E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia kërkon për trafik droge Purizon

 

I mbijetuar i go-mones së mbytur disa javë më parë në ujërat e Kroacisë, kërkohet nga drejtësia italiane që prej vitit 2001 për trafik droge. Bëhet fjalë për 43-vjeçarin Romeo Purizi, i cili tashmë kërkohet nga policia italiane për trafik ndërkombëtar droge, si dhe pjesëmarrje në organizata kriminale. Policia shqiptare ka hedhur dyshime edhe mbi deklaratën e Purizos, në momentin kur pohoi se gjendej në afërsi të ujërave kroate, pasi ai dhe vëllezërit Golaj kishin dalë për peshkim dhe se stuhia e fortë i kishte shtyrë drejt Malit të Zi, pas defektit në motorin e mjetit lundrues. Madje, sipas burimeve nga policia, natën e 20 janarit gomonia nuk ishte nisur për peshkim, por dyshohet se ka qenë duke transportuar lëndë narkotike me qëllim trafikimi. Sipas të dhënave nga Interpoli, mësohet se Italia po kërkon ekstradimin e 43-vjeçarit Romeo Purizi, i cili u gjet në det të hapur në Kroaci pas avarisë së gomones në të cilën gjendej bashkë me dy vëllezërit Sotir dhe Niko Golaj. Policia shqiptare do të hetojë edhe rastin e fundit, ku nga vetë Purizo është deklaruar se dalja në det ishte për qëllime peshkimi. Pas dyshimeve të policisë italiane për trafik droge, për Purizon kanë filluar hetimet për aktivitetin e kohëve të fundit në Shqipëri.
TRAFIKU I DROGES
Romeo Purizo, 43-vjeçari që mbijetoi për rreth 5 ditë duke u gjetur më pas nga pala kroate, në afërsi të një ishulli në Kroaci, kërkohet nga policia italiane për trafik ndërkombëtar droge, si dhe pjesëmarrje në organizata kriminale. Sipas informacioneve që i janë dhënë policisë shqiptare nga ajo italiane, bëhet e ditur se masa e arrestit me burg ishte dhënë për Purizon rreth 8 vjet më parë, por policia italiane nuk kishte mundur ta arrestonte, duke e shpallur person në kërkim. Tashmë 43-vjeçari nga Vlora ndodhet në gjendje arresti në Kroaci, ku merret në pyetje vazhdimisht rreth aktivitetit të tij dhe rreth ngjarjes së 20 janarit, ku ai u nis nga Vlora bashkë me dy miqtë e tij. Lajmi është konfirmuar nga Drejtoria e Policisë së Vlorës. Ende nuk është e qartë nëse pala kroate po bashkëpunon me atë shqiptare për të zbardhur aktivitetin e jashtëligjshëm të Romeo Purizos, ndërkohë shteti italian mësohet të ketë nisur procedurat për ekstradimin e tij.
HETIMI NE SHQIPERI
Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë bënë të ditur se dyshimet për trafik të mundshëm droge nga ana e tre personave që u njohën në media si peshkatarë, ishin që ditët e para kur u njoftua zhdukja e gomones. Gomonia edhe pasi u gjet, pas kontrollit nuk u zbulua ndonjë shenjë e dyshimtë, edhe për faktin se kishte kaluar disa ditë në det të hapur dhe ishte përmbytur. Por nuk përjashtohet mundësia që mjeti lundrues të ketë qenë duke transportuar lëndë narkotike. Ndërkohë gjatë këtyre ditëve, kur Romeo Purizo ndodhet ende në gjendje arresti në Kroaci, edhe policia shqiptare ka nisur hetimet në lidhje me ndonjë aktivitet të mundshëm kriminal, jo drejtpërsëdrejti ndaj Purizos, por ndaj miqve të tij dhe personave që kanë pasur kontakte me të. Burime nga policia bënë të ditur se janë marrë në pyetje gati 25 persona që e njohin Romeo Purizon, miq dhe të afërm të tij, si dhe ka nisur zbardhja e tabulateve telefonike, për të gjitha bisedat, që ai ka realizuar në datat 19 dhe 20 janar të këtij viti.

PESHKATARET

1. Romeo Purizo, i mbijetuar

2. Sotir Golaj, i vdekur

3. Niko Golaj, i zhdukur

Zhdukja e gomones nga Vlora pas trafikimit të ngarkesës me drogë
Romeo Purizo dhe dy vëllezërit Sotir e Niko Golaj humbën në det të hapur në 20 janar, ndërsa gjetja e dy prej tyre u bë e mundur vetëm 5 ditë më vonë pas kërkimeve intensive nga pala kroate, italiane dhe ajo malazeze. Purizo u gjet i gjallë, Jani Golaj u gjet i vdekur, ndërsa trupi i vëllait të tij Sotir Golaj nuk është gjetur ende. Ata ishin nisur nga Vlora dhe kishin përfunduar në ujërat e Malit të Zi, si pasojë e stuhive dhe motit të keq. Denoncimi është bërë nga një prej personave të mbetur në det, pikërisht nga Romeo Purizo, me anë të një telefonate. Sipas të dhënave që ai ka dhënë nëpërmjet linjës telefonike, tre personat kanë dalë të peshkojnë në afërsi të Vlorës, por nuk arritën të ktheheshin në tokë për shkak të stuhive. Nga punonjësit e policisë është marrë kontakt dhe me familjarët e Romeo Purizos, të cilët deklaruan se ai ishte larguar nga shtëpia që prej ditës së diel, të datës 18 janar, rreth orës 16:00 duke u thënë se do të dilte për peshkim me shokët. Komunikimi i fundit që ata kanë pasur me Romeo Purizon ka qenë më datë 20 janar në mëngjes, ku ai u ka deklaruar familjarëve, që gjendej në det të hapur me mjet lundrues së bashku me dy shokë të tij dhe dallgët po i çonin drejt Malit të Zi. Menjëherë pas këtij njoftimi policia shqiptare nisi kërkimet intensive në det dhe në ajër nëpërmjet helikopterëve të Ministrisë së Mbrojtjes, duke u ndihmuar edhe nga policia e Malit të Zi, Kroacisë dhe Italisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›