Gjirokastër, ndalohen shtatë klandestinë afganë, ishin futur nga Greqia
Policia e Gjirokastrës ka ndaluar shtatë klandestinë afganë afër Kakavijës. Ndalimi i tyre u bë 5 km larg pikës kufitare në vendin e quajtur “Kthesa e Mullirit”. Sipas burime nga policia, ata sapo kishin hyrë nga territori grek dhe se kishin paguar nga 6 mijë euro secili për të udhëtuar nga Afganistani drejt Athinës. Për të hyrë në vendin tonë ata kishin kaluar me një taksi, përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës. Mendohet se destinacioni i tyre ka qenë Kosova. Ata do t'i nënshtrohen tashmë procedurave të nevojshme, për të vijuar me kthimin në vendin e origjinës. Një nga rrugët e klandestinëve për të përfunduar në vendet e Evropës Perëndimore, është ajo nëpërmjet Turqisë, në Greqi, pastaj Shqipëri ose Kosovë, Serbi e më pas Hungari. Nga aty ata kanë mundësinë për të emigruar për në vendet e BE-së. Megjithatë, kjo është një rrugë pak e përdorur nga klandestinët, të cilët preferojnë më shumë Maqedoninë për të kaluar për në vendet e Evropës Perëndimore. Para disa javësh, në Tiranë u kapën rreth 7 klandestinë të tjerë me origjinë nga Afganistani.