Vatër infeksioni në mes të Korçës, me verdhëz 6 fëmijë
KORÇE / JORGJETA GJANÇI
Një gropë e hapur rreth 20 vite më parë në lagjen “Radanec”, me qëllim ndërtimin e një pallati, është kthyer në vatër infeksioni për banorët e Korçës. Për një muaj, 6 fëmijë, shtëpitë e të cilëve ndodhen afër kësaj grope janë shtruar në spital me verdhëz. Sipas mjekëve, dyshohet se shkak të jetë ambienti tejet i ndotur, ku këta të mitur kalojnë pjesën më të madhe të kohës. Tre nga këta fëmijë frekuentonin kopshtin “Lulet e Vogla”, i cili ndodhet vetëm 5 metra larg gropës. Ndërsa tre të tjerët janë nxënës të shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, e cila ndodhet 100 metra larg. Prej dy dekadash, kjo gropë është kthyer në një vend ku hidhen plehra, kafshë të ngordhura, mbetje inertesh etj. Madje, aty gjenden me shumicë edhe shiringa të përdoruesve të drogës. Mësohet se ndonëse fëmijët e sëmurë dolën nga spitali, ata vazhdojnë të mos pranohen në kopsht me bashkëmoshatarët e tyre, nga frika e përhapjes së sëmundjes tek të tjerët.
Gropa gjendet në mes të dhjetëra pallateve e shtëpive të banimit të lagjes “Radanec”. U hap para afro 20 vjetësh, pra që në sistemin monist me projektin për t’u ndërtuar një pallat për 60 familje të pastreha. Por pas përmbysjes së sistemit, vendi mbeti i hapur duke kërcënuar shëndetin e banorëve. Që nga viti 1990, të gjitha qeverisjet qendrore dhe lokale gjatë fushatave elektorale kanë premtuar, se do të venë dorë për të shmangur këtë rrezik, por asnjëherë nuk është vepruar. Më të kërcënuar janë 50 vogëlushët e kopshtit të fëmijëve romë dhe afro 300 nxënës të një shkolle 9-vjeçare, që gjenden shumë afër zonës që tashmë është kthyer në vatër infeksioni. Duke qenë se është në mes të pallateve të banuara është premtuar se do të kthehet në një kënd lodrash për fëmijë, por deri më sot asnjë ndryshim nuk është bërë. Aishe Fejzo, një grua e moshuar që banon në një nga pallatet buzë gropës shprehet e irrituar për situatën dhe neglizhencën e vendorëve për të ndërhyrë. “Disa herë na kanë premtuar se do të na i hiqnin të paktën plehrat e pisllëqet e kësaj grope, por asnjëherë nuk kanë vënë dorë. U kemi kërkuar që të na sjellin ca kazanë plehrash që t’i vendosin pranë gropës, por përsëri nuk na kanë dëgjuar. Në verë nuk hapim dot dritaret se mizat na hyjnë brenda. Tani kanë filluar të na sëmuren edhe fëmijët. Bashkia duhet të vërë dorë sa më shpejt, pasi ne jemi të rrezikuar”, u shpreh e moshuara. Mësohet se pjesa më e madhe e sipërfaqes së kësaj grope është pronë e Myftinisë së Korçës. Ata kanë shumë vite që e kanë marrë me vendim komisioni këtë truall, por deri tani nuk kanë vënë dorë për të ndërtuar apo për të shmangur rrezikun që ajo përbën për fëmijët e banorëve rreth e rrotull saj. Imami Arefi Muçi, u shpreh se: “Ne si Myftini nuk kemi mundësi të investojmë në atë vend. Po kërkojmë që ta lëshojmë me përqindje fitimi tek ndonjë investues privat, për t’u ndërtuar diçka, ndoshta pallat siç ishte planifikuar 20 vjet më parë. Po deri tani nuk kemi gjetur ndonjë ofertë të kënaqshme”. Ky vend ka mbetur edhe jashtë prioriteteve të pushtetit lokal.