E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aplikimi në BE, Rehn "bojkoton" Berishën

Burime të presidencës çeke të Bashkimit Evropian konfirmuan, megjithëse jo ende zyrtarisht, se në fund të muajit prill një delegacion nga Tirana pritet të vizitojë Pragën për të dorëzuar aplikimin për statusin e vendit kandidat. I pyetur nëse është informuar apo konsultuar për një gjë të tillë, Komisioni Evropian ka deklaruar se përcaktimi i datës i takon presidencës së BE-së, në marrëveshje me autoritetet shqiptare. "Për sa i përket Komisionit, ne jemi sigurisht në kontakt të rregullt me autoritetet e vendeve potencialisht kandidate siç është Shqipëria, dhe në këtë kontekst çështja e një aplikimi të mundshëm është diskutuar disa herë gjatë muajve të kaluar, por siç e thashë më parë, i takon presidencës të bjerë dakord për një datë të veçantë", tha Krisztina Nagy. Ajo nënvizoi se qëndrimi i këtij institucioni nuk ka ndryshuar kurrë, duke përfshirë edhe kërkesën për plotësimin me sukses të reformave kyçe, në veçanti, përveç zgjedhjeve, atë që lidhet me shtetin ligjor dhe me funksionimin e institucioneve demokratike. "Zgjedhjet parlamentare shqiptare të fund-qershorit do të jenë një test madhor për demokracinë shqiptare", nënvizoi ajo. Olli Rehn, i cili ishte i pranishëm në Paris gjatë aplikimit të Malit të Zi, ditën kur në Pragë parashikohet të aplikojë Shqipëria, ai pritet të mungojë. Kjo pasi, sipas kabinetit, axhenda e tij përfshin aktivitete të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›