Aplikojnë për vizë italiane, humbasin pasaportat në konsullatë
Në një kohë që pritet liberalizimi i vizave ende regjistrohen trajtime skandaloze të personave që aplikojnë për një leje kalimi jashtë shtetit. Një rast i tillë ka ndodhur me një çift bashkëshortësh nga Fieri, të cilët kanë aplikuar që në mesin e muajit mars për një vizë turistike në konsullatën italiane të Vlorës. Por jo vetëm që nuk kanë mundur të përfitojnë vizën, por nuk kanë mundur të tërheqin as pasaportat. Edhe pse i janë drejtuar zyrtarisht konsullatës italiane në Vlorë, madje kanë zhvilluar takim edhe me konsullin, çifti i bashkëshortëve Bardhyl dhe Violeta Zykaj nuk kanë gjetur ende zgjidhje.
çifti shpresonte që me anën e një vize italiane të mund të vizitonte për pak ditë dy djemtë emigrantë në Itali. Këta të fundit janë pajisur me leje qëndrimi dhe vijnë rregullisht për pushime te prindërit. Duke u sistemuar edhe me shtëpi në Itali, djemtë vendosën që të gëzonin prindërit me disa ditë pushime pranë tyre. E kështu, pas plotësimit të të gjithë dokumentacionit të nevojshëm, për aplikimin e një vize turistike, çifti Zykaj cakton një takim për të dorëzuar dokumentet. Në datën 17 mars, sipas faturës së dorëzimit të dokumenteve dhe pagesës së taksës përkatëse, Bardhyl dhe Violeta Zykaj dorëzuan dosjen dhe morën shpjegimin se brenda datës 24 të atij muaji, do të njiheshin me vendimin e zyrës konsullore. “Pritëm datën e përcaktuar, por nuk na erdhi asnjë njoftim. Na thanë se do të na vijnë pasaportat nëpërmjet shërbimeve postare. As me to nuk erdhi. U interesuam vetë pranë këtyre pikave, na shpjeguan se nuk kishin marrë asnjë nga pasaportat tona. U detyruam që t’i drejtoheshim konsullatës në Vlorë, ku arritëm të takonim edhe konsullin Sergio Strozi. Por më kanë përcjellë, duke më thënë se do ta dërgojmë pasaportën shumë shpejt. Kanë kaluar afërsisht tre muaj dhe nuk kam asnjë shpresë për pasaportat. Kam vendosur që këtë situatë ta ndjek ligjërisht, se zgjidhje tjetër nuk ka”, tregon për “Shqip” Bardhyl Zykaj. Shkakun e vonesës së përgjigjes për një vizë për ta dhe aq më shumë për “humbjen” e pasaportave, Bardhyl dhe Violeta Zykaj e lidhin me trajtimin antiligjor dhe abuzues që u bëhet kategorive të ndryshme sociale.
#