NATO: Shqipëria anëtare e aleancës
Komandanti i Flotës Detare amerikane në Evropë, Admirali Mark P. Fitxherald tha dje se Shqipëria ka provuar se është me të vërtetë një anëtare e kësaj bashkësie ndërkombëtare. Gjatë një takimi me Presidentin Topi, zyrtari i lartë ushtarak i NATO-s tha se “Kontributi juaj në forcat ndërkombëtare në Afganistan, në vende si Iraku, Bosnje-Hercegovinë, ashtu dhe në Mesdhe, gjithashtu dhe pjesëmarrja juaj në misionet e Kombeve të Bashkuara në Gjeorgji dhe në Çad. Që të gjitha këto kanë provuar se Shqipëria është me të vërtetë një anëtare e bashkisë ndërkombëtare”. Sipas tij “Partneriteti ynë me shtabin tonë të NATO-s këtu në Tiranë, i udhëhequr nga gjenerali Dimitrov, ka qenë kyç në integrimin e Shqipërisë në NATO. Ashtu si e përmendët dhe ju, ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë për eliminimin e municioneve të tepërta dhe gjithashtu do t’ju ndihmojmë për hartimin dhe miratimin e ligjeve të duhura, përsa i përket reformës në sektorin e sigurisë”. Kurse Presidenti Topi theksoi se vendi ynë pret të anëtarësohet më 4 prill, me të drejta të plota në NATO. “Sot pata kënaqësinë e veçantë që të pres në një takim Komandantin e Forcave Aleate të Komandës së Napolit, Admiralin Ficxherald, së bashku me delegacionin me të cilin diskutuam rreth atij partneriteti mjaft solid që ekziston midis Shqipërisë dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut, që fillimisht u kurorëzua me marrjen e ftesës për anëtarësim në datën 3 prill të vitit 2008 në Bukuresht dhe pritet të ketë kurorëzimin final në datën 4 prill të vitit në Strasburg”, theksoi Topi.