E Shtunë, 31 Tetor 2026

I moshuari 79 vjeç: Divorc për mospërputhje karakteri

 

Fatos Mahmutaj

Divorcohet 79-vjeçari për mospërputhje karakteri. Padia e rrallë në Gjykatën e Tiranës është dorëzuar rreth katër muaj më parë, ndërkohë mospërputhjet e pretendimeve të palëve, janë bërë shkak që të mos nisë shqyrtimi i provave të depozituara nga paditësi. Burime nga procesi pohojnë se e paditura, 10 vjeç më e vogël se paditësi, është bashkëshortja e dytë e plakut 79-vjeçar, me origjinë nga Vlora, ndërkohë martesa e tyre është lidhur para 15 vjetësh. Padia e 79-vjeçarit ka nisur të gjykohet nga gjykatësja Kaçe Agolli, ndërsa për katër seanca radhazi bashkëshortët nuk kanë arritur të gjejnë mirëkuptimin, por asnjë prej tyre nuk është shprehur kundër divorcit. Gruaja 69-vjeçare pohon se bashkëshorti i saj duhet të paraqitet vetë në gjyq dhe të deklarojë arsyet e divorcit, kusht të cilin ajo e ka vendosur seancën e parë të procesit. Ndërsa avokati i paditësit pretendon se klienti i tij e ka të pamundur të lëvizë nga shtrati, pasi vuan nga sëmundja vdekjeprurëse e kancerit. Madje për të vërtetuar këtë, ai ka paraqitur në proces epikrizën dhe dokumente të tjera mjekësore.
Padia
Në padinë e dorëzuar në gjykatë pohohet se paditësi quhet Mane M., i biri Ymerit dhe Salihes, i datëlindjes 16 janar 1931, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, rruga "Qemal Stafa", pallati 281, shkalla 4 apartamenti 10. Ndërsa e paditur është Ina M., e bija e Xhemalit dhe Refijes, e datëlindjes 30 prill 1941, lindur në Vlorë dhe banuese në Tiranë, Rruga e Durrësit, pallati 180, shkalla e parë, apartamenti numër 4. Objekti i padisë është zgjidhja e martesës mes dy bashkëshortëve, ndërsa baza ligjore ku është mbështetur 79-vjeçari, janë nenet 132 e vijues të Kodit të Familjes. I moshuari pohon se në bazë të certifikatës martesore numër 8/29 të vitit 1974, lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake numër 10, Tiranë, vërtetohet se më datë 13 mars 1994, (akti numër 431), ai dhe e paditura, kanë lidhur martesë midis tyre, dhe nga kjo martesë nuk kanë fëmijë. "Gjatë jetës tonë të shkurtër bashkëshortore, midis nesh kanë ekzistuar grindje dhe mosmarrëveshje të vazhdueshme, kjo për shkak të mospërputhjes së karaktereve tona. Gjatë periudhës së martesës kemi jetuar së bashku në një shtëpi, e cila është pronë e bashkëshortes. Me kalimin e kohës, këto mosmarrëveshje u bënë edhe më të theksuara. Duke qenë se gjatë marrëdhënieve tona bashkëshortore, gruaja shpeshherë më përmendte faktin se jetoja në shtëpinë e saj, të gjitha këto qëndrime të saj kanë ndikuar negativisht dhe kanë cenuar rëndë dinjitetin tim si person", pohon 79-vjeçari.
Shkaqet
"Për këto arsye marrëdhëniet tona bashkëshortore janë tronditur aq thellë, sa që pas kësaj është bërë e pamundur jetesa jonë e përbashkët. Aktualisht jetojmë të ndarë nga njëri-tjetri.
Për këto arsye e pashë të arsyeshme që me anën e kësaj padie t'i drejtohem kësaj gjykate, të cilës i kërkoj zgjidhjen e martesës me të paditurën. Bashkëngjitur ju vë në dispozicion provat shkresore të nevojshme për një veprim të tillë", përfundon padinë 79-vjeçari vlonjat. Ndërkohë, e paditura, e cila paraqitet vetë në gjykatë, është shprehur se është dakord me zgjidhjen e martesës, por sipas saj burri duhet të paraqitet në gjyq dhe të parashtrojë para gjykatës të gjitha mospërputhjet e karakterit mes bashkëshortëve. Seanca e radhës e këtij procesi pritet të zhvillohet pas dy javësh.

Çdo ditë 4 divorce në Tiranë
TIRANE - Çdo ditë në Gjykatën e Tiranës janë divorcuar 4 çifte. Shifra alarmante është publikuar në uebin zyrtar të këtij institucioni, ku pohohet se gjatë vitit 2008 janë shqyrtuar në këtë institucion 1448 padi për divorc. Duke iu referuar statistikave të këtij institucioni, 274 nga këto çështje janë mbartur nga viti 2007, 1159 janë depozituar brenda 2008-ës dhe 15 i ka kthyer apeli për shkelje të procedurave. Për 1089 nga këto çështje gjykatësit kanë vendosur pranimin e padive, ndërsa të pyetur për moshat e rrezikuara nga divorcet, gjykatësit pohojnë se kryesisht janë çiftet e reja dhe çiftet e emigrantëve që përfundojnë dyerve të gjykatave për divorc. Shifrat alarmante paraqiten edhe për 40-ditëshin e parë të këtij viti. Plot 491 padi për zgjidhje martesash ndodhen nëpër duart e gjykatësve kryeqytetas, në pritje të vendimeve të divorcit.                         f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›