Zeqaj: 2009, projekte për Gjanicën
FIER - Kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqaj pranon situatën kaotike në të cilën ndodhet lumi i Gjanicës, duke premtuar njëherazi se viti 2009 do të sjellë projekte konkrete për rehabilitimin e saj. Sipas tij, është menduar të punohet me një tjetër mënyrë, me qëllim që të krijohet një skemë e mirë dhe terren i përshtatshëm për studiot projektuese. Zeqaj thotë se ky lumë bëhet ndotës kryesor jo vetëm për qytetin, por pengon edhe zhvillimin e turizmit. “Jo vetëm Semani, por i gjithë bregdeti shqiptar ndotet nga lumi Gjanica. Nëse do të vijojë kjo histori do të rrezikohet turizmi. Për të arritur një pastrim tërësor të Gjanicës, një hap i rëndësishëm është sensibilizimi i qytetarëve si dhe i kompanive “Armo” e ‘Albpetrol’”, u shpreh kryebashkiaku. Për studimin e projektit të rehabilitimit të Gjanicës është miratuar edhe një fond prej 10 milionë lekësh të reja. m.r