Pazaret e zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme me biznesmenët
Prokuroria e Tiranës ka zbardhur bisedat e realizuara nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme me biznesmenët që donin të fitonin tenderin për uniformat e policisë, ushtrisë, doganave e tatimeve. Sipas hetimeve të akuzës, biznesmenët komunikonin shpeshherë në telefon me përfaqësuesit e ministrisë. Këta të fundit i kanë kërkuar fillimisht një ryshfet prej 250 milionë lekësh. Por më pas "pazari" shkoi deri në 125 mijë euro. Burime nga njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës thanë se hetimet kanë filluar mbi bazën e disa denoncimeve të firmave që janë renditur apo janë skualifikuar nga tenderi. Ato pretendonin parregullsi në përzgjedhjen e firmës fituese. Rasti u denoncua në prokurori. Për një kohë të gjatë janë vënë në përgjim të gjithë personat që kishin marrë pjesë në tender. Sipas hetimeve të prokurorisë, tre biznesmenët përmes ndërmjetësit Redi Popescu kanë paguar 125 mijë euro për t‘u shpallur fitues në tenderin e organizuar nga Bujar Murati, shefi i Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme. Tenderi i cili kishte vlerën totale prej 175 milionë lekësh të reja, ishte ndarë në 14 pjesë. Të 14 zërat që bënin pjesë në tenderin me fond total 175 milionë lekë, bënin fjalë për blerje uniformash për Policinë e Shtetit dhe repartet e saj, për Gardën e Republikës, Ministrinë e Mbrojtjes dhe ushtrinë, si dhe për doganat e Ministrinë e Shëndetësisë. Prokuroria ka marrë informacion për abuzimin dhe ka nisur hetimet më 11 shtator 2009. Sipas burimeve nga prokuroria, është arritur të dokumentohet se tre biznesmenët kanë paguar 125 mijë euro për t‘u shpallur fitues përmes ndërmjetësit Redo Popescu, te drejtori i Përgjithshëm i Prokurimeve të Përqendruara, Bujar Murati, dhe specialisti i prokurimeve në Gardën e Republikës, Tahir Imami.