E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ridvan Bode shpjegon pse nuk do të ulet TVSH-ja



Ministri i Financave, Ridvan Bode, bëri dje bilancin tremujor të vitit 2009, nga ku ai deklaroi se gjatë vitit 2009 do të ketë një rritje ekonomike në masën 4 deri në 5 për qind. Deklarata e ministrit u mbështet, sipas tij, në treguesit e deritanishëm të ekonomisë, por njëkohësisht edhe të pritshmërive. Një rritje ekonomike në këto nivele, praktikisht do ta bënte Shqipërinë me rritjen ekonomike më të lartë në Evropë. “Ne kemi programuar, - tha Bode, - mbi bazën e rezultateve të tremujorit të parë të këtij viti dhe agregateve financiare monetare, që ka Shqipëria dhe të kontratave që kemi nënshkruar me donatorë të ndryshëm apo institucione financiare dhe mendojmë që sipas situatës deri në fund të tremujorit të parë, mund të kemi një rritje ekonomike që mund të shkojë 4–5% në vitin 2009, nëse do të vijojë me të njëjtin agresivitet në rënie, veprimi i presionit ndërkombëtar”. Ai shtoi se “nëse do të kemi denatyrime të mëtejshme në tregun ndërkombëtar dhe presioneve të tjera që mund të vijnë nga tregu financiar ndërkombëtar, kjo është një çështje që duhet rivlerësuar”.

Bilanci tremujor

Sipas ministrit të Financave, ecuria e tremujorit të parë për vitin 2009 flet për një vijimësi pozitive në realizimin e treguesve fiskalë të buxhetit të shtetit. “Kjo dëshmon që ekonomia shqiptare vijon të performojë në mënyrë pozitive, përkundrejt presioneve të vijueshme të krizës globale edhe mbi rajonin tonë”, - tha Bode. Këtë tremujor të ardhurat e buxhetit të shtetit janë realizuar në masën 97 %. Të ardhurat e buxhetit qendror janë realizuar 100 %, me një diferencë prej rreth 600 milionë lekë kundrejt 74.6 miliardë që janë të programuara. Të ardhurat e buxheteve vendore janë realizuar në masën 64%, ç’ka shkakton edhe atë mosrealizim në totalin e të ardhurave. Sipas ministrit Bode, ulja e të ardhurave në buxhet erdhi si rezultat i uljes së çmimeve në tregun ndërkombëtar. Ai tha se shpenzimet janë në një ritëm të mirë.

“Nuk jemi në krizë”

Në konferencën për shtyp, Bode tha se ekonomia shqiptare nuk është në krizë, dhe për këtë iu referua mbledhjes së TVSH-së, e cila tregon direkt një gjë të tillë. “Mund t’ju përmend që janë rritur me 7 % edhe të ardhurat nga TVSH–ja, një taksë që mat vëllimin e qarkullimit të mallrave përtej diferencave të mëdha dhe rënieve që vijnë nga niveli i importeve që përmenda pak më lart dhe që jep një rezultat të ndjeshëm. Gjëja më e rëndësishme është që në tregun e brendshëm ke rreth 14 % më shumë të ardhura nga TVSH–ja, pra të ardhura nga qarkullimi i mallrave, ç’ka do të thotë se ekonomia vijon të performojë konform të gjitha programeve që ne kemi parashikuar dhe deklaruar për vitin 2009”, - shtoi Bode.

Krahasimi me 2004

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, të ardhurat për tremujorin e parë të vitit 2009 janë 1.8 herë më të larta se në tremujorin e parë të vitit 2004. Të ardhurat nga TVSH-ja janë dy herë më të larta për tremujorin e parë të vitit 2009 se në tremujorin e parë të vitit 2004. Vëllimi i qarkullimit të mallrave në këtë periudhë 4-vjeçare është rritur 2 herë. Akcizat janë rritur 2.4 herë në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2004.

Çmimet

“Niveli i inflacionit në tremujorin e parë të këtij viti është rreth 1.8 % dhe përbën nivelin më të ulët të inflacionit që nga viti 2000”, - bëri të ditur dje Bode. Sipas tij, kjo ka ndodhur edhe për shkak të situatës ndërkombëtare, pasi janë ulur çmimet e ushqimeve, naftës, materialeve të ndërtimit etj. Bode tha se kjo ka ndikuar pozitivisht në uljen e çmimeve të shportës dhe priten të ulen më tej. “Të gjitha kategoritë e mallrave të shportës pak a shumë performojnë në mënyrë të përafërt në nivelin e inflacionit. Mbeten në inflacion me terma negative perimet dhe frutat, ndërkohë që vijojnë në terma pozitive të lehta dhe të ulëta kategoritë e tjera, buka dhe drithërat duke vijuar të mbeten dukshëm nën nivelin 8 për qind”, - deklaroi Bode.

