Meta: Të gjelbrit votojnë për LSI-në
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, priti dje një delegacion të të Gjelbërve Evropianë, të kryesuar nga Kryekoordinatori i të Gjelbërve Gjermanë në Parlamentin Evropian, Majkëll Shversshverdt dhe nga Ann de Bur. Meta tha për mediat se LSI përfaqëson vlerat e të gjelbërve në Shqipëri, ndryshe nga PS-ja. Ai theksoi se “LSI dhe koalicioni ynë bën një diferencë të madhe me forcat e tjera politike në mënyrë të veçantë ndaj çështjeve të mjedisit. Duke përcaktuar këto çështje si të një rëndësie vendimtare dhe kombëtare për të ardhmen e vendit, LSI angazhohet që çdo vendim i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të merret duke pasur në konsideratë në radhë të parë standardet mjedisore”.
Hyrja në NATO, bizneset arabe, nga tregu shqiptar imobilar
Hyrja e Shqipërisë në NATO e ka kthyer këtë vend të përshtatshëm për të investuar. Kështu shkruan në faqen e saj “Forex Group”, një kompani këshilluese në fushën e investimeve në real-estate ose pasuri të paluajtshme. “Forex Group”, që operon në Lindjen e Mesme, thotë se Shqipëria ka ndryshuar shumë në këto vite, ndaj e cilëson investimin si të sigurt dhe në rritje. Sipas saj, zhvillimet në turizëm kanë qenë domethënëse. Për sa i përket tregut të pasurive të paluajtshme, kjo kompani, sugjeron se në Shqipëri është tepër e përshtatshme të shpenzohen para. Sipas saj, të blesh një apartament në kryeqytet, Tiranë, është një investim i mirë. Më pas, ka një shpjegim të potencialeve në Shqipëri, duke u fokusuar kryesisht në turizëm. Evidentohet se Shqipëria ka një vijë bregdetare të gjatë dhe me shumë mundësi për të investuar.