me mjete elektronike. Objekti i prokurimit (n.q.s. ka lote i ndarë sipas loteve), është ruajtja e pasurisë ‘Laguna e Karavastasë sh.p.k.’, në administrim të AAPSK, në Divjakë, Lushnjë, me shërbim roje 24-orësh të armatosur, 1 vendroje. Fondi limit (n.q.s. ka lote i ndarë sipas loteve): 1 milion e 900 mijë lekë pa TVSH”, përcaktonte njoftimi i Agjencisë së Pasurive të Konfiskuara, por një tjetër version vjen nga Ministria e Mjedisit, ku drejtori i Peshkimit ka deklaruar fare pak kohë më parë një tjetër status për të njëjtën pronë.
Drejtori
Roland Kristo është drejtori i Peshkimit në Ministrinë e Mjedisit dhe ai ka deklaruar jo më larg se një muaj më parë se kjo lagunë është dhënë me koncesion me afat 10-vjeçar. Madje drejtori ka pranuar se nuk ka pasur kurrfarë gare dhe kjo lagunë i është dhënë ofertuesit më të parë. Ndonëse bëhet fjalë për një pronë dhe pasuri që prodhon miliona lekë në muaj, Ministria e dha pa garë, madje skandali u thellua kur në media u zbulua se përfituesi i lagunës ishte pikërisht një anëtar i Kryesisë së Partisë Agrare. Kryetari i kësaj partie, zoti Lufter Xhuveli, është ndërkohë ministër i Mjedisit(!). “Licenca për shfrytëzimin e Lagunës së Karavastasë i është dhënë në muajin korrik të vitit 2007 një subjekti privat, që ka paraqitur kërkesën pranë Ministrisë sonë. Pas heqjes së licencës të subjektit të mëparshëm, laguna për gati një vit mbeti jashtë çdo lloj kontrolli, duke pësuar një dëmtim nga të gjitha llojet e aktiviteteve. Gjatë kësaj kohe nuk afrohej askush për t’u pajisur me licencë për të shfrytëzuar këtë lagunë. Në muajin qershor të vitit 2007, një subjekt bëri kërkesë për të ushtruar aktivitet në këtë zonë dhe ne për të parën kërkesë që u paraqit, e miratuam menjëherë licencën. Firma quhet ‘J & T’ dhe drejtohet nga Jonuz Kasa nga qyteti i Durrësit. Është një subjekt që nga ana e kontrolleve që kemi bërë ka rezultuar brenda të gjitha rregullave. Subjekti ka bërë investime për të mirëmbajtur lagunën, sepse mirëmbajtja është një prej problemeve kryesore të saj”, - ka deklaruar pak kohë më parë drejtori i Peshkimit.
Laguna
Ndonëse është dhënë pa asnjë lloj gare apo konkurrimi, laguna është lënë për një afat relativisht të gjatë prej 10 vitesh. Afati për firmën koncesionare është caktuar në mënyrë empirike, pa asnjë lloj studimi apo plani biznesi që do të mund të krahasonte leverdinë e shtetit në rastin e zhvillimit të një gare mes konkurrentëve. Këtë gjë, në fakt, e ka pohuar dhe drejtori i peshkimit pak kohë më parë. “Pra, është një marrëveshje në interes të të dyja palëve. Si të gjitha lagunat shqiptare, edhe ajo e Karavastasë ka probleme me bllokimin dhe furnizimin me ujë të ëmbël, ndaj dhe është shumë e rëndësishme që kjo lagunë të shfrytëzohet dhe të mbahen të hapura grykat që e furnizojnë atë me ujë. Firma e ka marrë për shfrytëzim këtë lagunë për 10 vjet dhe në një plan biznesi që ka paraqitur në Ministri, më kryesorja është mirëmbajtja e lagunës, si hapja e grykave dhe e kanaleve të furnizimit të ujit të ëmbël”, - ka deklaruar për mediat Roland Kristo në lidhje me këtë çështje.

