E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aplikimi në BE, qeveria dorëzon kërkesën



Zyrtare. Qeveria shqiptare do të paraqesë ditën e martë në datën 28 kërkesën për t’u pranuar në Bashkimin Evropian, si një vend kandidat për t’u bërë anëtar. Kryeministri Sali Berisha mblodhi dje qeverinë, për të firmosur kërkesën e drejtuar Çekisë, vendit që drejton Presidencën e radhës së BE-së. Në fjalën e tij, Kryeministri tha se qeveria arriti në këtë pikë pas një lumi negociatash dhe mirëkuptimi që është arritur për të kryer këtë hap. Kreu i qeverisë tha se kërkesa është në harmoni të plotë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Berisha bëri të ditur se kërkesa është formuluar në bazë të rezolutës së bërë në Kuvendin shqiptar, mes të gjitha forcave politike. “Pra, vendimi për të paraqitur në datën 28 prill, në Pragë, kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit, është një vendim gjerësisht i konsultuar, sikundër kishim deklaruar edhe më parë”, - tha Berisha. Kryeministri deklaroi më pas se brenda një afati të shkurtër kohor, vendi ratifikoi MSA-në, hyri në NATO dhe tashmë është gati për t’u bërë aspirant për në BE. Kreu i mazhorancës së djathtë u shpreh se përgjigjja e kësaj gjendet tek reformat, që sipas tij, qeveria realizoi në këtë mandat. “Reformat e realizuara me sukses bënë të mundur që në një hark kohor të shkurtër Shqipëria të ftohet për të paraqitur kërkesën për statusin e kandidatit. Reformat bënë të mundur që ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të shpallin suksesin e reformave të qeverisë shqiptare si frymëzuese për vendet e tjera të rajonit”, - deklaroi Berisha. Ai shtoi se 96 për qind e shqiptarëve mbështetin këtë hap të qeverisë drejt integrimit në BE. “Nga ana tjetër, bazuar në këta faktorë, ky do të jetë një proces i pandalshëm, sepse ky proces, të cilin e mbështetin 96 për qind e shqiptarëve, përbën një forcë të fuqishme udhëheqëse në vetvete, përbën një motiv të pashtershëm të reformave të vazhdueshme për të arritur kriteret, standardet, normat e Bashkimit Evropian”, - shtoi ai. Në fjalën e tij, Kryeministri tha se Shqipëria ka ndryshuar, pasi sipas tij, më në fund, sakrifica e shqiptarëve po shpërblehet. “Lumenj djerse, mundi, sakrifice dhe mendjeje janë derdhur për të shënuar këtë kthesë rrënjësore. Historia është e tillë; për të hapur negociatat dhe për të firmosur Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit u deshën 7 vjet, më gjatë se asnjë vend tjetër. Kjo nuk ndodhi absolutisht për ndonjë shqiptaro-fobi, përkundrazi, shqiptarët kanë pasur solidaritetin më të madh se çdo vend tjetër. Por kjo ka ndodhur sepse reformat mbeteshin në letër. Ndërsa, nga 12 shtatori 2006 deri në janar 2009, reformat e kësaj periudhe u certifikuan nga të gjitha vendet anëtare, me vlerësimet më pozitive”, - deklaroi Kryeministri.

Përpara ministrave dhe drejtuesve kryesorë të agjencive qeveritare, Berisha falënderoi administratën për punën e bërë deri tani. “Falënderoj edhe njëherë të gjithë administratën, agjencitë përkatëse të ngritura për këtë çështje, ata të cilët, në një betejë të vendosur dhe me zero tolerancë, e nxorën Shqipërinë nga kthetrat e krimit të organizuar, çmontuan njëra pas tjetrës, mbi 200 grupe kriminale të krimit të organizuar, rikthyen sigurinë në vend, qetësinë, bënë që Shqipëria të ketë tregues kriminaliteti qartësisht më të ulët se mesatarja e vendeve anëtare të BE-së”, - tha Berisha, i cili më pasi lexoi dhe firmosi letrën drejtuar Presidentit të Këshillit të Bashkimit Evropian, Shkëlqesisë së tij, Mirek Topolanek, ku bëhet i ditur vendimi i qeverisë shqiptare për paraqitjen e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian.

Letra e qeverisë, dërguar Topolanek

“Shkëlqesia Juaj, zoti President!

Në emër të Republikës së Shqipërisë, në vijim të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, të datës 29 janar 2009, mbështetur në aspiratën dhe vullnetin mbizotërues të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, kemi nderin që, në përputhje me nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Evropian, të paraqesim aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Përfitojmë nga rasti për t’i ripërsëritur Shkëlqesisë Suaj sigurimet e konsideratës sonë më të lartë”.

Kryeministri i Shqipërisë

Sali Berisha

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›