Fermerëve, Berisha: Para në dorë për naftën
Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar edhe nga ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, vizitoi dje Komunën e Gjinarit në Elbasan, ku premtoi më shumë vëmendje ndaj fermerëve. Berisha tha se qeveria e tij hoqi skemën abuzive të naftës dhe tashmë jep para në dorë për çdo litër naftë që konsumon për punë fermeri. Ai premtoi edhe rritjen e investimeve, veçanërisht në rrugë dhe ujësjellës dhe premtoi që në mandatin e dytë, çdo shtëpi do të ketë ujë të pijshëm brenda. “Ne e realizuam këtë, sepse është më e drejtë t’ua japësh juve direkt paratë në dorë, sesa t’i shpërndajmë ne dhe të kthehen në akciza. Jo, kjo nuk mund të ndodhë. Ne do t’jua japim juve. Unë dua të garantoj banorët e kësaj zone se, pas përfundimit të kësaj rruge, çdo fshat do ta lidhim me aksin kryesor përmes rrugëve të asfaltuara. Dua t’i garantoj banorët se çdo fshat do të ketë ujësjellësin e tij dhe se në 4 vitet që vijnë, çdo familje shqiptare do të ketë ujin brenda shtëpisë së tij. Ne jemi të vendosur për urbanizimin e plotë të fshatit shqiptar”, - deklaroi Berisha. Kryeministri Berisha inauguroi nisjes e punimeve për ndërtimin e rrugës që lidh Elbasanin me Gjinarin, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 460 milionë lekë. Kjo rrugë ka një gjatësi 22 kilometra dhe sipas projektit, përfshihet sistemimi, asfaltimi dhe ndriçimi i saj, veçanërisht në segmentet e rrugës që kalojnë nëpër qendrat e banuara të kësaj zone. Në këtë komunë është ndërtuar ujësjellësi Bukanik-Gjinar, me vlerë 8.7 milionë lekë, godina e postës, me vlerë 3.5 milionë lekë e të tjera projekte. Granti i dhënë për Komunën Gjinar, nga 11 milionë lekë në vit që ka qenë në qeverisjen e mëparshme, është bërë 23 milionë lekë. Përpara banorëve të kësaj komune, Berisha tha se Shqipëria po ecën me shpejtësi drejt Evropës. Ai komentoi edhe vizitën e tij në Francë. “Sapo jam kthyer nga një vizitë nga një vend mik dhe mora vesh se të vetmit kundërshtarë në Parlamentin Evropian kishin qenë 3 deputetë komunistë - këtë po jua them thjesht për kureshtje - të cilët u ngritën në Parlament dhe thanë që po e votuat Shqipërinë, ju fusni Ballkanin në luftë. Ndërsa miqtë tanë ishin përgjigjur se Ballkanin e fusim në Evropë dhe Shqipërinë e fusim në Evropë”, - tha Berisha duke u kërkuar banorëve të aplikojnë për karta identiteti. “Le të vazhdojmë së bashku 4 vite të tjera, për të vijuar me projektet tona. Ne nuk kemi retorikë, ne nuk kemi fjalë”, -tha Berisha në fund të fjalës së tij.