E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembja e pallatit 12-katësh, debate në gjykatë

Shembja e pallatit 12-katësh në qendër të Tiranës është zhvendosur në dyert e Gjykatës së Tiranës. Dje është zhvilluar seanca e radhës dhe të pranishëm kanë qenë palët në proces, ajo e përfaqësuar nga Ilir Mata, kunati i deputetit të PS-së, Dashamir Peza, dhe Inspektoratit të Ndërtimit. Një nga provat e paraqitura nga kërkuesit ishte ajo e marrjes së lejes për ndërtim që në vitin 2002, vit kur pallati 12-katësh në qendër të Tiranës nisi të ndërtohej. Prova tjetër ishte regjistrimi i pronës në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Sipas kërkuesve, Inspektorati i Policisë Ndërtimore ka ndërhyrë në kundërshtim me të gjitha ligjet në fuqi dhe me të gjitha rregullsitë që i jep ai. Por përfaqësuesit e inspektoratit thanë dje para gjykatës se kanë në dorë të gjitha provat që vërtetojnë se pallati 12-katësh ka filluar të ndërtohet pa leje përkatëse dhe regjistrimi ka qenë i paligjshëm. Ata thanë se ekziston një dokument që vërteton se pallati është ndërtuar mbi rrugë dhe se leja nuk është e rregullt. Pas debateve, gjyqtarja Arjana Caco do të vendosë sot mbi fatin e pallatit 12-katësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›