E Shtunë, 31 Tetor 2026

Coli po shpif për djalin, po mbron të tjerët

28/10/2009  Reagon pas akuzave të anëtarit Durrësit i ati i Aleks Kekës: Ia lanë të vdekurit

Prek Keka kërkon nga policia zbardhjen e vrasjes së të birit, 4 muaj pas ngjarjes

SHKODER- Dëshmitë e dhëna para Gjykatës së Krimeve të Rënda nga i penduari i Bandës së Durrësit, Adriatik Coli, nga ku del dhe emri i ish- kreut të PDK-së së Malësisë së Madhe, Aleks Kekës, të vrarë pak ditë para zgjedhjeve të qershorit 2009, kanë shkaktuar indinjatë të thellë tek familja Keka. Sipas familjarëve të Kekës, të gjitha që po thuhen për djalin e tyre janë shpifje për të mbuluar persona të tjerë të përfshirë në krime, ose trillimi për të justifikuar akuzat që iu bënë atij me njëherë pas vrasjes që ende ka mbetur pa u zbardhur.

Reagimi

Babai i Aleksit, Prek Keka, ka shprehur këtë indinjatë nëpërmjet medias, ku dhe ka shprehur gatishmërinë e tij për të përgënjeshtruar të gjitha dëshmitë e të penduarit Coli, në Gjykatën e Krimeve të Rënda. I ati i Aleks Kekës shprehet se në shtëpinë e familjes Keka nuk ka shkelur as shtetasi Coli dhe as personat e tjerë që përmenden në dëshmi.

“Absolutisht asnjë prej këtyre shokëve që ka deklaruar Adriatik Coli dhe që i kemi parë në televizor, asnjë prej tyre nuk ka qenë në shtëpinë tonë, as i ka pa kush, as nuk i kemi ndier zërin ndonjëherë, as nuk dimë se çfarë fizionomie kanë. Tani me e pa Colin në sy nuk e njoh se jam i sigurt se nuk ka qenë në shtëpinë tonë. Mendoj se këto trillime janë ose ngaqë policia do të shfajësojë veten për deklarimet që ka bërë në fillim, fill pas vrasjes së djalit tonë Aleksit, për të bërë disi më të lehtë për policinë apo për të vërtetuar atë që kanë thanë, ose Adriatik Coli ka pasur ndonjë lidhje, ka tregtuar drogë me të tjerë dhe për të mos treguar shokët ia lënë të vdekurit, se Aleksi Kekën nuk ka kush me e kapë tani. Në këtë mënyrë shpëtohen të tjerët që janë gjallë”, shprehet i indinjuar babai i Aleks Kekës. Njëkohësisht i ati i Aleksit thekson se jo vetëm ai është i indinjuar për shpifjet që po bëhen herë pas here ndaj emrit të nderuar nga e gjithë zona, por e gjithë familja, farefisi madje dhe i gjithë komuniteti i Bajzës që e njihnin dhe e respektonin, jo vetëm si kreun e demokristianëve, por dhe si biznesmen i suksesshëm dhe bamirës. “Do të doja ta përgënjeshtroja jo vetëm unë dhe gjithë farefisi, pasi diskutohet në Bajzë dhe njerëzit më thonë se çjanë gjithë këto gënjeshtra që thonë për Aleksin, të cilin e kanë njohur të gjithë në Bajzë. Ashtu është revoltuar dhe zona e Bazjës që e shpalli dhe qytetar nderi dhe tash e akuzojnë për gjëra që nuk i ka pas. Kjo është një çudi e madhe”, thekson i ati i Aleks Kekës. Përveç hedhjes poshtë të dëshmisë së të penduarit të Bandës së Durrësit, Adriatik Colit, dhe gatishmërisë për të dëshmuar në gjykatë se në banesën e familjes Keka nuk ka qenë asnjëherë as Coli e as personat e tjerë, i ati i Kekës kërkon dhe zbardhjen e së vërtetës së vrasjes së djalit të tij. “Ditët e para kemi menduar se për dy apo tre muaj do të merrej vesh se kush e kreu vrasjen dhe përse, por u bënë 4 muaj e gjysmë që nuk kemi marrë vesh asgjë, as unë e as farefisi. Kishim dashur ta dinim se pse u vra djali ynë, pse kjo vepër ka mbetur enigmë. Nuk po marrim vesh asgjë. Nuk e di as unë e as gruaja ,as farefisi. Nuk e dinë as shokët e miqtë e tij dhe e ditkan ata në Tiranë se çfarë paska bërë Aleksi. Çfarë paska bërë ky njeri. Hiç nuk e paskemi njohur djalin tonë ne? Jo more, por nuk ka bërë asgjë, por janë segmente të caktuara të shtetit që i nxjerrim këto trillime, ose varianti tjetër që Coli do të mbulojë shokët që janë më prapa. Ose njëra, ose tjetra, kjo është e sigurt.”, ka theksuar i ati i të ndjerit Aleks Keka.

Ndërkohë i ati Aleks Kekës shprehet se është në dijeni se para 11 viteve Dritan Dajti me të fejuarën e tij kishin qenë në dasmën e djalit të madh që jeton në SHBA. Më pas shtetasi Dajti nuk është parë më në familjen Keka.

Rrëfimi i Colit

“Keka ishte korrier droge tek ne”

TIRANË- Në datën 13 tetor të këtij viti, Adriatik Coli, i penduari i Bandës së Durrësit i befasoi të gjithë kur tha se Aleks Keka, ish-kreu i vrarë i demokristianëve të Shkodrës ishte korrier droge i Bandës së Durrësit. Dëshmia e tij për disa episode të tjera është përcjellë me nënqeshje nga pjesa tjetër e grupit, ndërsa për avokatët ka mbetur enigmë momenti i ndarjes së grupit në dy pjesë. Në seancën e asaj dite Adriatik Coli ka shpjeguar se si erdhi ndarja e grupit mes Lulzim Berishës dhe Indrit Dokles. Shpërthimi i fuqishëm i asaj dite kur Keka u vra në një atentat, sipas Colit shpjegon qartësisht lidhjet e tij me rrjetet e trafiqeve të drogës. Më pas ai i ka treguar gjykatës për burgosjen e Klodian Saliut në vitin 2002, daljen e tij nga burgu dhe ekzekutimin rrugës për në Tiranë. Por i gjatë ka qenë edhe rrëfimi për kundërpërgjigjen që ata kanë bërë për vrasjen e Saliut. Coli ka rrëfyer se si kanë ngritur kurthin për të vrarë Lulzim Berishën dhe si dështoi vrasja e tij. Po kështu në rrëfim bëhet e ditur se Coli ka nxjerrë shumë emra. Mes emrave janë edhe personazhe, të cilët kanë qenë të pandehur më parë si pjesëtarë të organizatave kriminale. Coli është shprehur se do të flasë pa rezerva dhe do të tregojë për gjithçka që di.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›