E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushata, 1 milion dollarë për PD e PS

Dy partitë kryesore politike, PS dhe PD, do të përfitojnë rreth 1 milion dollarë nga buxheti i shtetit për të zhvilluar fushatën e ardhshme. Burime zyrtare nga Ministria e Financave sqaruan dje se tanimë ky institucion ka gati fondin që pritet të çelet në muajin maj. Paraprakisht mësohet se Partia Demokratike do të përfitojë një shumë prej 54 milionë lekësh të reja. Sakaq, Partia Socialiste do të mund të marrë një shumë më të vogël, prej 40.1 milionë lekësh të reja. Në total, shuma që u akordon shteti vetëm këtyre dy partive shkon në 94.1 milionë lekë. Po sipas burimeve, një shumë rreth 30-40 milionë lekë, do të shpërndahet mes partive të tjera parlamentare. Neni 86 i Kodit Zgjedhor thotë se buxheti i KQZ-së përbën zë më vete në buxhetin e shtetit. Në buxhetin e vitit kur do të zhvillohen zgjedhje, Kuvendi vë në dispozicion të KQZ-së dhe të institucioneve të tjera përkatëse fondet për përgatitjen, zhvillimin, mbikëqyrjen, si dhe çdo aspekt tjetër të procesit zgjedhor. Në rastin kur viti buxhetor nuk është vit zgjedhor, KQZ-së i vihen në dispozicion fonde të mjaftueshme për funksionimin e këtij institucioni, si dhe për ushtrimin e përgjegjësive të tij sipas ligjit. Fondet e akorduara nga buxheti i shtetit për fushatën zgjedhore të subjekteve përbëhen nga fondet për financimin e fushatës, si dhe nga kuota shtesë për fondet për financimin e fushatës, e cila përdoret nga KQZ-ja për dhënien e shumave kompensuese. Fondet për financimin e fushatës nuk mund të jenë më pak sesa totali i shumave të shpërndara partive politike në zgjedhjet pararendëse. Në nenin 90, pika tre e kodit thuhet se shpenzimi total që mund të kryejë një parti politike, përfshirë edhe kandidatët e tyre, për një fushatë zgjedhore, nuk duhet të kalojë dhjetëfishin e shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike. Në rastin konkret, shumën më të madhe do ta marrë Partia Demokratike, me 54 milionë lekë të reja. Në zbatim të Kodit Zgjedhor, tavani i shpenzimeve në fushatë (fondet publike dhe jopublike) pritet të shkojë rreth 5.4 milionë dollarë. Kjo shumë tavan është e njëjtë për çdo parti politike që merr pjesë në zgjedhje, qoftë edhe ato që sapo janë krijuar. Sasia e fondeve publike që i shpërndahet secilit prej subjekteve zgjedhore, caktohet me vendim të KQZ-së. 50 për qind e shumës ndahet ndërmjet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe që kanë mandate në Kuvend, e përcaktuar kjo sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse. Kjo shumë u jepet këtyre partive politike nga KQZ-ja jo më vonë se pesë ditë pas regjistrimit të tyre si subjekt zgjedhor dhe paraqitjes së listës shumemërore për çdo njësi zgjedhore. 50 për qind e shumës së përgjithshme ndahet midis partive politike të regjistruara si subjekt zgjedhor dhe që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin kanë marrë jo më pak se dy vende në Kuvend, në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare sipas vendimit të KQZ për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

Procedura

Brenda 31 majit, partitë

publikojnë llogaritë bankare

Tri ditë pas fillimit të fushatës elektorale, partitë politike duhet të bëjnë publike numrat e llogarive bankare ku do kryhen transaksionet financiare. Ky është rregulli që imponon Kodi i ri Zgjedhor dhe që duhet të zbatohet detyrimisht nga subjektet pjesëmarrëse në procesin elektoral. Sipas ligjit elektoral, dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme, të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Përgjegjësi i financës së subjektit zgjedhor, jo më vonë se tri ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore, deklaron numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim. Ky numër i llogarisë bankare për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sakaq, çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit, donatori nënshkruan një deklaratë, ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e përcaktuara në konflikt me Kodin Zgjedhor, ku flitet për kriteret e dhuruesit dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë. Forma dhe përmbajtja e deklaratës miratohet nga KQZ dhe është e detyrueshme për t‘u nënshkruar në çdo rast dhurimi. Lista e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse, duhet të bëhet kurdoherë publike.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›