PD, Ramës: Jep dorëheqjen si kryetar bashkie
Partia Demokratike reagoi dje pas kërkesës së Bashkisë së Tiranës, që pritet të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Në një deklaratë për mediat, Erla Mëhilli, zëdhënësja e PD-së, kërkoi dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Mëhilli tha se Rama ka frikë të hetohet, në një kohë kur, sipas saj, hetimi do të jetë transparent. “Partia Demokratike i thotë z. Rama mos ki frikë se hetimi do të jetë tërësisht transparent dhe alternativë e vetme. Ty të mbetet t’u kërkosh falje qytetarëve të Tiranës për shndërrimin e bashkisë në pronë familjare dhe të japësh dorëheqjen si kryetar i kësaj bashkie”, - deklaroi Mëhilli. Ajo tha më tej se pretendimi se hetimi është antikushtetues, tregon se kreu i bashkisë ka diçka për të fshehur. Sipas zëdhënëses së PD-së, Rama ka treguar hapur konflikt interesi në dhënien e lejeve të ndërtimit. Ajo tha se kërkesa e Ramës në Gjykatën Kushtetuese është një akt dëshpërimi. “Detyroi të dalë zyrën juridike të bashkisë së tij dhe të sugjerojë Ramën, që për të shpëtuar nga akti i shëmtuar që kreu, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Kështu dje znj. Vishka me kërkesë të Edi Ramës doli dje dhe gajasi shqiptarët, kur tha se do t’i kërkojë kryetarit tim, që për të bllokuar hetimin parlamentar, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që ta mbrojë nga akti i shëmtuar i përvetësimit të 19 lejeve të ndërtimit”, - tha Mëhilli. Ndërkaq ka nisur hetimi parlamentar ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, Rama. Hetimi do të përqendrohet në dhënien e lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës. Mazhoranca e ka cilësuar si të papranueshëm faktin që sot në vitin 2009, Tirana të jetë një kryeqytet pa një plan urbanistik. Sipas deputetëve të saj, një gjë e tillë ka ndodhur për shkak se kreu i bashkisë ka vjedhur me anë të lejeve të ndërtimit. Akuza të tjera janë hedhur ndaj Edi Ramës, si në menaxhimin e fondeve në Tiranë, ashtu edhe në modelin e qeverisjes së tij në Tiranë. “Kryetari i bashkisë, z. Rama, me modelin e tij qeverisës ka krijuar dhe nxitur informalitetin në Tiranë. Këtu nuk bëhet fjalë për ndërtime pa leje, informale në periferi të qytetit, por për objekte të reja në mes të Tiranës. Ka sot rreth 420 objekte të tilla, të cilat kanë lejen e ndërtimit nga ana e bashkisë, por asnjë nga familjet të cilat kanë blerë apartamente në këto pallate nuk ka hipotekuar pronën e saj. Dhe bëhet fjalë për mbi 16 mijë familje”, - deklaroi një ditë më parë deputeti i PD-së, Aldo Bumçi. Në mesin e muajit maj pritet të dorëzohet në Kuvend raporti hetimor, i cili më pas do t’iu dorëzohet organeve të drejtësisë për ndjekje të mëtejshme.
Ministrat në bazë, llogari për premtimet
Ministrat e kabinetit kanë preferuar që ditën e diel ta kalojnë në zonat përkatëse me banorët, nga ku kanë diskutuar qeverisjen në këto vite, si dhe premtimet për mandatin e dytë. Kështu zëvendëskryeministri Genc Pollo ka qenë në disa komuna të Beratit, ministri Ridvan Bode ka qenë në komunat e Korçës, ndërsa ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka qenë në Përmet. Në këto takime, ministrat kanë diskutuar me banorët në lidhje me investimet dhe punën e qeverisë. Në veçanti, ata kanë akuzuar politikën e Edi Ramës dhe kanë deklaruar se ardhja në pushtet e tij, do të jetë e ngjashme si në vitet para 2005. Ministrat u kanë bërë thirrje qytetarëve që të pajisen me karta identiteti, pasi kjo, sipas tyre, do të ndikojë pozitivisht në liberalizimin e shpejtë të vizave.