E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maltë, indiferencë për ndeshjen

 

Nga Malta/ Arben Lufi

Kombëtarja shqiptare ka mbërritur dje në Maltë në orën 13.25. E nisur nga Tirana dhe e kompletuar në Romë, mbërriti në Luqa International Airport të Maltës. Udhëtimi mori rreth një orë nga mbërritja e avionit para se të parët anëtarë të delegacionit, tonë, u panë të ngarkuar të dilnin në daljen e aeroportit maltez.  Aty, ata u priten dhe u shoqëruan nga zyrtarët më të lartë të Federates malteze dhe pa humbur kohë delegacioni u nis për në “Corinthia Palace Hotel” në Atard, hoteli më me traditë turistike të ishullit, ku shqiptarët do qëndrojnë deri të enjten në mesditë. Ngutja e shqiptarëve ishte e kuptueshme pasi në më pak se tre orë pas mbërritjes në hotel, ekipi shqiptar zhvilloi seancën e parë stërvitore në “Ta’Qali Training Ground”, një kompleks përgatitjeje pranë stadiumit kryesor. Në këtë impiant, të mërkurën do përballen Malta dhe Shqipëria. Sipas programit që bëjnë të ditur zyrtaret maltezë, trajneri shqiptar ka prenotuar dy seanca stërvitore për të hënën: i pari në orën 10.30 të mëngjesit dhe i dyti në 6.30 pasdite. Të martën skuadra shqiptare ka të prenotuar vetë fushën e stadiumit kombëtar “Ta’Qali”, ku, në orën 19.00, ekipi do zhvillojë me dyer të mbyllura seancën e fundit sëtrvitore para ndeshjes. Pas kësaj stërvitje të katërt në tokën malteze, trajneri kuqezi Arii Han, duhet të ketë përfunduar kolaodimin e djemve të tij për ndeshjen e së nesërmes. Ndërkohë sipas programit të paraqitur, ekipi maltez do bëjë stërvitje në Training Ground dhe në fushën e Ta’Qalit, përpara ekipit mik.
Atmosfera
Ndërkohë që në vende të ndryshme të Maltës (pranë rrugëve kryesore) janë vendosur reklama dhe tabela të mëdha, që kërkojnë të nxisin publikun për të përkrahur skuadrën e vet në stadium. Ndërkaq, shtypi i shkruar maltez nuk ka gjetur asgjë të re dhe interesante, për ti servirur lexuesve këtë të diel (dje) për sfidën e së mërkurës (duke i lënë vend vetëm ndeshjeve të Premier Ligës lokale të luajtura të shtunën). Nëse kjo quhet mungesë interesi, është në të mirë të shqiptarëve dhe të skuadrës kuqezi, që po ky qëndrim të shfaqet edhe tek lojtarët maltezë të mërkurën në fushën e lojës. Sidoqoftë, dihet se ky është vetëm ai që anglezët e quajnë ‘mendim me dëshirë’ dhe se maltezët të mërkurën në fushën e lojës mund të dalin 200 për qind të impenjuar, ashtu siç e tha edhe trajneri Han në konferencën e shtypit të premten në Tiranë. Megjithatë, qëndrimi i mediave të shkruara nuk është korresponduar nga kanalet televizive malteze. Sipas një programi te bërë të njohur ditë më parë, të dielën në darkë televizioni maltez “NetTV”, në programin njohur sportin të fundjavës ‘Replay’, i kushtoi kohë të konsiderueshme ndeshjes me Shqipërinë.

Apel i Bushit: Fitore me Maltën, ndryshe shkatërrojmë gjithçka 

Alban Bushi ka luajtur tre ndeshje kundër Maltës me fanellën kuqezidhe megjithëse kanë qenë miqësore, ai pohon se kundërshtari i radhës i Kombëtares nuk është aspak i lehtë për t’u mundur. Golashënuesi më i mirë i përfaqësueses shqiptare, është i bindur se Shqipëria mund të marrë tre pikët të mërkurën në mbrëmje vetëm nëse do të japë maksimumin. “E shoh të vështirë – ka thënë sulmuesi i Levadhiakos për “Panorama Sport” – Nuk dua të bëj pesimistin, por duke parë situatën e skuadrës e shoh të vështirë. Lojtarët nuk janë në formën e tyre më të mirë dhe përveç mungesave të rëndësishme si Cana e Lala, mund të them se skuadra nuk është në nivelin që të lë të shpresosh shumë. Ne gjithnjë e kemi pasur të vështirë të fitojmë jashtë, madje kur nuk kemi pasur kurrfarë presioni, dhe jo më në një ndeshje si kjo që duhet patjetër fitorja. Unë shpresoj që t’ia dalim mbanë, por duhet të japim maksimumin, sepse çdo rezultat tjetër veç fitores do të ishte një humbje e madhe që do të zhvlerësonte jo vetëm barazimin e bujshëm me Portugalinë, por do të hidhte në erë të gjithë edicionin”. “Loku” nuk ka harruar të shigjetojë edhe sulmin e përfaqësuueses. “Ata janë djem të rinj, por më duket se u bë një kohë e gjatë që as ata nuk luajnë një ndeshje të plotë”.

