Firma e tritolit të "Durrës-Kukës" fiton në gjykatë
TIRANE - "Nitromak" do vazhdojë të shfrytëzojë ambientet e Repartit Ushtarak të Borizanës së Krujës, për të magazinuar tritolin e importit që përdoret për ndërtimin e rrugës Durrës - Kukës. Gjykata e Tiranës pas disa seancash gjyqësore pushoi tre ditë më parë padinë e firmës kundër Repartit Ushtarak 4300, që ndodhet në Qesarakë të Tiranës. Burime nga procesi pohojnë se përfaqësuesi i firmës paditëse ka pohuar se palët e kishin zgjidhur çështjen me kompromis, duke u bërë kështu shkak për pushimin e gjykimit. Padia e shoqërisë "Nitromak Albania" sh.p.k. ka nisur të shqyrtohet më 19 shtator të vitit të kaluar, ndërsa objekti i saj ishte "Detyrimi i palës së paditur që të respektojë detyrimet që rrjedhin nga Kontrata e Qiramarrjes numër 230/2 datë 25 janar 2008 të lidhur midis shoqërisë "Nitromak Albania" dhe Repartit Ushtarak numër 4300, për sipërfaqen prej 200 metër katrorë që ndodhet në grup-depot në Borizanë. Në padinë kundër Ministrisë së Mbrojtjes, pretendohej se prishja e kontratës me "Nitromak" ishte bërë në një moment të pafavorshëm. Firma që furnizon e tritol ndërtuesit e rrugës Durrës - Kukës, iu drejtua Gjykatës së Tiranës ku kërkoi fillimisht sigurimin e padisë, të cilin e fitoi në gusht të vitit të kaluar dhe më pas shqyrtimin e çështjes në themel. "Nitromak" kishte nënshkruar në janar të vitit të kaluar një kontratë për shfrytëzimin e një magazine 200 metër katrorë në repartin e Borizanës, për të magazinuar tritolin kundrejt një qiraje të caktuar. Por, arrestimi i katër personave të akuzuar për përfshirje në afera korruptive, përsa i përket dhënies së licencës kësaj firme, si dhe favorizimi për qira të ulët, bëri që më datë 12 gusht 2008, Ministra e Mbrojtjes të prishte kontratën me firmën "Nitromak". Pasi kaloi të gjitha procedurat administrative dhe dështoi në rikthimin e marrëveshjes, firma iu drejtua Gjykatës së Tiranës, në muajin gusht. Gjatë këtij muaji gjyqësori ndodhet me leje të zakonshme, çka u bë shkak që padinë ta shqyrtonte gjykatësi i gatshëm në këtë institucion. Pas rikthimit të gjykatësve nga lejet vjetore dhe rinisjes së punës në gjykatë, padia e "Nitromak" u hodh në short dhe iu dorëzua për shqyrtim gjykatësit Ilir Mustafai, i cili zhvilloi gjatë pesë muajve katër seanca gjyqësore. fa.ma.