Aplikimi për punë, rikthehen 50 policë nga 300 funksione vakante
Afatet për rikthimin në polici të së paktën 300 ish-policëve të dalë në reformë, kanë përfunduar prej gati 3 muajsh, por sipas burimeve zyrtare nga policia, këto janë thjeshtë veprime procedurale. Ripranimi në polici, i atyre që kanë lënë detyrën nga reforma "Olldashi" dhe "Nishani" është vetëm çështje ditësh, derisa të verifikohen të gjitha kriteret e përcaktuar në ligj, që lejojnë kthimin e tyre në punë. Deri tani nga të gjitha aplikimet që janë kryer në të gjitha drejtoritë e qarqeve, që afërsisht kapin shifrën 900, janë ripranuar për t'u rikthyer në punë 50 policë, të cilët kanë marrë edhe gradën përkatëse dhe tashmë kanë filluar punën. Ndërkohë, burimet sqarojnë se personat e tjerë që kanë aplikuar do të rikthehen në mënyrë graduale, duke u verifikuar dosja e secilit. Janë 5 kritere që varen nga pika 2 e Nenit 57 të Ligjit të Policisë së Shtetit ato që duhen verifikuar dhe duhen pasur parasysh për ripranimin në polici të një ish-efektivi që ka dalë në reformë. Mund të rikthehet në detyrë një ish-polic i cili, ka deklaruar se është i paaftë nga ana shëndetësore, me një vendim të komisionit mjeko-ligjor dhe duhet verifikuar nëse e ka kaluar këtë gjendje shëndetësore ose jo me një raport tjetër mjeko-ligjor. Gjithashtu, mund të rikthehet në detyrë një polic që i është shkurtuar funksioni organik dhe nuk ka kërkuar ulje në gradë, një polic që është i punësuar në struktura të tjera të administratës publike në funksione, që kanë për objekt çështje të rendit e të sigurisë publike. Po kështu, do të verifikohet ripranimi në polici i të gjithë atyre ish-policëve, që janë liruar nga detyra pasi nuk kanë kaluar kursin e Shkollës së Policisë, apo edhe ka kërkuar vetë lirimin. Nëse ripranimi bëhet pasi kanë kaluar 12 muaj të pandërprerë, punonjësi i Policisë vazhdon karrierën një gradë më poshtë nga ajo që mbante para lirimit ose ricertifikohet për gradën që mbante më parë. e.d.