Stërvitja
Në stërvitjen e parë në Maltë, trajneri i Kombëtares shqiptare ka pasur në dispozicion vetëm 13 futbollistë, pasi pjesa tjetër (gjashtë) kanë qenë të impenjuar në skuadrat e tyre. Bogdani, Skela, Beqaj dhe Ujkani i bashkohen sot skuadrës, ndërsa Dallku dhe Curri kanë mbërritur dje në mbrëmje në Maltë.

Beqaj
Përveç Bogdanit, i cili është dëmtuar në stërvitjet me Kievon, ku është çarë në vetull, në dyshim është edhe portieri i përfaqësueses, Arjan Beqaj. Tekniku do të vendosë të martën, nëse gardiani është në gjenjde të mbrojë kuadratin kuqezi, pëasi në të kundërt do të luajë Isli Hidi.

Bastet
Shqipëria është super-favorite për ta fituar ndeshjen e së mërkurës kundër Maltës. Sipas kompanive të basteve, kuqeiznjtë e Ari Hanit kanë më shumë shanse për të fituar, ndonëse luajnë në transfertë. Fitorja e përfaqësueses tonë është kuotuar me koeficientin 1.55, barazimi është kuotuar 3.10, ndërsa fitorja e Maltës vendëse është kuotuar 5.77.

Han frikë nga maltezët, stërvitje me dyer të mbyllura

Trajneri i Kombëtares shqiptare është i shqetësuar për ndeshjen e radhës. Madje ai ka vendosur që stërvitjet të kryhen me dyer të mbyllura. Burime nga stafi kuqezi bëjnë të ditur se holandezi ka hedhur idenë që të gjitha seancat stërvitore gjatë qëndrimit në Maltë të kryhen me dyer të mbyllura, por pasi është konsultuar me stafin e tij, ka ndryshuar mendje, duke vendosur që vetëm stërvitja e ditës së martë në mbrëmje (një ditë para ndeshjes) të kryhet e “izoluar”. Trajneri ka mungesa të rëndësishme në ekip dhe përveç kësaj një pjesë e futbollistëve të përfaqësueses nuk janë në gjendje të mirë. Bogdani është çarë në vetull, ndërsa Beqaj nuk luan një ndeshje zyrtare që nga 4 nëntori. Teknikut do t’i duhet të improvizojë në mesfushë dhe në sulm, pasi për kuqezinjtë kjo është një ndeshje që duhet të fitohet.

Shqipëria, skuadër 20 herë më e shtrenjtë se Malta

Ndonëse është një ndeshje deçizive, në bazë të shifrave Shqipëria nuk duhet ta diskutojë fitoren në Valeta kundër Maltës. Në bazë të të dhënave zyrtare të marra në uebsajtin e njohur “transfermarkt.de”, kombëtarja e Shqipërisë është 20 herë më e shtrenjtë në shifra se ajo e Maltës. Kështu, përfaqësuesja kuqezi ka një vlerë të kartonëve të lojtarëve të saj prej 40.100.000 eurove, ndërsa ajo malteze vetë, 2.975.000 euro. Veç kësaj, kjo shifër është llogaritur për vetëm 26 futbollistë shqiptarë dhe për 28 të Maltës. Futbollisti më i shtrenjtë i Shqipërisë është Lorik Cana, i cili ka një vlerë zyrtare të kartonit që shkon në 14 milionë euro. Pas tij vjen Debatik Curri, që kushton 2.9 milionë dhe Erjon Bogdani, me një vlerë prej 2 milionë euro. Ndërsa lojtari më i shtrenjtë i Maltës është Udo Nvoko, kartoni i të cilit kushton 1.2 milionë euro. Pas tij, më i shtrenjti është Majkëll Mifsud, lojtar i Barnsleit, 900 mijë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›