Çmimet e referencës nuk do të ndryshojnë

Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha dje se çmimet e referencave nuk do të ndryshojnë apo do të hiqen, siç ka premtuar nga krahu tjetër opozita. Ai tha se çmimet e referencës kanë disiplinuar konkurrencën. “Ruajta e çmimeve të referencës nuk është në dëm të ekonomisë dhe tregtisë dhe biznesit, është një masë që i vendos ata në kushte të barabarta dhe mënjanon konkurrencës e pandershme të një pjese të bizneseve, që vijon bën fatura false, që fsheh çmimet e vërteta të mallrave që vijnë nga tregtia ndërkombëtare. Këtë koment kisha lidhur me çmimet referuese”, - tha Bode. Ai shtoi se “ne jemi të hapur gjithmonë dhe administratat doganore dhe tatimore vijojnë takime të vazhdueshme me komunitetin e biznesit për të zgjidhur ato probleme që janë çështje administrative dhe do të lehtësonin aktivitetet ekonomike”. Bode tha më tej se situata paraqitet e mirë edhe në sistemin bankar.

TVSH-ja nuk do të ulet

Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha dje se niveli i TVSH-së prej 20 për qind nuk do të ulet. Sipas tij, kjo taksë në këtë nivel përbën një avantazh. “Nuk mendoj se është një stimul fiskal për ekonominë ulja e TVSH–së apo prekja e TVSH–së. Ju e dini që në kuadrin e ekonomisë globale, veprimi i TVSH–së në një vend të vetëm nuk është përfitim i atij vendi, por i vendeve të tjera. Unë personalisht jam i bindur, që mbajtja e TVSH–së në këtë nivel përbën veprimin më pozitiv dhe të fuqishëm që ekonomia shqiptare të performojë dhe konkurrojë në tregun rajonal dhe më gjerë. Është instrumenti më i mirë për të nxitur eksportet shqiptare. Nëse do të vijojmë me politika jo të përshtatshme shpeshherë edhe zgjedhore, të deklarojmë ulje, përgjysmime apo prekje të nivelit të këtij taksimi, do të ishte me pasoja për ekonominë”, - tha Bode. Sipas tij, edhe mjaft vende të tjera kanë bërë të njëjtën gjë për shkak të presioneve sociale. “Ka vende edhe të fuqishme të BE–së që kanë prekur TVSH–në si rezultat i presioneve sociale dhe në fakt kanë humbur shuma të jashtëzakonshme dhe nuk kanë pasur efekte në ekonomitë e tyre, sepse dihet që TVSH–ja vepron si instrument i rritjes së kostos së mallrave të importeve dhe uljes së kostos së mallrave të prodhimit vendas”, - shtoi ministri i Financave.

10 organizma biznesi: Të krijohet Gjykata Administrative

Dhoma Amerikane e Tregtisë e mbështetur edhe nga 9 organizma të tjera të biznesit i kanë bërë thirrje politikës që të miratojë sa më shpejt ligjin për krijimin e Gjykatës Administrative. Aktualisht ky projektligj ndodhet në axhendën e Kuvendit, ndërsa këtij të fundit nuk i kanë mbetur më shumë se 3 javë kohë. Organizatat e biznesit kanë bërë thirrje që ky projekt të miratohet sa më parë. “Sesioni i tetë i punimeve të Kuvendit, i planifikuar të përfundojë në mes të muajit maj 2009, e bën tepër të ngushtë hapësirën kohore për miratimin e këtij projektligji, duke rritur shqetësimin tonë për këtë çështje. Shtyrja e aprovimit të projektligjit pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit do të vononte pa arsye krijimin e Gjykatës Administrative, për të cilën kemi aq shumë nevojë dhe do të ishte, mes të tjerash, edhe shpërdorim i angazhimit të ekspertëve vendas e donatorëve të huaj që kanë ndihmuar e ndihmojnë në krijimin e kësaj gjykate”, - thuhet në letrën e organizatave të biznesit. Sipas këtyre organizatave, projektligji për Gjykatën Administrative, i cili paraqitet aktualisht për miratim përfundimtar në seancë plenare, është një nismë që gëzon përkrahjen e komunitetit të biznesit, të përfaqësuar në një shkallë të gjerë nga shoqatat palë në këtë deklaratë. Ngritja e Gjykatës Administrative do të mundësojë shqyrtimin në kohë dhe me efektivitet të çështjeve administrative, duke lënë pas afatet e tejzgjatura dhe mungesën e specializimit në trajtimin e tyre, probleme, me të cilat bizneset ndeshen shpesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›