Laguna u konfiskua në 2007-n, si pronë e Aldo Bares

Pasuritë e Aldo Bares i kaluan në vitin 2007 përfundimisht shtetit shqiptar. Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të pranonte si të ligjshme kërkesën e Prokurorisë për sekuestrimin e pasurisë që figuron në emër të Aldo Bares dhe të afërmeve të tij. Togat e zeza të Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të provave të sjella nga pala mbrojtëse, vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë për sekuestrimin e pasurisë së Aldo Bares. Sipas vendimit të togave të zeza, sekuestrohen të gjitha pasuritë e identifikuara në emër të personave të tretë, të cilët kanë lidhje miqësore apo gjaku me personin në hetim Aldo Bare. Sipas vendimit të gjykatës, u sekuestruan: shoqëria "Laguna Karavasta" sh.p.k, me një sipërfaqe toke prej 11.792 m2 në Divjakë, Lushnjë, së bashku me 1216 m2, ndërtesa dhe pajisjet brenda ndërtesave, së bashku me barkat e peshkimit, rrjetat dhe dajlanët. Konkretisht, sipas vendimit, e gjithë kjo pasuri kaloi në administrimin e Zyrës së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave. Gjithashtu, janë sekuestruar 540 m2 truall; 4900 m2 truall + ndërtese 400 m2; 540 m2 truall+ ndërtesë 36 m 2, 1456 m2 truall+ ndërtesë 166 m2 dhe 36 m2 si dhe sipërfaqja prej 470 m 2, e ndodhur në lagjen “Çlirimi”, Lushnjë. Të gjitha seancat janë zhvilluar në mungesë të Bares, pasi ai ndodhej i arrestuar në Turqi dhe nuk ka marrë njoftim për gjyqin që zhvillohej te Krimet e Rënda. Në këtë mënyrë ai nuk pati mundësi të caktonte një avokat që do ta mbronte në mungesë, duke bërë që gjykata të shqyrtonte kërkesën e organit të akuzës pa pasur përfaqësues të mbrojtjes të pajisur me prokurë nga Bare. Ish-polici special Aldo Bare, tashmë po gjykohet në mungesë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në akuzat “drejtim të organizatës kriminale”, “vrasje”, “shkatërrim të pronës me zjarr’, “dhunim të varreve” dhe “vjedhje me dhunë në bashkëpunim”, vepra të cilat mendohet se i ka konsumuar gjatë viteve 1998-2002.

Paradoksi, Ministria dha koncesion ende pa marrë vendim Gjykata

Ministria e Mjedisit ka vendosur për shfrytëzuesin e ri të lagunës, edhe pse Gjykata nuk e ka dhënë ende vendimin përfundimtar për konfiskimin e pronave të të akuzuarit si kreu i bandës së Lushnjës, Aldo Bare. Në bazë të ligjit për konfiskimin e pasurive të krimit të organizuar, është Agjencia e Administrimit të Pronave të Sekuestruara ajo që duhet të vendosë për fatin e këtyre pronave dhe jo Ministria e Mjedisit, edhe pse kjo e fundit ka në mbrojtje Lagunën e Karavastasë. Ndërkohë, në Agjencinë e Administrimit të Pronave të Sekuestruara mësojmë se vonesa e vendimit të Gjykatës për konfiskimin përfundimtar ka sjellë edhe kontratën e re. Kjo, pasi sipas ligjit, kjo agjenci zhvillon ankande për fatin e këtyre pasurive, vetëm pasi Gjykata e Krimeve të Rënda jep një vendim përfundimtar mbi pasurinë, objekt sekuestrimi. Në rastin e Lagunës së Karavastasë, vendimi i Gjykatës nuk është parë i nevojshëm për t’u pritur, pasi prej vitit 2007, të mirat e saj shfrytëzohen prej kandidatit për deputet të Partisë Agrare, Jonuz Kasa. Laguna e Karavastasë është më e madhja e vendit tonë dhe në gjithë bregdetin jugor të Adriatikut, me sipërfaqe 4330 ha, gjatësia 10.6 km, gjerësia 4.3 km dhe thellësia deri në 1.5 m. Ndahet nga deti nëpërmjet një brezi të gjerë rëre, të mbuluar nga pylli i dendur, buzë të cilit ndodhet një plazh mjaft i madh. Lidhet me detin me tri kanale, njëri prej të cilëve artificial, i hapur për nevojat e peshkimit. Nëpër këto kanale, si pasojë e baticës dhe zbaticës, rrjedhja e ujit ndryshon drejtim çdo 6 orë. Gjatë një cikli të baticë-zbaticës shkëmbimi i ujit me detin arrin afërsisht 1/50 e volumit të të gjithë lagunës. Në brendësi të saj ka dhe ishuj të vegjël, në të cilët folenizojnë shpendët. Karakteristikë në këtë zonë është kolonia e pelikanit kaçurrel me rreth 60 çifte, që përfaqëson rreth 5 për qind të numrit të përgjithshëm të kësaj specieje në shkallë botërore. Karavastaja, për këtë specie, përfaqëson kufirin më perëndimor të saj. E veçantë është dhe prania e disa qindra çifteve të dallëndysheve të detit.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›