"Matrix 4", sot nis gjyqi për grupin e 15 hakerave shqiptarë
TIRANE - Hakerët e arrestuar në gusht të vitit të kaluar pritet të ulen sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Tiranës. Seanca e parë e procesit është caktuar të zhvillohet mesditën e sotme nën kryesimin e gjykatësit Petrit Çomo. Burime nga gjykata pohojnë se 15 të pandehurit e kësaj çështjeje, Anil dhe Endrit Gjergjani, at e bir, që mbajnë edhe mbiemrin Laro, Alban Bare, Blerim Abazi, Endri Mezuraj, Enea Çela, Fatmir Borshi, Fatmir Kolmarku, Flamur Gashi, Indrit Abazi, Klajdi Terolli, Kreshnik Luka, Ledjo Doko, Redi Çikani dhe Rei Karapici do të përballen në gjykatën e kryeqytetit me akuzat: "mashtrim në bashkëpunim të disa personave më shumë se një herë" dhe "falsifikim i letrave me vlerë". Këta të pandehur si dhe dy të tjerë, çështjet e të cilëve janë pushuar gjatë hetimit, u prangosën në fillim të gushtit të vitit të kaluar në kuadër të operacionit policor të koduar "Matrix 4". Katër ditë pas arrestimit, Gjykata e Faktit liroi 5 prej tyre, njërin e liroi Apeli kundrejt garancisë pasurore, ndërsa 11 prej tyre mbetën në qeli, ku ndodhen edhe aktualisht. Të pandehurit akuzohen se kanë klonuar kartat e kreditit tip "Vissa" dhe "Master Card", duke shkaktuar vjedhjen në dhjetëra degë bankare të një shume të konsiderueshme. Viktimat e tyre ishin qytetarë të huaj, kodet dhe numrat e llogarive bankare grupi i adoleshentëve shqiptarë i blinte "online" në internet duke "chatuar" nëpër uebe të ndryshme me piratë dhe hakerë nga vende të botës së tretë dhe shtetet perëndimore. Pasi siguronte të dhënat e nevojshme për llogari të qytetarëve evropianë hakerët shqiptarë klononin kartat e tyre të kreditit dhe me anë të tyre tërhiqnin shuma të ndryshme nëpër bankomatë apo kryenin blerje nëpër subjekte tregtare në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë dhe Sarandë. Madje nuk kanë munguar as rastet kur të pandehurit kanë paguar me anë të kartave të kreditit të klonuara pijet që konsumonin nëpër lokale luksoze. Sipas prokurorisë të pandehurit Gjergjani, at e bir kishin siguruar një pajisje që prodhonte kartat e klonuara të kreditit. Burime nga procesi pohojnë se seancën e parë, pritet që një pjesë e mirë e të akuzuarve dhe avokatëve të tyre mbrojtës të kërkojnë aplikimin gjykimit të shkurtuar në këtë proces, pasi disa prej tyre kanë mbajtur qëndrim pohues ndaj akuzës gjatë hetimeve. fa.ma.