Rrethet pa urgjenca, shërbimi 24 orë do jepet në ambulanca
zirina llambro
Shërbim 24 orë në të gjitha qendrat shëndetësore të zonave që nuk kanë afër urgjenca. Këtë vendim mori dje Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Gjithçka për t’u ardhur në ndihmë pacientëve, të cilët mund të kenë nevojë për ndihmë mjekësore. Për të motivuar stafin e këtyre qendrave, do të ketë pagesë shtesë. Drejtuesit e ISKSH përcaktuan gjithashtu se sa do të jenë këto shtesa për punonjësit, të cilët do të shërbejnë gjatë orëve të natës. Ky shërbim, i cili është parashikuar në paketën bazë të shërbimit parësor, do të ofrohet me pagesë shtesë për personelin, duke filluar nga data 1 janar 2009. “Motivimi i stafit mjekësor do të vijojë të jetë politikë e jona, në mënyrë që popullata të marrë shërbim të kualifikuar gjatë 24 orëve edhe në këto qendra shëndetësore, të cilat nuk kanë afër një shërbim urgjence”, u shpreh në mbledhjen e Këshillit Administrativ të ISKSH-së, drejtoresha Elvana Hana. Ky shërbim, sipas marrëveshjes midis ISKSH-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, është përcaktuar të ofrohet nga 26 qendra shëndetësore të bashkive të kategorisë së tretë. Për këtë arsye janë parashikuar të shtohen në udhëzimin përkatës, pagesat përkatëse për shërbimin që do të ofrojnë nga ora 20.00 deri në orën 08.00, për mjekët, infermierët dhe shoferët. Sipas përllogaritjeve të bëra rezulton se kostoja e këtij shërbimi (paga, sigurime shoqërore e shëndetësore, mallra e shërbime) për një qendër shëndetësore në një vit shkon në rreth 1.5 milion lekë, ndërsa kostoja për 26 qendra shkon rreth 39 milion lekë. Shuma e këtyre shpenzimeve do të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2009, për shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor. Gjithashtu, parashikohet dhënia e një shtese për kushte pune për mjekun pediatër që punon në konsultore, shtesë e cila nuk ishte parashikuar në udhëzimin e mëparshëm. Nga sa bën me dije ISKSH, do të aplikohet edhe shtesa për kushte pune për vendin e punës, infermierë në kirurgjinë vazale. Të dy shtesat e mësipërme, të cilat janë përkatësisht 1100 lekë në muaj për mjekun pediatër në konsultore dhe 1000 lekë në muaj për infermier në kirurgjinë vazale përballohen nga buxheti i vitit 2009 i qendrave shëndetësore.
Qendrat me shërbim 24 orë
• Berat 1 QSH:
(Ura Vajgurore)
• Dibër 1 QSH:
(Klos),
• Durrës 5 QSH:
(Shijak,
Sukth,
Manzë,
Fushë-Krujë,
Rrogozhinë),
• Elbasan 2 QSH:
(Cërrik, Belsh),
• Fier 3 QSH:
(Patos,
Roskovec,
Divjakë),
• Gjirokastër 2 QSH:
(Libohovë,
Këlcyrë),
• Korçë 1 QSH:
(Maliq),
• Shkodër 3 QSH:
(Koplik,
Vau i Dejës,
Fushë-Arrëz),
• Vlorë 4 QSH:
(Orikum,
Selenicë,
Himarë,
Konispol),
• Tiranë 2 QSH:
(Kamëz,
Vorë),
• Lezhë 2 QSH:
(Rubik,
Mamurras).
Godo: Tejkaluam krizën e ilaçeve
“Kriza e medikamenteve në spitalet dhe qendrat shëndetësore të vendit është tejkaluar”. Këtë deklaratë bëri dje, ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, duke shfrytëzuar analizën vjetore të Spitalit Rajonal në Durrës. Sipas saj, ditët e fundit mbeten për t’u pajisur me ilaçe disa pavijone në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në mënyrë që të plotësohen të gjitha nevojat. Më pas, Godo ka vijuar takimin me mjekët e spitalit të Durrësit, ku dhe ka theksuar se sistemi shëndetësor tashmë është futur në një fazë të re. Sipas saj, reforma që përkon me vetëmenaxhimin e fondeve nga vetë stafet mjekësore, do të rrisin ndjeshëm cilësinë e shërbimit shëndetësor. Gjatë gjithë vitit të shkuar spitalet në vend janë përballur me mungesë totale të barnave.